Fushata zgjedhore nuk bëhet me fyerje dhe denigrim të opozitës, por me kulturë dhe ofrim të programeve konkrete..!?

Opinione

Fushata zgjedhore nuk bëhet me fyerje dhe denigrim të opozitës, por me kulturë dhe ofrim të programeve konkrete..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 1 tetor 2024 Në ora: 11:13
Rexhep Elezaj

Ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, partia në pushtet përmes oponentëve të saj ekstremist, madje dhe deputet, ka zënë të dalë me lloj-lloj lëvdatash dhe statistikash matematikore për sukseset e saj “magjike” në zgjidhjen e probleme ekonomike dhe politike në Kosovë, me theks të veçantë për suksesin në shtrirjen e sovranitetit në veri, duke u mburrur deri në neveri, se për tri vite e gjysmë ia paska dalë që t’i dëbojë grupet kriminale serbe nga veriu, se tani situata atje është e qetë, se banorët lirisht mund të lahen në liqenin e Ujmanit, se më në veri nuk ka dinarë serb, as banda kriminale, se serbët lokalë janë çliruar nga tutela e Beogradit dhe Vuçiqit, se jeta në atë pjesë të Kosovës po zhvillohet normalisht, etj., dhe se të gjitha këto “suksese” mund të jenë të sakta, e që të gjithëve do na gëzonin pa masë nëse është krejt e vërtetë.

Mirëpo, asnjë qeveri në botë nuk krenohet dhe nuk lavdërohet për punën dhe kryerjen e obligimeve, të cilat me votën e qytetarëve i ka marrë mbi vete që t’i kryejë ato në interes të tyre dhe shtetit, prandaj del qesharake dhe irrituese lavdi dhe mburrja pompoze e partisë në pushtet, për (mos)kryerjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore 2021, gjegjësisht të obligimeve shtetërore, për të cilat e ka marrë besimin e votuesve shumicë të Kosovës. Andaj nuk ka shkak të lëvdohet dhe as lazdrohet para qytetarëve të vetë, dhe kjo megalomani i bie në sy çdo qytetari të Kosovës.

Partia në pushtet nuk duhet të krijojë frymë dhe atmosferë linçuese dhe përjashtuese në opinion kosovar, frymë e cila ka zënë ta ngulfas mendimin dhe konkurrencën e lirë dhe pluraliste, duke hedhur gurë e dru mbi opozitën, duke e akuzuar atë me lloj-lloj shpifjeve, akuzave dhe nënçmimeve denigruese; si opozitë e coftë, si dorë e Serbisë, si antikombëtare, si grup hajnash dhe njerëz të korruptuar, si parti të dobëta politike, si të paafta për ta udhëhequr Kosovën, etj., duke ndërtuar narracionin, se partia në pushtet është e pamposhtur, se nuk ka kush ta mund atë, se kjo opozitë e ka shkatërruar vendin për 20 vitet e kaluara, se me hajna nuk ka shtet, e deri në akuza për tradhti kombëtare, sidomos partinë e presidentit Ibrahim Rugova, LDK-në, si parti pro-jugosllave, pro-serbe, AAK-në si parti hajnash dhe klan familjarë e Haradinajve, PDK-në si parti e ish klanit PRONTO, e cila ka bërë krime në Kosovë, etj etj..!

Me këtë frymë dhe diskurs anti-demokratik, me një narracion të këtillë armiqësorë me tone degjeneruese ndaj partive opozitare, sikur të ishin ato parti të Serbisë ,e jo pjesë e shtetit të ri të Kosovës, nuk ka asnjë dyshim, se spektri politik në Kosovë do merr karakter dhe cilësi të një shoqërie, e cila prodhon vetëm hajna, kriminelë, ekstremist dhe militant partiak, prania e të cilëve garës politike për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do t’i jep pamje të një shteti joserioz, mafioz, të paaftë për ta qeverisur veten, të një shteti dhe shoqërie që nuk mund të organizon jetën mbi baza dhe vlera evropiane, andaj si i tillë nuk meriton të bëhet anëtare i asnjë organizate ndërkombëtare, as në BE-së, as në NATO-s dhe në asnjë forumi botëror dhe ndërkombëtar.

Fushata zgjedhore duhet të ketë frymë të kulturuar, garë korrekte dhe pa ofendime, pa shkarravitje nëpër biografitë personale dhe familjare të askujt, duhet të jetë garë mes programesh dhe vizionesh për të ardhmen e Kosovës dhe popullit shqiptar në mileniumin e 50 viteve të ardhshme, dhe jo një garë demonësh në një arenë luftimesh të pa shpirt dhe të pa ndjenja atdhetare, sepse Kosova është tokë dhe shtet i të gjithë shqiptarëve, pozitë – opozitë, ngase nuk ka familje shqiptare e cila nuk ka i dhënë atdheut të saj, Kosovës martire, një, deri në 56 anëtarë të familjes për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Kështu që, të menduarit dhe sjellja se vetëm një partie politike në Kosovë i takon e drejta e monopolit mbi shtetin dhe popullin, siç veronte dikur diktatori Enver Hoxha me Shqipërinë komuniste, kjo logjikë dhe ky mentalitet nuk ka më vend në Kosovë, sado që dikush pretendon se po e bën më të mirën për popullin e saj martir.

Andaj, ata të cilët këto ditë po krijojnë në Kosovë këtë frymë dhe këtë diskurs antikombëtar, duke folur dhe trilluar, se partia dhe shteti jam unë, se unë jam shteti dhe partia, ky lloj politikanësh dhe pushtetarësh, duhet të largohen vetë nga pozitat që mbajnë aktualisht, sepse populli dhe Kosova janë dhe gjithmonë do jenë mbi çdo individ, mbi çdo politikan dhe mbi çdo interes tjetër personal dhe grupor, pa marrë parasysh se për kënd bëhet fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat