Opozita për 20 vjet pensionet 70 euro, Albini për katër vjet i rriti 50 euro

Opinione

Opozita për 20 vjet pensionet 70 euro, Albini për katër vjet i rriti 50 euro

Nga: Faton Mehmeti Më: 7 tetor 2024 Në ora: 17:49
Autori Faton Mehmeti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti. Rritja do të vlejë nga ky muaj dhe përfshin: pensionin bazik të moshës, pensionin kontribues të plotë dhe parcial, pensionin e aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensionin për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensionin familjar, pensionin invalidor të punës dhe pensionin e parakohshëm për punëtorët e Trepçës, etj.

Pavarësisht këtij lajmi të mirë, opozita përsëri ka diçka për të thënë, duke e quajtur vendimin fushatë për vota. E njëjta opozitë bën vazhdimisht presion për rritje, kur ato rriten e përqesh, kështu që është e vështirë të kuptohet pozita e tyre. Para ardhjes së Kurtit, pensionet ishin 70 euro; brenda një mandati ato u rritën me nga 50 euro në muaj, duke shtuar këtu edhe dhënien me nga 100 euro në muaj.

Të kujtojmë se pas luftës, Kosova mbeti pa sistem pensional dhe kontributet e punëtorëve në fondin pensional humbën bashkë me mijëra dokumente që do të dëshmonin përvojën e tyre të punës, duke i siguruar një pension më të lartë pas moshës 65-vjeçare. Prej vitit 1999 deri në vitin 2002, misioni mbikëqyrës i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, si administrues i përkohshëm, nisi një program ndihme sociale që përfshinte shuma mujore prej 25 eurosh për disa kategori, varësisht nga nevojat e tyre, përfshirë të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare.

Sistemi i ri u bazua në tri shtylla: Shtylla e parë përbëhet nga një pension bazë i pleqërisë dhe universal. Për ta marrë këtë pension, mjafton që përfituesi të jetë 65 vjeç e tutje dhe shtetas i Kosovës. Shtylla e dytë është pensioni i obligueshëm, me kontribute të përcaktuara nga kursimi, ku të gjithë banorët e Kosovës kontribuojnë me 5% nga paga bruto dhe një kontribut prej 5% nga punëdhënësit. Ndërsa, shtylla e tretë parasheh pensione shtesë ose vullnetare. Përfitimet nga këto dy shtylla, të gjithë të pensionuarit i marrin si shumë shtesë mbi pensionin bazik deri në shpenzimin e tyre.

Nga 25 euro në vitin 2002, pensioni bazë ka lëvizur ndër vite në 50, 70, 95, 100 dhe së fundi 120 euro. Çfarë kanë bërë të gjithë së bashku për 20 vjet, Albini ka bërë pothuajse aq për një mandat katërvjeçar. Është e vërtetë se nevojat janë të mëdha, por kaq janë mundësitë pa prishur sistemin e qëndrueshëm financiar. Brenda mandatit tjetër, përsëri pritet të ketë rritje të pensioneve dhe pagave në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat