Në fjalimin e tij patetik në selinë e OKB-së Vuçiq, sulmoi fuqitë e mëdha për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës!

Opinione

Në fjalimin e tij patetik në selinë e OKB-së Vuçiq, sulmoi fuqitë e mëdha për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 shtator 2024 Në ora: 13:45
Rexhep Elezaj

Meqenëse regjimi fashist i Serbisë, në krye me pinjollin e kriminelit të luftës V. Sheshelit, presidentin aktual, A. Vuçiq, i cili përgjatë 25 viteve pas mbarimit të luftës në Kosovë nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendimi për krimet e bëra në Kosovë, si dhe nuk kanë bërë asnjë ndryshim të politikës hegjemoniste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si “njerëz të zbritur nga mali” (citat i A. Bernabiq), mendoj se krerët politik dhe shtetëror të Kosovës, domosdo duhet ta ashpërsojnë diskursin dhe qëndrimin e Kosovës ndaj kësaj politike shoviniste, raciste dhe antishqiptare të Serbisë, të cilën ajo po e bën fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Kjo, sepse nuk ka argument më të fortë për ashpërsimin e politikës shqiptare ndaj Serbisë, sesa fjalimi i A. Vuçiqit para tri ditësh në sesionin e 79 të OKB-së, i cili në fjalimin e tij patetik, shumicën e kohës ia kushtoi “Kosovës dhe Metohisë”, se si fuqitë e mëdha ia kanë “amputuar Serbisë pa asnjë vendim të KS të OKB-së krahinën e saj jugore, duke shkelë të drejtën ndërkombëtare, të drejtë të cilën sot po e mbrojnë në rastin e Ukrainës, por jo edhe në rastin e Serbisë, kur ia morën një pjesë të territorit të saj në vitin 1999” !

Merreni me mend, Vuçiq foli edhe për nazizmin, duke vajtuar, se Serbia ka dhënë shumë viktima për lirinë e saj gjatë LDB-re, por e duke “harruar” qëllimisht faktin, se mijëra viktima në Bosnje dhe Kosovë, hiç më larg se para 25 – 30 viteve kanë qenë pre e fashizmit dhe racizmit serb në Ballkan, mbase duke i akuzuar fuqitë e mëdha për sulmin që NATO e bëri mbi Serbinë në vitin 1999, pikërisht për shkak të gjenocidit të saj në Kosovë, një dyfytyrësi kjo e pa precendent në botë. Akuzon të tjerët për sulm ushtarak mbi Serbinë, ndërsa në të njëjtën kohë i ikë përgjegjësisë së vetë për masakrat dhe gjenocidin e vetë që e ka kryer ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve..!?

Unë, nuk besoj se ka diku në botë, një popull dhe një regjim, që del e gënjen para gjithë botës, se gjoja serbët na qenkan engjëj, kurse të tjerët qenkan kriminelë, vetëm se e kanë bombarduar Serbinë për fajin e saj, të cilin ajo e shndërron në kukamë, klithëm dhe akuzë ndaj fuqive të mëdha. Madje, në fjalimin e tij “patriotik” për opinionin serb, i akuzoi vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, se e kanë shkelur Rezolutën 1244, me të cilën gjoja “Kosova dhe Metohija” na qenkan pjesë e Serbisë, dhe siç tha, nuk është e vërtetë “se Serbia është bombarduar për shkaqe humanitare, veçse për qëllime tjera strategjike, ngase askush nuk të drejtë të na e marrë Kosovën”..!?

Shtroi po ashtu pyetjen, se pse “po armatoset Kosova dhe se kjo gjë po ndodhë në territorin e Serbisë, sepse ajo është pjesë e saj, se çfarë ushtrie po formoni, si dhe për çfarë synimesh”, duke shtuar, se disa qarqe po gënjejnë, sepse “Serbia nuk është shërbëtore as e Rusisë as e Amerikës, se ne jemi vend i pavarur, dhe se i respektojmë parimet e Kartës së OKB-së, dhe se askush nuk po merret me të drejtat e serbëve në Kosovë dhe Metohi, të cilat çdo ditë po ua shkelë qeverisja e përkohshme e Prishtinës, ku familjet serbe po sulmohen për çdo ditë”, etj., duke kritikuar edhe Peter Stanon për qëndrimin e tij të njëanshëm dhe pro-pavarësisë së Kosovës.

Për fund, mendoj se për këto qëndrime antishqiptare dhe destabilizuese në Ballkanin perëndimorë të kreut të Serbisë armike, A. Vuçiqit, institucionet tona shtetërore duhet t’i njoftojnë menjëherë zyrtarët e BE-së, SHBA-ve dhe vendeve tjera të QUINT-tit, që t’i ndërpritet hovi njëherë e mirë propagandës armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj, e fituar me gjakun e mijërave dëshmorëve shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat