Takimet e intervistat me Edi Ramën nuk t’i shtojnë vlerat!

Opinione

Takimet e intervistat me Edi Ramën nuk t’i shtojnë vlerat!

Prof.Dr.Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi Më 6 tetor 2024 Në ora: 20:01
Edi Rama dhe Blerta Kllokoqi-Rugova

Blerta Kllokoqi-Rugova, e reja e presidentit historik, Ibrahim Rugovës, ka dhënë një intervistë në podcastin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Të jem i sinqertë, marrëdhënia e njerëzve të Rugovës me Edi Ramën më trishton, sepse ky i fundit ka qenë historikisht dhe vazhdon të jetë një anti-Rugovë i pariparueshëm dhe nga ana tjetër politika e tij nuk përmban asgjë nga filozofia e ish-presidentit të Kosovës në drejtimin e shtetit. Thjesht një fakt: - Ibrahim Rugova e homogjenizoi popullin e Kosovës si askush tjetër në historinë mijëvjeçare të shqiptarëve. Edi Rama e shpopulloi Shqipërinë po ashtu si askush tjetër në historinë e saj, sipas rekomandimeve të Vasa Çubrilloviq. Janë dy të kundërta që kurrë nuk do të konvergojnë me njëra-tjetrën. Dhe së dyti, është Edi Rama ai që ka bllokuar që prej vitit 2006 vendosjen e statujës së Ibrahim Rugovës në Tiranë.

Por është e kotë të flas për këtë temë. Në Kosovë ka një përulje deri në gjunjë përpara autoriteteve të Tiranës, pavarësisht se çfarë ata përfaqësojnë ata në vlera dhe në raport me interesat e kombit tone. Nuk bëjnë përjashtim as njerëzit e Ibrahim Rugovës, ndryshe nga si vepronte ai vetë. Por këtë koment e nisa për tjetër gjë. Edi Rama në këtë debat interviste me zonjën Kllokoqi-Rugova paska deklaruar se “Për mua është një parakusht absolut, për çdo vend të vogël, pavarësisht interesit dhe pozicionit që ndodhet, që të ketë miq”. Këtë përgjigje ai e ka dhënë pasi e intervistuara prej tij ka thënë se është e shqetësuar për raportin e Kosovës me SHBA-të, duke atakuar së paku para njeriut jo të duhur kryeministrin e vendit të saj, Albin Kurti.

Nuk është aspak interesant fakti që Blerta dhe Rama i kundërvihen politikave të Kurtit. Por është shumë interesante që kjo ndodh para njeriut që ka amnistuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ka izoluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, aq sa ka mundur ta izolojë. Dhe me këtë intervistë e qëndrim të saj e reja e Ibrahim Rugovës në një farë mënyre përpiqet t’i besojë dhe ta amnistojë mikun e ministrit të Vuçiq, Edi Ramën. Vuçiq ishte ministër kur Milosheviçi e mori peng në Beograd Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Nuk e di nëse Blerta asokohe ka qenë pjesë e familjes. Por kjo pak rëndësi ka. Të paktën ajo e di se Edi Rama ka pakte anti-shqiptare dhe anti-Kosovë të panumërta me Beogradin. Mjafton ky fakt që të mos i shkonte në intervistë.

Ndërsa sa i përket marrëdhënieve Kosovë-SHBA, vërtet ato kanë ndryshuar nga koha kur Thaçi dhe Rama donin ta ndanin territorin e Kosovës. Por kjo po ndodh se amerikanët nuk janë mësuar që dikush në Kosovë të thotë ndonjëherë „jo, kjo nuk bën“! Se diçka nuk bën, se diçka nuk është mirë, një gjë e tillë thuhet jo vetëm midis miqsh, por edhe midis vëllezërish. Këtu bëjnë përjashtim vëllezërit vllehë Rama-Vuçiq. Por problemi është se diplomatët amerikanë nuk durojnë kundërshti. Sipas tyre, „meqë ne jemi të mëdhenj, meqë ne ju çliruam nga sundimi dhe genoocidi serb, atëherë ju duhet të bëni për gjithçka e për çdo gjë atë që ju themi ne“! Të më thotë dikush nëse do ta pranonte një kusht të tillë një vëlla i vogël nga një vëlla i madh?! Jam i sigurt se jo. Atëherë ku qëndron e keqja, nëse Kurti jep mendime alternative kur bisedon me amerikanët? 

Nga ana tjetër deklarata e Edi Ramës është krejt hiporizi. Marrëdhëniet e SHBA-ve me zotin Kurti e sidomos me zonjën Osmani janë njëmijë herë më të mira sesa me Edi Ramën. Keni parasysh: - Vitin e kaluar Rama me një servilizëm pro-amerikan të paparë e drejtoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, duke debatuar si Enver Hoxha me ambasadorin rus në OKB. Aty ishte i pranishëm edhe sekretari Blinken. Por Rama nuk mundi të bëjë qoftë edhe një shkrepje fotografie në krah të Blinkenit. Kjo ndodhi, ose se Blinken nuk ka pranuar ta takonte, ose se ai e ka takuar, por ka refuzuar të bënte foto. Edhe sikur të ketë refuzuar një foto me Ramën në SHBA, është e mjaftueshme për të thënë se kryeministri i Shqipërisë është de facto non-grata në Uashington. Shkaku dihet. Lidhet me korruptimin e McGonigal. Ndërsa këtë vit, veç fotos ceremoniale familjare me presidentin, nuk pasoi me asnjë takim, as me Juri Kim!

Për këtë arsye besoj se Rama me deklaratën e tij ka dashur të hiqet ai që nuk është në fakt, pra si “mik” I SHBA-ve. Ah po. Nuk duhet anashkaluar fakti se ai u takua me Alex Sorosin dhe u shfaq krah tij. Pra u paraqit para shqiptarëve si anëtar i një sekti të caktuar ideologjik e pervers. Por jo si burrë shteti në krah të burrave të shtetit. As kësaj radhe nuk e takoi sekretarin Blinken, pavarësisht se atë e takuan Vjosa Osmani, Donika Gërvalla dhe të tjerë autoritete të Kosovës. Çka do të thotë se „Kosova fle rehat, pasiqë ka në krah një mik të madh si Amerika“!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat