Letër e hapur Radio-Televizionit të Kosovës: Kërkesë për hapjen e tekstit televiziv në programin televiziv të Kosovës

Opinione

Letër e hapur Radio-Televizionit të Kosovës: Kërkesë për hapjen e tekstit televiziv në programin televiziv të Kosovës

Nga: Beqir Elshani Më: 2 tetor 2024 Në ora: 10:39
Foto ilustrim

Kaluan 25 vjet ç’prej se RTK filloi transmetimin e lajmeve si brenda, ashtu dhe jashtë atdheut. Dihet që RTK është dritare kryesore e vendit tonë. Prandaj uroj që të vazhdojë programin e saj për mirëqenien e mbarë popullit të Kosovës. Kohët e fundit janë shtuar edhe disa kanale të reja televizive për transmetimin e programit në gjuhën shqipe. Gjithashtu edhe Televizion Shqiptar në Tiranë me program dokumentar dhe artistik i lidhë gjithë shqiptarët e mërgatës pranë ekranit televiziv për informimin e ngjarjeve në vendlindje dhe në botë.

Unë quhem Beqir Elshani, lindur në Therandë në Kosovë, kurse sot jetoj në Malme të Suedisë. Unë jam i shurdhër, para tri dekadash e kam humbur dëgjimin dhe tani komunikoj me anën e gjuhëshenjës suedeze. Prandaj si njëri nga qytetarët e shurdhër kërkoj që në programin televiziv të bëhet komentimi tekstual për nevojat e qytetarëve me të meta në dëgjim. Do të ishte kënaqësi për qytetarët me të meta në dëgjim që të transmetohen lajmet me anën e tekstit, sidomos lajmet kryesore të mbrëmjes, ngjashëm siç veprojnë të gjitha qendrat televizive në Evropë. Jo vetëm lajmet me tekst, por do të ndihmonit edhe me zbatimin e TV-tekstit kryesisht në filmat dokumentarë artistikë, qofshin edhe në gjuhën shqipe. Duhet pasur parasysh se gjuhëshenja për të shurdhët është gjuhë parësore, kurse gjuha shqipe është gjuhë e dytë. Prandaj Radiotelevizioni i Kosovës nuk duhet të jetë i errët për personat me dëgjim të dëmtuar. Kjo formë e paraqitjes së lajmeve tekstuale do të ndikonte në emancipimin kulturor për njerëzit me të meta në dëgjim. Personat me dëgjim të ulët duhet të jenë të lirë gjatë komunikimit me anën e gjuhëshenjës së tyre, saqë të nxitin edhe të tjerët për të mësuar këtë gjuhë pa zë. Hapja e programit informativ për të shurdhrit dhe personave me dëgjim të ulët do të thotë edhe emancipim kulturor në mjedisin shoqëror

Gjatë përcjelljes së programit të televizionit shqiptar të gjithë anëtarët e familjes informohen, kurse të shurdhrit mbesin të painformuar. Nëse individi është i shurdhër nuk do të thotë se është i marrë, përkundrazi është i arsyeshëm. Prandaj me futjen e tekstit në programin televiziv Raditelevizioni i Kosovës do të tërheqë gjithë shikuesit me të meta në dëgjim. Do të ndihmonit në ngritjen e procesit edukativ dhe kulturor të shurdhërve që të lidhen me të afërmit e tyre si dhe me rrethin shoqëror; si rezultat i së cilës do të njihen me ngjarjen dhe realitetin. Të gjithë qytetarët do të mësohen me një gjuhë të re pa zë. Pikërisht unë kam arritur të mësoj gjuhën suedeze më shpejt dhe më bukur falë literaturës dhe leximit të filmave artistikë me tekst.

Shpresoj se kërkesa ime do të shqyrtohet në të mirën e personave me dëgjim të dëmtuar. Hapi i juaj drejt realizimit të programit televiziv me tekst do të jetë një hap përparimtar për banorët e vendit.

Me nderime!

Beqir Elshani

Therandë, 2 tetot 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat