Gjykata Speciale e Hagës po kërkon gjilpërën nëpër ish errësirën e robërisë tonë!

Opinione

Gjykata Speciale e Hagës po kërkon gjilpërën nëpër ish errësirën e robërisë tonë!

Nga: Hamdi Rafuna Më: 11 tetor 2024 Në ora: 21:40
Gjykata Speciale e Hagës

Koncepti dualist përmbrenda Gjykatës Speciale në Hagë është prezent edhe tek njerëzit në Kosovë! Dikush mendon se atje po dënohen njerëzit që e deshtën më së shumti lirinë dhe vendin!

Pjesa tjetër uron që të zbardhen rastet e vrasjeve “që u bënë” kundër anëtarëve të LDK-së!

Ndërsa Serbia vetëm fërkon duart dhe shpreson se vërtetë do të dënohet UÇK-ja!

Edhe pse ndjehemi të lirë në këtë Kosovën e çliruar nga shteti i Serbisë, prapseprap jemi të rrezikuar nga politika e botës serbe, sepse nuk mungojnë sulmet e drejtëpërdrejta, kërcënimet dhe shantazhet e politikës raciste të kësaj bote. Sulme të hapura ndaj pavarësisë së shtetit tonë, akuzat për fajësinë e shqiptarëve gjatë kohës së para luftës, në luftë  (serbët e quajnë konflikt) dhe krijimi i gjykatës speciale vetëm për shqiptarët. E tanë kjo hallakamë shoqërohet me egoizmin dhe mentalitetin e politikës tonë të shkapërderdhun nëpër bastionet e lakmisë dhe interesit për pushtet!

Me thënë të drejtën gjyqësia e Hagës duket se është kah ushqehet me  trillimet e shtetit të gjenocidit dhe argatëve të tyre.

Thënë shkurt, ne shqiptarët, viktima ishim dje, por edhe sot ndjehemi viktimë e të njëjtës politikë djallëzore pansllave, sepse këta shpirtëzinjë të globit nuk i njohin ligjet dhe rendet e njerëzisë ndërkombëtare. Dje me ndihmën e Rusisë dhe pesëshes së Europës shtrigë, ua shitën mjaftë shtrenjtë perëndimorëve “strategjinë e një marrëveshje t’përparimit të raporteve Kosovë-Serbi” për të vazhdua nëpër dekada të tëra të  ushqejnë ëndrrat e Serbisë se më në fund edhe gjyqi i Hagës do të dënoj të bëmat e shqiptarëve, gjegjësisht UÇK-së.  Ne shqiptarët  të gjithë ishim “terrorist” për Serbosllavinë  edhe përpara daljes në skenë të UÇK-së? Faktet flasin për burgosjet dënimet dhe vrasjet e shqiptarve, mbrenda dhe jashtë vendit, por edhe në armatën e ish Jugosllavisë! Ndërsa, sot flitet se që të dënohet UÇK-ja, është kjo vetëm një ëndërr e keqe e jona, sepse me neve, dënohet edhe ndihma e Amerikës, ndërsa njerëzit tanë po dënohen në Hagë me nga shumë vite burg. Me t’madhe thuhet se është gjyqësi e shtetit të Kosovës, por e vërteta frymon pak më ndryshe sepse mijëra faqe për të gjithë ushtarët e UÇK-së të përmbledhura nga të gjitha shkrimet, intervistat dhe botimet për luftën çlirimtare janë duke u përdorë si dokumente të kombinuara me aktakuzën po nga kjo gjykatë. Duket sikur në harmoni me dëshirën e politikës serbe po rrjedhin gjërat,  kurse Serbia në të njëjtën kohë nuk len gur pa lëvizë për të bllokua përparimin e shtetit tonë mbrenda dhe në arenën ndërkombëtare. Ky avantazh i politikës së gjenocidit edhe ndaj drejtësisë është një vrimë e zezë për botën demokratike, para të cilës ishin  mbyllë sytë edhe në heret në raportin e D.Martit! Edhe pse u harrua ky raport i porositur, askush nuk u muer në përgjegjësi për skandalin në fjalë!

Pse nuk mjafton përceptimi praktik dhe teorik i Serbisë ndaj të gjitha krimeve në ish Jugosllavi, pët të cilat (pa dallim se ku kanë ndodhë) ndjehen si heroizma nga shteti i Serbisë? Përkulja dhe përkëdhelja e sotme që i bëhet të njëjtës Serbi nga Europa dhe Perëndimi, fatëkeqësisht në dëm të Kosovës, por në emër të luftës së Ukrainës duket se është një vazhdimësi e gabuar e të njëjtës politikë ndërkombëtare.

Sa u bën përshtypje kjo politikë në raport të ligun apo viktimën kur tanë kohën lexojnë dhe shfletojnë faqe për faqe aktakuzat e përpunuara në Serbi, ndaj shqiptarëve që e deshtëm lirinë? Po sikur të ishte në jetë i madhi Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorët e luftës për liri, unë besojë se edha ata do të përballeshin me Hagën!

A janë në dijeni zotrinjët e Hagës sepse për politikën e Serbisë nuk ka shqiptarë t’gjallë dhe t’mirë?

Vetëm shqiptarët e vdekur i numrojnë për njerëz t’mirë, për faktin se s’kan mundësi të’u bëjnë aktakuza!

Edhe në Rusinë e Putinit kështu trajtohet i tanë populli dhe ushtria ukrainase të cilët e kundërshtojnë robërimin dhe poshtrimin e Kremlinit. 

Kam përshtypjen se Gjyqi i Hagës nuk do arrin dot të mbyllë ato vrimat e zeza të bashkëpunëtorëve të vetë nga rradhët e Umnikut dhe Eulexit, përderisa përkdhelin dëshirën hakmarrëse të Serbisë! Ky fenomen është kulaq i gatuar nga bota e krimit pansllav, prandaj nuk është mirë të konsumohet pikërisht nga drejtësia ndërkombëtare. Në emër të përparimit të raporteve Kosovë-Serbi, kjo drejtësi duhet njëherë e mirë të dalloj ujkun nga qengji, por jo të turpëroj vetëveten dhe emërin kësaj drejtësie! E ardhmja do të vërtetojë shumë gjëra nga të gjitha dyshimet, sepse sot nuk po mbetet askush pa u shantazhua qoftë për të mirë dhe për të keq! Edhe në vendet e Natos dhe BE-në, dita ditës, dikush nga anëtarët  e këtyre meseve, ngre gishtin e mesëm në shenjë kundështimi për demokracinë.

Përderisa ne shqiptarët e Kosovës që ishim viktimë në një luftë të pa barabartë, akuzohemi pse u munduam të mbrojmë pragun e shtëpisë dhe familjen me aq fuqi sa kishim, ende përjetojmë ngacmimim dhe përndjekjen nga këto aktakuzat e gatuara në Serbi, për faktin se nuk deshtëm të jetojmë në robëri!

A nuk mjafton shembulli i Putinit ndaj shtetit dhe popullit të Ukrainës për të kuptua dyfish djallëzinë e Serbisë?

-Simbolika e dulizmit të kësaj gjykate, n’a bën me dyshue në sinqeritetin e dy koncepteve; për shembull, e mira dhe e keqja për shtetin e Kosovës, sepse të gjitha mizoritë në Ballkanin e sotëm e kanë emrin dhe mbiemrin e autorit! Atëherë mos gjykoni në emër të ardhmërisë të botës serboruse sepse e ardhmja do nxjerrë të vërtetën dhe historia do u gjykojë!

Shumë e shumë shtete të njohura ndërkombëtarisht dhe me traditë shtetërore qindra vjeçare, shkelin për çdo ditë rregullat e luftës, bëjnë krime dhe gjenocid sikurse që bënë serbët përpara syve të ndërkombëtarëve në Bosnje dhe Kosovë, kurse Gjykata Speciale e Hagës e kërkon gjilpërën nëpër ish errësirën e robërisë tonë! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat