Dëmi kolateral i Edi Ramës dhe Armando Dukës për Kosovën në rastin e Kampionatit Evropian U21

Opinione

Dëmi kolateral i Edi Ramës dhe Armando Dukës për Kosovën në rastin e Kampionatit Evropian U21

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 1 tetor 2024 Në ora: 08:02
Edi Rama dhe Armando Duka

Armando Duka e realizoi me sukses atë që ishte paralajmëruar disa muaj më parë. Me iniciativën dhe përkrahjen e tij FIFA vendosi që Shqipëria dhe Serbia të organizojnë Kampionatin Evropian 2027 për ekipet kombëtare U-21.  Për herë të parë në histori bëhen bashkë dy vende në këtë event, të cilat ende nuk kanë mundur ta arrijnë paqen midis dy popujve. Po çfarë përfaqëson kjo lidhje e ngushtë midis Shqipërisë dhe Serbisë, tashmë e shtrirë deri te organizimi sportiv i një ngjarjeje kulmore evropiane në këtë fushë?

Duket qartë se kreu i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, zoti Duka, nuk është autori i vërtetë i kësaj iniciative dhe këtij vendimi. Autorët janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Armando Duka është masha, është personi që i është nënshtruar kërkesës dhe presionit politik të të dy të lartpërmendurve, sidomos Ramës. Nuk dihet arsyeja pse zoti Duka u bë mashë e politikës së Beogradit dhe shërbëtorit të Serbisë në krye të ekzekutivit të Tiranës. Megjithatë duhet analizuar me gjakftohtësi se çfarë përfaqëson ky vendim.

Ata që kanë votuar në UEFA për këtë organizim të përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë të eventit sportiv kulmor të atij viti, kanë dëgjuar fjalë paqeje të denja për nobelistë. Psh “Shqipëria e Serbia kanë qenë në konflikt për një shekull dhe tani po arrijnë të pajtohen midis tyre”! Kjo referencë për paqe i ka bërë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s jo vetëm të votojnë, por edhe të ndjehen krenarë që “po i shërbejnë kauzës së paqes në Ballkan e në Evropë”! Ndërkohë Armando Duka e ka ditur dhe e di se e vërteta nuk është kjo. Nëse nuk ia ka thënë shefi i tij, Edi Rama, me siguri që ka patur njerëz të mençëm, midis tyre, Agroni (vëllai i Armandos), të cilët I kanë treguar atij se cilat janë qëllimet dhe të vërtetat e fshehura të kësaj iniciative të trukuar.

Organizimi i kampionatit të futbollit të të rinjve europianë në dy vendet ballkanike Shqipëri-Serbi ka për qëllim izolimin dhe rritjen e presionit ndaj Kosovës për të pranuar narrativën serbe të paqes. Më së paku është përpjekje e rehabilitimit të imazhit të shtetit serb në sytë e opinionit dhe politikës ndërkombëtare. Do të mjaftonte ky impakti i dytë, pra përpjekja për rehabilitimin e Serbisë, që Kosova të shtyhet në dizavantazh në raport me Serbinë në këtë periudhë historike të zgjidhjes së konfliktit në dialog midis këtyre dy vendeve. Ndërkaq organizimi i këtij eventi në dy vendet në veri e në jug të Kosovës ka si qëllim dhe impakt izolimin e saj. Imagjino si ndjehet Kosova në atë kampionat përballë oponionit ndërkombëtar, nëse deri atëherë nuk është vendosur ende paqja midis saj dhe Serbisë? Bota do të thonë: - Po mirë, këta serbët nuk qenkan kaq të këqij e nuk mund të jenë popull e shtet genocidialë, derisa janë kaq miqësorë me shqiptarët e Shqipërisë! D.m.th. bashkëpunimi Serbi-Shqipëri denigron viktimën (Kosovën) dhe jo vetëm rehabiliton agresorin genocidial (Serbinë). 

Rama dhe Duka bënë atë që nuk ishte menduar kurrë: - Legjitimuan “argumentin” serb se “Shqiptarët e Shqipërisë janë njerëz të mirë, ndërsa ata të Kosovës janë njerëz të këqij”! Me këtë sentencë ka operuar gjithmonë diplomacia dhe politika serbe në Beograd, madje edhe akademia e kisha. Para 112 viteve na thonin se “Shqiptarët nuk meritojnë shtet, sepse janë njerëz me bisht”! Pas Luftës së Dytë Botërore, kur kaluan periudhën e miqësisë dhe vëllazërisë me Shqipërinë e Enver Hoxhës, ndryshuan koncept e mendim. Thanë se “Shqiptarët e Shqipërisë janë të mirë, ndërsa këta të Kosovës janë të pëqinjtë”! Kreu i FSHF dhe kreu shqiptar i ekzekutivit të Tiranës e bënë këtë fakt të kryer. Narrativa se “Kosovarët janë të këqij” legjitimohet në Tiranë. Kaq do të mjaftonte që ky kampionat të mos organizohej nga Tirana dhe Beogradi në bashkëpunim të ndërsjelltë.

Pas këtij vendimi do të shtohet gjithashtu një mjet tjetër presioni mbi Kosovën në dialogun e saj me Serbinë. “Shihni se çfarë lidhje të ngushtë ekziston midis Shqipërisë dhe Serbisë! Ju jeni shkaktarët e konfliktit dhe problemi në Ballkan”, do të thonë lobuesit serbë në Bruksel dhe Uashington! Kjo qasje ka filluar prej vitesh ndaj Kosovës. Por tashmë do të jetë edhe më e dukshme dhe më publike. Si i tillë, organizimi i përbashkët i kampionatit botëror të futbollit të të rinjve në Beograd e në Tiranë do ta shtojë dozën e akuzave për “destruktivitet” të Kosovës në raport me marrëdhëniet e saj me Serbinë. Lehtëson njëkohësisht pozitën e serbëve në sytë e ndërkombëtarëve, sidomos të atyre ndërkombëtarëve që nuk duan ta shohin e njohin faktin se megjithatë, Serbia është shkaktari i të gjitha grindjeve, konflikteve, luftërave dhe fatkeqësive ballkanike.

Të moshuarit na tregonin historinë e një fshatari, të cilin disa kapo e kishin injoruar. Ky fshatari i injoruar shkonte rrugës duke folur me vete: “Kush ia bën, ia bën vetes”, thoshte e përsëriste vazhdimisht refrenin e tij. Ne shqiptarët gjithçka ia bëjmë vetes, sepse liderët tanë nuk bëjnë llogari në interesat e kombit e të shtetit, por në interesat e tyre personale. Ata përkujdesen për lavdinë dhe prestigjin e tyre në rrafsh ndërkombëtar, pa u shqetësuar fare për interesat kombëtare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat