Fjalimi i Memlit tregon se PDK ende nuk ka mësuar nga gabimet

Opinione

Fjalimi i Memlit tregon se PDK ende nuk ka mësuar nga gabimet

Nga: Faton Mehmeti Më: 12 tetor 2024 Në ora: 13:51
Faton Mehmeti

Sikur të dëgjonte fjalimin e Memli Krasniqit dikush që nuk ka jetuar në Kosovë, do na kishte lakmi për qeverisjen “brilante” njëzet vjeçare. Ndonëse, paradoksi shfaqet qysh në realitetin e të qenurit në opozitë dikush që ka “ndërtuar shtet”, PDK vazhdon të notojë në botën e saj të iluzioneve.

Të kujtojmë se më 10 tetor të vitit 1999 është formuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti që nga themelimi ka pasur kryetar Hashim Thaçin. Pasi që Kushtetuta nuk lejon mbajtjen njëkohësisht të postit të presidentit dhe të kryetarit të partisë, Thaçi dha dorëheqje nga funksionet e tij në parti. Pas kësaj, PDK ka mbajtur Kuvendin zgjedhor ku për kryetar ka zgjedhur Kadri Veselin.

Kryetari aktual, Memli Krasniqi në fjalimin e ditëlindjes së partisë tha se partia që ai aktualisht drejton ka në gjenezën e saj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Misioni i UÇK ka përfunduar me pavarësinë e Kosovës, nuk ka vazhdimësi politike një ushtri, këtu Memli ia huqi fortë.

Edhe më qesharak u shfaq kur filloi të përmendte "suksest". Ndër ato theksoi se "nën udhëheqjen tonë, ne ndërtuam shtetin e Kosovës nga brenda dhe i dhamë asaj një vend në botë", ndonëse nuk saktësoi për çfarë ndërtimi bëhet fjalë.

Kapja e shtetit, zhvatja nuk janë ndërtim, nëse do të ishte, siç theksoi Memli nuk do të ishin sot në opozitë. Dëmet që PDK i ka bërë vendit po i ndjejmë, dhe do t'i ndjejmë edhe shumë kohë. Sa më larg pushtetit që të jetë PDK aq më e sigurt është Kosova. Në këtë përvjetor kam dashur të dëgjoj për reflektim nga ana e PDK, kjo gjë nuk ndodhi duke shpërfaqur mjerimin e thellë ku ndodhet. Për rrjedhojë edhe PDK pritet të jetë gjatë në opozitë, në ADN e saj qëndrojnë tenderat e jo UÇK, siç gënjen kryetari aktual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat