Kush është fajtor për mos - fillimin e bisedimeve për në BE Bullgaria dhe BDI-ja po e VLENI jo

Opinione

Kush është fajtor për mos - fillimin e bisedimeve për në BE Bullgaria dhe BDI-ja po e VLENI jo

Nga: Ejup Berisha Më: 1 tetor 2024 Në ora: 17:10
Autori Ejup Berisha

Një çështje është e paqartë dhe ajo është se unë nuk po arrij të kuptoj logjikën e palogjikshme të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e cila për mos-suksesin e fundit që vendi ynë të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, e akuzon koalicionin qeveritar shqiptar VLEN.

Përsëris, BDI për këtë çështje e akuzon VLEN-in, por parashtrohet pyetja se a ka të drejtë ta bëjë këtë akuzë ndaj kundërshtarit të saj politik, BDI. Përgjigja është shumë logjike: jo, BDI nuk ka absolutisht të drejtë të bëjë një akuzë të tillë. Për të akuzuar dikë për diçka në aspekt negativ, kjo duhet të bëhet me fakte, dëshmi dhe argumente konkrete, reale dhe bindëse. E BDI këto nuk i ka. Kjo parti, si duket, këtë akuzë ndaj VLEN-it e bën nga inati dhe hidhërimi personal ndaj VLEN-it, e jo sepse është e brengosur dhe e interesuar për integrimin real dhe të vërtetë europian të vendit.

Ok, ne kemi probleme serioze me integrimin europian; dikush po e frenon me qëllim procesin që është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për qytetarët në përgjithësi. Këtu duhet të hulmtohet se kush po e frenon procesin tonë integrues. Por sa i përket rastit të fundit, faj aspak nuk ka VLEN-i.

Edhe pse e di mirë këtë çështje, ja për një çast edhe unë do të kaloj në anën e BDI-së dhe lidhur me mos-suksesin në rrugën e integrimit të vendit tonë në BE, fajin do t'ia lë VLEN-it. VLEN, më dëgjo, ti je fajtore që vendi nuk mori dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Edhe pse ky duhej të kishte filluar më herët, por meqë ju jeni në pushtet, kjo nuk ndodhi. Kështu që, për këtë arsye, edhe këtë herë ne nuk arritëm të fillojmë bisedimet për t'u integruar në BE.

Pra, integrimi i vendit në Bashkimin Europian ishte një premtim i kahmotshëm i të gjitha subjekteve politike të vendit dhe kjo gjë fatkeqësisht nuk po ndodh. Së fundmi, dritë të gjelbër për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e saj në BE mori Republika e Shqipërisë. Edhe pse ky shtet në këtë rrugë ishte bashkë me vendin tonë. Dhe ja, ajo e mori dritën e gjelbër, ndërsa vendi ynë jo. Kjo gjë ka ndodhur për fajin real dhe konkret të dikujt. Sipas BDI-së, kjo ka ndodhur jo për ndonjë gjë tjetër, por për fajin e VLEN-it.

Por para se unë t'ia adresoj këtë akuzë VLEN-it, do të them se edhe BDI ka faj për mos-suksesin e integrimit europian të vendit. Dhe në krahasim me fajin e VLEN-it lidhur me këtë çështje, faji i BDI-së është dhjetë herë më i madh se i subjektit të tanishëm qeveritar shqiptar. Pra, VLEN-i ka tepër pak faj, apo një grimcë fare të padukshme, ndërsa faji i BDI-së është sa një elefant.

Me këtë rast, BDI-në do ta pyes se cili subjekt ka qenë 22 vite në pushtet këtu te ne, VLEN-i apo ajo vetë. Përgjigja logjike për këtë çështje për BDI-në e palogjikshme është se 22 vite në pushtet ka qenë vetë ajo, e jo VLEN-i. Dhe BDI, ku është faji i VLEN-it këtu, unë nuk po e shoh askund, e ju po më intereson ta di se ku e shihni atë.

Prandaj, duhet thënë se faji për mos mundësinë e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE është ekskluzivisht i të gjitha subjekteve politike, por jo edhe i VLEN-it. Ky faj, pra, i takon plotësisht vetëm subjekteve që i përmenda më lart, por edhe BDI-së, pasi ky subjekt politik për më shumë se dy dekada ka qenë në pushtet dhe nuk bëri asnjë punë, vepër dhe lëvizje të duhur e të përshtatshme që vendi të mund të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE.

Pra, BDI-së, përveç fajit, i takon edhe përgjegjësia, për shkak se ajo nuk bëri asgjë që vendi të mund pa pengesa të fillojë bisedimet me BE-në për t'u bërë shtet anëtar i saj. Pra, BDI nuk ka vetëm faj, por ky subjekt politik njëkohësisht bart edhe përgjegjësi, pasi, siç përmenda, 22 vite ka qenë pjesë e pushtetit legjislativ, ekzekutiv, por edhe rekrutues i gjykatësve, prokurorëve, policëve, por edhe i administratës shtetërore dhe publike. Dhe në vend që të kemi reforma që do ta përmirsonin punën e institucioneve shtetërore dhe publike, me të cilat më lehtë dhe më herët do t'i hapeshin dyert vendit për anëtarësim në BE, ato ngelën të mbyllura për RMV-në dhe atë për fajin e BDI-së dhe të gjitha subjekteve të tjera politike, sepse këto vetëm formalisht i përmendnin reformat, por ato nuk i zbatuan asnjëherë në praktikë.

Prandaj, BDI që të ketë të drejtë që ta akuzojë dikë tjetër, në rastin konkret VLEN-in, së pari duhet t'i bëjë një analizë qasjes së saj ndaj procesit eurointegrues të vendit dhe obligimeve që ka pasur ky subjekt politik gjatë kohës që ka qenë pjesë e pushtetit qendror. Nuk është korrekte që për lëshimet dhe dobësitë personale të akuzohen të tjerët. Subjektet serioze politike së pari e akuzojnë veten e tyre dhe më pas edhe të tjerët.

Edhe një herë, pra, fajtori kryesor sa i përket mos mundësisë së fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE është BDI, jo vetëm për shkak të arsyeve objektive, por më shumë për shkak të arsyeve subjektive. Pra, procesi i integrimit europian të vendit nuk ka qenë vetëm çështje dobësish dhe lëshimesh, por ai ka qenë dhe është shumë më shumë çështje tendencash të shumë faktorëve dhe subjekteve, dhe atë për ta mbajtur vendin sa më larg Bashkimit Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat