“Vëllazëria” mes Edi Ramës dhe Vuçiqit i ka sjell veç dëme Kosovës dhe Shqipërisë

Opinione

“Vëllazëria” mes Edi Ramës dhe Vuçiqit i ka sjell veç dëme Kosovës dhe Shqipërisë

Nga: Faton Mehmeti Më: 1 tetor 2024 Në ora: 10:34
Autori Faton Mehmeti

Në vazhdimësi, Edi Rama ka qenë pro Vuçiqit. Këtë gjë, sado që mundohet ta ironizojë, nuk ia del dot. Faktet janë kokëfortë dhe e demantojnë Ramën, pavarësisht se së fundmi ka shpërndarë një pjesë të fjalimit të tij në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ka folur për pavarësinë e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm dhe si vend me një perspektivë të qartë evropiane.

Rama, në profilin e tij në Facebook, me ironi ka shkruar se “kështu flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës”, duke thumbuar të gjithë ata që në vazhdimësi e kanë kritikuar për raportin e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ndonëse nuk harroi të thoshte se iu dërgon përshëndetje të gjithë atyre në Kosovë që e kanë sharë me nënë e babë si “vëllain e Vuçiqit”, Edi Rama ka pasur mospajtime me Kurtin. Siç dihet, ai ka marrëdhënie thuajse vëllazërore me Vuçiqin, por kurrë nuk ka ndodhur që një kryeministër shqiptar të injorojë, tallet me, dhe urrejë një kryeministër të Kosovës.

Edi Ramës nuk i ka mbetur tjetër veçse të thotë se Kosova është pjesë e Serbisë; s’ka lënë gjë tjetër pa thënë. Ideatori i projektit serbo-rus të njohur si "Ballkani i Hapur", si dhe deklarata se "Veriu është tokë e askujt", janë tradhti e hapur për Kosovën.

Është për të ardhur keq që një kryeministër i Shqipërisë është i kapur nga Vuçiqi, duke u shndërruar në zëdhënës të tij. Sado që Edi Rama mundohet të banalizojë kritikat ndaj tij, e vërteta dhe faktet nuk fshihen. Favoret e tij të mëdha ndaj Vuçiqit nuk janë parë kurrë nga ndonjë politikan shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat