Kosova është njohur nga 117 shtete të botës. Izraeli është shteti i fundit që ka njohur Kosovën, njohje kjo që erdhi si pjesë e marrëveshjes me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Njohjet kanë ngecur që kur Hashim Thaçi promovoi idenë e ndryshimit të kufijve. Askush nuk mund të njihte pavarësinë derisa u vu në pikëpyetje ajo. Këtë gjë e përdori Serbia për propagandë, e cila rezultoi vetëm me çnjohje. Albin Kurti e ka të trashëguar këtë barrë, pasi ende nuk është përmbyllur marrëveshja me Serbinë. Njohjet kanë ngecur, janë pezull dhe po presin se çfarë do të ndodhë me statutin e Kosovës.
Por, Kosova duhet të hartojë një ekip me njerëz nga të gjitha fushat që kanë emër në botë, për të promovuar Kosovën dhe në anën politike të ndërmarrë turne në vendet që ende hezitojnë. Ndryshe, do të jetë vështirë të ketë njohje.
Natyrisht, derisa nuk përmbyllet marrëveshja me Serbinë, do të jetë vështirë të ketë njohje. Me idenë e shkëmbimit të territorit, u vu në pikëpyetje statusi i Kosovës. Pra, Kurti dhe Kosova po vuajnë pasojat e Thaçit.
Të gjithë ish-kryeministrat dhe ish-ministrat e jashtëm të Kosovës në periudhën 13-vjeçare të kaluar, asnjëri nuk ka qenë diplomat i karrierës, asnjëri nuk ka qenë ndonjëherë ambasador dhe as nuk kanë punuar kurrë në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë. Edhe kjo është ndër arsyet, si dhe tezat për korrigjim dhe ndarje, që kanë frenuar njohjet, me çka Kosova humb mundësinë për të qenë pjesë e OKB-së dhe shumë përfitime të tjera me kyçjen e saj.