Po u nënshtruan kësaj radhe demokratët, nuk do të ketë më opozitë!

Opinione

Po u nënshtruan kësaj radhe demokratët, nuk do të ketë më opozitë!

Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi Më: 2 tetor 2024 Në ora: 15:02
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Policia ka paditur në SPAK 23 deputetë të opozitës! Kryetarja e Kuvendit u ka ndaluar pagën të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike. Retorika e kreut të mazhirancës është ekstreme armiqësore dhe fyese. Edi Rama nxjerr nga goja kundër opozitës gjithçka që njerëzit e nxjerrin nga prapanica! Arroganca dhe dhuna e pushtetit të narco-shtetit kundër opozitës thellohet e shtrihet vazhdimisht në të gjithë perimetrin e saj. Ka mjaftuar për këtë djegja e nja dhjetë a pesëmbëdhjetë karrigeve të parlamentit dhe një këmbë karrigeje e hedhur në drejtim të mamicës, Spiropali.

Nga ana tjetër ambasadorët dhe diplomatët që mbajnë në këmbë narco-shtetin në Shqipëri dolën njëri pas tjetrit dhe dënuan “dhunën në parlament”! Asnjë prej tyre nuk u mor me shkaqet. Nuk përmendi askush arrestin politik të liderit demokrat Berisha ose burgosjen për agjitacion e propagandë të deputetit Salijani. Asnjëri prej këtyre ambasadorëve nuk ka folur për uzurpimin e të gjitha pushteteve nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Askush prej tyre nuk ka thënë një fjalë të vetme për gjuhën plot hale që kryeministri përdor kundër Sali Berishës dhe deputetëve demokratë. Asnjë nuk ka shqiptuar emrin e Olsi Ramës e të Taulant Ballës, edhe pse ata përmenden në përgjimet e shteteve të tyre. Askush nuk tha se ligji për familjan e e Olta Xhaçkës është korruptiv. Kurrkush prej ambasadorëve nuk denoncoi trafikun e drogës dhe investimin e parave të pista.

Portet e aeroportet janë shndërruar në arena të kapërcimit të kokainës e heroinës si dhe të parave të pista për pastrim. Policia nuk ka më raporte për këtë, sepse ka marrë detyrë ta mbrojë narco-shtetin. Mafia ndërkombëtare është instaluar në Shqipëri. Ambasadorët heshtin. Narco-shteti vepron si në një perandori mafioze dhe sërishmi asnjë fjalë. Opozita dhunohet në ekstrem, ndërsa ambasadorët mbrojnë dhunuesit. E gjitha për një arsye të vetme: - Duan që Edi Rama të kurorëzohet si mbret, perandor a padishah, madje me koston e eleminimit të pluralizmit në Shqipëri. E nga ana tjetër na përmendin demokracinë në vendin tonë. Na thonë se “në demokraci dialogu është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve”!

Në këtë kakofoni deklarimesh e pohimesh, sharjesh, fyerjesh e kërcënimesh kundër opozitës e pluralizmit shihet qartë se askush nuk e do dhe nuk e mbështet opozitën, përveç shqiptarëve. Shqiptarët në këto tri vite betejë të demokratëve për identitetin e tyre kanë kuptuar tashmë se nuk janë ndërkombëtarët ata që mund t’ua zgjidhin atyre problemet. Jemi ne zotët e këtij vendi dhe ne duhet ta zgjidhim konfliktin që këmi me narco-qeverinë. Ndërkombëtarët kur mbrojnë narco-qeverinë e Edi Ramës në fakt japin një ndihmë të pakursyer për demokratët dhe gjithë popullin opozitar. Sepse nuk krijojnë iluzionin për të besuar se dikush nga jashtë do të na e dhurojë lirinë.

Liria jonë është produkt i vetes sonë. Liria është çështje e integritetit dhe dinjitetit personal. Nëse e presim nga dikush tjetër, qofshin ata edhe miqtë tanë, ajo nuk do të vijë kurrë. Edhe nëse vjen, do të ofrohet me pikatore. Prandaj është koha e lirisë. Pra është koha e përballjes me mizorinë, makutërinë dhe arrogancën e mafies në pushtet, të shtrirë edhe në segmente të diplomacisë ndërkombëtare. Eshtë koha e rezistencës dhe e padëgjushmërisë. Duhen hapur sytë dhe mbyllur veshët. Nëse SPAK apo policia e shtetit prekin qoftë dhe një deputet të opozitës, atëherë rezistenca duhet shumëfishuar. Nëse bëhet qoftë dhe një hap prapa, më mirë dorëzohuni, siç dorëzohej Lulzim Basha, sa herë e kërcënonin me dosjet e krimit.

Kthim prapa nuk mund të ketë. Nëse kthehemi prapa, atëherë do të shuhet edhe vëtë opozita dhe Partia Demokratike. Nuk do të ketë më një organizëm politik që i bën rezistencë narco-shtetit. Për pasojë shqiptarëve do t’u shuhet ajo pak shpresë që u ka mbetur për ta ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri. Narco-shteti dhe disa ambasadorë që e mbrojnë atë i shërbejnë narrativës së shpopullimit të Shqipërisë nga shqiptarët dhe popullimit të saj nga nacionalitete e kombe të tjera. Sepse në atë mënyrë mbrojnë pasuritë e grabiitura të shqiptarëve. Por opozita është aty për t’i shkatërruar këto misionë politike anti-shqiptare. Më 7 tetor nuk duhen djegur vetëm karrige dhe as vetëm kërpudha në oborrin e Edi Ramës. Duhet shkuar në Surrel për të zbuluar e rikthyer thesaret e vjedhura e të grabitura të shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat