Shqiptarët e Kosovës e kishin pritur me entuziazëm shkuarjen e Ramës në Beograd më 2014, ku serbëve dhe Vuçiqit ua tha në sy se: Kosova është një realitet, shtet i pavarur. Sa më parë që ta pranoni këtë të vërtetë, aq më mirë do të jetë për të gjithë.
Pra shqiptarët jo vetëm në Kosovë, po edhe në Luginë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo që ndodhen, ishin entuziazmuar dhe ndiheshin krenar me qëndrimin e kryeministrit Rama.
Në këto momente ai ishte kryeministri i tërë shqiptarëve, i dashur, i respektuar dhe i çmuar nga të gjithë.
Shtrohet pyetja se pse gjërat morën tërësisht tjetër kahje ? Apo pse kryeministri Rama të nesërmen, u shikua me tjetër sy, me përbuzje, me urrejtje, duke e krahasuar edhe me Esad Pashën ?
Të nesërmen, Rama ishte pajtuar dhe punonte në fshehtësi me Vuçiqin dhe Thaqin, për ndarjen e Kosovës.
Të nesërmen, ai me Vuçiqin e shpallën Ballkanin e Hapur (pa pëlqimin e Kosovës), ide tashmë e vërtetuar serbo – ruse.
Të nesërmen, Rama figurat kontroverse serbe i ftonte, ua dhuronte Çelësin e Tiranës dhe me ta e hapte Festivalin e Birrës në Korçë.
Të nesërmen, Rama i bëri apel bashkësisë ndërkombëtare që të kenë mirëkuptim për Serbinë dhe raportet e saj me Rusinë, e cila haptas deklaronte se nuk do të vendosë sanksione, dhe nuk do t´i vejë në pikëpyetje marrëdhëniet e saj me Rusinë. Derisa e tërë bashkësia ndërkombëtare i bënte presion Serbisë, kryeministri shqiptar Rama, bënte përpjekje që ta arsyetonte.
Të nesërmen, Rama në vend se t´i përkrahte vendimet e qeverisë së Kosovës për kthimin e sovranitetit në Veri, ai distancohej i pari duke e anuluar edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Rama ishte i parë që u kuptua se, aprovoi sanksione ndaj Kosovës.
Të nesërmen derisa qeveria bënte përpjekje në shtrirjen e sovranitetit në veri, Rama deklaronte se veriu është tokë e askujt.
Të nesërmen, Rama pajtohej tërësisht me Vuçiqin për formimin e Asociacionit, marrëveshje e Thaçit dhe e Mustafës e vitit 2013, të cilën Serbia nuk e pranonte, pasi si synim e kishte ndarjen e Kosovës.
Të nesërmen, Rama e hartoi i pari draft – statutin për Asociacionin, të cilin e refuzonte Kosova, sepse qëllimi i Serbisë është formimi i Republikës Serbe në Kosovë, ngjashëm sikurse në Bosnje, në mënyrë që ta bllokonte Kosovën. Shtrohet pyetja (derisa Kosova me mish e shpirt përpiqet ta ruaj sovranitetin): ku jeton Rama, në ndonjë planet tjetër, apo është banor i tokës?
Rama tash e mbajti fjalimin në OKB, tërësisht në favor të Kosovës. Shtrohet pyetja: çfarë do të deklaroj ai nesër … ?!