Ka kohë që PDK në vazhdimësi e thekson qëndrimin e saj: "s’kemi vija të kuqe me asnjë parti politike", nisur edhe nga pafuqia e saj për të qeverisur e vetme. Ky qëndrim është më tepër i imponuar nga etja e madhe për pushtet. E mësuar për të qenë në pushtet, aty ku paraja publike keqpërdoret pa asnjë mëshirë, PDK s’mund të rrijë larg tendereve.
Së fundi, edhe kandidati i tyre për kryeministër ritheksoi se nuk i përjashton asnjë parti nga diskutimi për bashkëpunim. Ai theksoi se përparësi i jep koalicionit me LDK-në "për shkak të programit, pasi koncepti politik është më i pranueshëm me partitë në opozitë, me LDK-në". Sigurisht se janë më afër me LDK-në; ia dijnë njëra-tjetrës "dallaveret", hajnitë dhe sekretet e aferave.
Grupet e ngushta të interesit ndërmjet këtyre dy partive kanë përfituar nga koalicionet e mëhershme, por jo edhe Kosova dhe qytetarët e saj. Sigurisht se nuk u kanë interesuar hallet e qytetarëve; interesi i tyre ka qenë dhe mbetet pushteti. Pavarësisht deklaratave për vijat e kuqe, PDK duket se nuk preferon një koalicion me LVV-në "për shkak të dallimeve konceptuale dhe historisë së marrëdhënieve të mëparshme", çka shpjegon më së miri qëllimin e tyre të vërtetë.
PDK synon të futet në koalicion me këdo për të arritur pushtetin; me LDK-në është një ëndërr, pasi e përdor si satelit për realizimin e egove të saj. Gjithësesi, këto janë vetëm ëndrra me sy hapur; pushteti për PDK-në është shumë i largët, aq sa vetëm në ëndërr mund ta shohin. Epo, ëndrrat janë falas...