Nuk ia uroj burgun askujt, as atyre që përkrahin tezën arkaike “burgu për burra është!” Në kohët kur jetojmë edhe kjo tezë është përbuzur fort, aq sa ajo është bërë e pakuptimtë. Në kohët e sotme, në burg nuk po shkohet më për gjëra që “s’ia vlen më liria”, por për vjedhje të pështira, për shpifje, për fallsifikime dokumentash, për prostitucion, shpërdorim pushteti e të tjera kategori si këto, që hyjnë jo tek burrnia kurrsesi, as tek pamundësia për të jetuar si njeri në se nuk e kryen veprimin që ligji e dënon, por thjesht janë vese njerëzore, të cilat para se të dënohen me burg, duhen dënuar me izolim e përbuzje nga shoqëria. Nganjëherë burgu, për veprën e vjedhjes e të korrupsionit shtëtërorë më përfitime të mëdha ekonomike bëhet kategori “burrnore”, e tillë që thuhet se “ia vlen” t’a bësh, pasi masa e dënimit është e vogël e nuk shoqërohet me masa të tjera shoqëruese si konfiskimi i pasurisë, ose heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike, apo profesioneve të keqshfrytëzuara për të vjedhur. Unë do isha që kësaj kategorie t’i rëndonin më shumë masat e karakterit “dytësorë” si më sipër, se sa burgu! Të bësh 1, 2 apo pak më shumë vite burg, ndërkohë që me vjedhje ke siguruar jetesën tënde e të familjes përgjithmonë, është e drejtë që të quhet “burrni”…, ndërkohë që disa vepra të tjera si shpifja, sajimi i fakteve të gënjeshtërta, vetëm për të dëmtuar kundërshtarin etj, janë kategori që duhen shpërfill më shumë se duhen dënuar, si kategori që e shvleftësojnë jo burrninë, por edhe normat njerëzore dhe shoqërore.
Salianji, tashmë ish - deputet i Kuvendit të Shqipërisë, u dënua pas një kalvari gjashtëvjeçar dështimesh të drejtësisë, për t’i dhënë secilit atë që meritonte dhe në masën që e meritonte. Sikur të mos mjaftonin kaq shumë angazhime e orë pune të organeve të drejtësisë (jo për fajin e Salianjit, por për paaftësinë e saj!), ky episod për gjashtë vite dominoi skenat parlamentare, angazhoi deputetët e grupimit politik të cilit i përkiste ai, solli protesta e trazira të zhurmëshme e plot dëme të parikuperueshme. Madje kjo levizje vazhdon edhe tash, e ka gjasa të vazhdoje gjatë si “kauzë e pakauzë” e të njëjtave skena, vetëm pa Salianjin në kuvend, në ekranet e pështira televizive ku “shkëlqen” klientelizmi, servilizmi, mediokriteti etj. Nuk më gëzon e keqja ndaj askujt, por më dhemb e keqja që vjen nga veprimet e gjithkujt, sidomos atyre që janë të mandatuar apo të emëruar për të ndikuar për të mire, në jetën publike të njerëzve dhe që bëjnë të kundërtën me veprimet apo mosveprimet e tyre, për më tepër të atyre që ne “barkthatët” u japim edhe “kafshatën e fundit”, vetëm e vetëm që ata të jenë të lirë për ta kryer detyrën e tyre. Pa folur pastaj për mendësinë tonë që “s’duam asgjë, veç ju (ata) të jeni mirë”, apo “marrsh nga ditët tona” (na marrshin të keqen!), etj. Pra, dënimi i Salianjit nuk më hidhëron, ndonëse ndjej keqardhje, sidomos për moshën e për faktin se ai është viktimë e mendësisë “salianiste”, as më gëzon, por as nuk më thotë gjë që situata në këtë vend pas kësaj, do të bëhet më e mirë. Pse?
Salianji është thjesht një individ, që ndoshta në kushte normale as që duhej të njihej prej shqiptarëve, përtej familjarëve, shokëve e miqve dhe një rrethi të ngushtë shoqërorë. Ai dhe shumë të tjerë, jo vetëm në PD, por edhe në PS e në dreqpartitë tona të pafundme, nuk janë modelet që duheshin promovuar në kushte normale demokratike, pasi janë nën mesataren e shoqërisë në shumë aspekte, por shquhen, ndoshta, pikërisht në aftësinë, që për partinë e drejtuesin e saj “japin edhe jetën”, e kujtdo që s’është si ata, t’i thurin çdo lloj rrjete fjalësh, akuzash, shpifjesh të pështira e me mjete aspak njerëzore, mjafton që lider(r)i t’i evidentojë e t’i mbaje ata në “oborrin” e pushtetit të tij kriminal. Salianji është personi tipik i mendësisë “sali-aniste”: kujtoni ngjarjet në selinë e PD-s, krahasoni me protestat poshtë ballkonit në rrugën e “shpresës së bjerrun”, apo në s(t)allën e kuvendit e kudo. Salianji nuk është në shoqërinë shqiptare një individ, por një mendësi që meriton të thirret sali-anizëm, mendësi e cila nuk i përket vetëm asaj partie politike (ndoshta e përdor pak më shumë ajo!), por edhe PS – së e partive fantazma me kryetarë të përjetshëm, disa dhe familjare, që kanë mbirë si kërpudha në trupin e kalbur të demokracisë sonë “sui generis”. Jo për ekulibër fjalësh, por ky fenomen vërehet edhe majtas, me të vetmin ndryshim se këta, të mbingarkuar nga pushteti i tepërt, hanë veten e mendësia salianiste e fabrikimit të gjërave të paqena, zhvillohet brenda llojit. Ka shembuj plotë, por rasti i dashuri - urrejtjeve me të ashtuquajturin tigër (prej letre), disa herë ministër në ministritë kyçe, që administronin llokmat më të ëmdha qeveritare, e deri zëvendëskryeministër fuqiplotë, apo në kokën e reformës në shëndetësi, sot është në burg, me ish - ministra e kryetar të bashkive tashmë të abandonuar, janë tipike. Jo se Saliu mbetet pas! Kujtoni ish - presidentin Bamir Topi, që u shndërrua me katapultin e tij mendorë, në “horr” e ish - kryeprokuren Rama, që përnjiheri “kaloi ylberin” e u shndërrua në “lavire bulevardi”, apo ish - kryetarët kukulla të PD - s, Selami e Basha. Kujtoni marrëdhënit dashuri – urrejtje - krim me Metën, po të doni. Merrni, po të doni, edhe dashuri - urrejtjet me amerikën e largët, Anglinë, Greqinë e Europën demokratike. Ashtu si i ngriti në qiell për t’u bërë i besueshëm në udhën e konsolidimit të pushtetit të vet jodemokratik, ashtu edhe “i dërmoi” me grusht të hekurt kur ata ia “çjerrën” maskën. Edhe në “të majtë” shpifin e fabrikojnë sa të duash, bile dy herë: herën e parë duke i dhënë grada e merita të pamerituara individëve pa personalitet, për t’i ngritur në detyrë, e herën e dytë për t’i “zhytur” ata në llumin e vet e për t’i vërtetuar elektoratit se “janë ata, jo ne” të tillë. Rilindja e ka përdor masivisht këtë për “blerjen e kundërshtarëve”, fillimisht duke i “pompuar” deri në qiell për merita, që vetë ata “s’i kishin parë as në ëndërrat e tyre më të diellta”, e pastaj për t’i mohuar krejt “si trupa të sëmurë” në organizmin e shëndoshë të qeverisjes socialiste. Salianizmi ka baza të hershme në shoqërinë tone, e nuk i përket vetëm kësaj periudhe. Kujtoni me radhë ngritjen e goditjen me shpatën e mprehtë të udhëheqësit të kohës të “grupeve armiqësore” në ekonomi, kulturë, ushtri e kudo! Nuk mund të harrohet Mehmeti legjendë e Mehmeti poliagjent, e kështu me radhë, Balluku, Ngjela, Paçrami, Theodhosi etj. Kujtoni “vllazëritë” e shpifura me jugosllavët, rusët e kinezët që u shndërruan brenda natës në armiqësi të përbetuara, vetëm për të ruajtur lulëzimin e pushtetit personal të njëshit.
Kjo mendësi, salianizmi, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Salianji e siguroi “truallin e begatë” për të, edhe të paktën për 1 - 2 vjet. Tani ka ngritjen e kurbës, për të kulmuar si flamur i rremë për vota, në fushatën e ardhshme elektorale e vazhduar, besoj unë, me një kurbë rënëse si justifikim i humbjes së pritshme të forcës politike të cilës ai i përket. Edhe majtas kjo periudhë është “shtrat” i rehatshëm, për të ulur e ngritur jesmenë në prag të fushatës e pas saj. Veçse pa zhurmën e zhvillimeve qendrore se salianizmi është prezent edhe në bashkitë e shumta, sidomos ato të mëdhatë, e kudo pasi nuk është aksident, por mendësi e të dashuruarit pa kusht dhe të luftuarit pa skrupuj moral, në përputhje me humorin e “liderëve”!
Si mendësi popullore, ajo gjen shprehjen e vet më të plotë tek thënia: “Me e pas t’a presin, mos me e pas t’a ngjesin”, ndërsa në luftën “e ftohtë” për pushtet, ku është përdorur si armë më efektive dhe më e paskrupullt, duke shkelë me këmbë edhe rregullat e luftës “së nxehtë”, materializohet në shprehjen: “O me ne, o kundra nesh, rrugë të mesme nuk ka!” Hapja e shoqërisë shqiptare, të shikuarit e vetvetes para të tjerëve, të shijuarit e fryteve të djersës së punës e meritës, jo të mekanizmave të pafe, që s’njohin as Krisht as Muhamed, as Baba, as…, të pranuarit e tjetrit me të mirat e të këqijat që ai manifeston, apo edhe “të luftuarit” kundra tij me mjetet e njohura e brenda rregullave të përcaktuara demokratike të shkruara ose jo, ndoshta mund të jetë çelësi që kjo mendësi të venitet në vijimësi. Por një realitet i tillë, fatkeqësisht, duket utopi në këtë vend, ku të gjithë e gjejmë më të lehtë me i hap udhën të keqes që merr dhenë, e askush nuk kujdeset për ta kultivuar të mirën, që kërkon mund e djersë e shumë kohë të dominojë.
Salianji është në burg, viktimë e kohës së vet. Edhe Saliu është as i lirë, e as i dënuar, atje në ballkon, por salianizmi është i lirë, sepse ai ka ardhur para Saliut e Salianjit, e në se nuk merret seriozisht, rrezikon të mbetet gjatë në shoqërinë tonë.