Nëse nuk do të ndodhnin zgjedhjet e fundit, ish-pushteti alias opozita e sotme do të përfundonin në ambis

Opinione

Nëse nuk do të ndodhnin zgjedhjet e fundit, ish-pushteti alias opozita e sotme do të përfundonin në ambis

Nga: Hafiz Shala Më: 13 tetor 2024 Në ora: 19:28
Autori Hafiz Shala

Nëse ish-pushteti, alias opozita e sotme, e cila po qarkullonte si treni pa orar, rreziku permanent ka qenë dhe është se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi me përmasa katastrofike, pasi në mënyrë figurative, në këtë moment, e krahasova trenin pa orar me ish-pushtetin që e solli në stacionin e fundit. Po mos të ndodhnin zgjedhjet, kushedi edhe sa stacione të gabuara do t’i kalonte dhe në fund do të përfundonte në binarin e mbyllur, dhe aty mbeti.

Ky tren ishte i ngarkuar me mallra pa destinacion e “pa pronar”, për të përfunduar në xhepat e dërguesve të cilët, edhe ishin dërgues e edhe marrës. Treni aty u bllokua dhe nuk e vazhdoi rrugën më tej, sepse edhe dërguesi, edhe marrësi ishin të njëjtë. Malli u “zhduk”?!

Në asnjë moment nuk duhet të heshtim e lere më të mbrohen dukuritë negative të cilat na kanë përcjellë për 20 vjet me radhë. As sot dhe në të ardhmen, asesi nuk duhet anashkaluar, pa marrë parasysh se kush është në pushtet.

Shtrohet një pyetje legjitime dhe e domosdoshme ndaj opozitës së sotme: a ishim të zëshëm rreth atyre dukurive të dëmshme, të rrezikshme me konotacione të hajnisë, tradhëtisë, faljes së territorëve, bashkëpunimit me kriminelët serbë? Edhe pse ata, përveç se ishin shpallur non grata nga SHBA-të, ishin të njohur që e kishin pushtetin në duar dhe nën kontrollin e tyre, si Radojqiq e Veselinoviq, për të cilët e konstaton vetë z. Haradinaj (për Radojqiqin), kur në një televizion në gjuhën serbe thotë troç pas pyetjes se kush ishte ai Radojqiqi. Ky i përgjigjet: ai pyetet për gjithçka dhe ai vendos për gjithçka, e unë bashkëpunoj me të.

Në disa shkrime të mia të mëhershme, kam propozuar që të bëhet vlerësimi i përgjegjësisë politike dhe shtetërore të ish-pushtetit për marrëveshjet e dëmshme politike, ekonomike e shtetërore për Republikën e Dardanisë.

Nëse zonja Kusari ka biseduar me z. Simiq si shef i grupit parlamentar të pakicës serbe në Kuvendin e Republikës, nuk ka asgjë të keqe sipas kushtetutës, por duhet të verifikohet nëse ka biseduar me Radojqiqin dhe për çfarë.

Radojqiqi, në veriun e Mitrovicës, ka qenë faktikisht njeriu i cili ka vendosur për gjithçka, sepse e ka pasur përkrahjen nga Vuçiqi dhe grupi kriminalo-terrorist, duke përfshirë edhe vëllain e tij dhe birin e tij.

Si ndodhi që në vilën e Radojqiqit të ketë vendosur Telekomi, duke i paguar edhe qiranë me suma të majme? Kush ka bashkëpunuar, kush i kërkoi ndihmë për të ardhur në pushtet, kush ishte mysafir në shtëpinë e tij në orët e vona të natës, kush ishte mysafir në vilën e tij, dhe si ndodhi që kompania e Radojqiqit “Rad” të shpërblehet me tenderë dhe kush ia mundësoi atij të marrë pjesë në ndërtimin e autostradës dhe në punët e tjera?

Kush ka bashkëpunuar me të rreth doganave duke sjellë mallra të kontrabanduara dhe të padoganuara? Kush po ndërtan banesa në Ulqin dhe nga i gjithë ai kapital?

Kush falte territore, kush nënshkroi marrëveshje të dëmshme për shtetin, kush e ndau Mitrovicën dhe kush agjitoi për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare njëetnike e raciste dhe kush ishte kundër?

Opozita e gjetur para këtyre pyetjeve, të cilave duhet t’iu japin përgjigje, i ka rrokë paniku, frustrimi deri në çmenduri, të cilët, për të shpëtuar nga të bëmat, i janë vlerësuar Qeverisë aktualisht Kryeministrit Kurti, i cili, me gjithë lëshimet gjatë qeverisjes, kur bëhet fjalë për raportin me Serbinë, e bëri atë që asnjë qeveri e pushtet i deritanishëm nuk e ka pasur: gatishmërinë, guximin, dijën dhe pastërtinë në aspektin e lëshimeve dhe koncesioneve ndaj Serbisë, në dëm të shtetit, sepse askush nuk ka mundur ta shantazhojë e ta kërcënojë më asgjë.

Prandaj, trekëndëshi anti-Dardani, Vuçiq, Rama e opozita dardane, janë në vrullin e ndërmarrjeve të të gjitha masave anti-shtetërore e kombëtare shqiptare, për t’i pamundësuar kësaj treshje në krye të institucioneve, Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, sepse, nëse kjo opozitë disi kaloi si lepuri përmes qenëve të pa kapur, tani i ka ardhur fundi.

Të gjithë janë kundër Kryeministrit, posaçërisht në mënyrë të organizuar, duke i përfshirë disa mjete të formimit të shkruara e vizuale, bashkë me të ashtuquajturit analistë, të cilët, me të njëjtin fjalor dhe narracion të Vuçiqit e Kristaqit, iu dalin në mbrojtje grupeve terroriste, flasin se Albin Kurti po ushtron terror më zi se Millosheviqi ndaj shqiptarëve, etj. Udhëheqësi i Kolonës së pestë anti-Kurti, Edvin Kristaq Rama, me manirin e tradhëtarit të përbërë, po punon me zell e përkushtim që të krijojë përçarje në mes shqiptarëve, duke çuar ujë në mullirin e Vuçiqit. Ky, pra Kristaqi, nga themelimi i Republikës së Bektashinjve në Shqipëri, hapja e xhamisë më të madhe në rajon, në vend të universiteteve e spitaleve, krijon përçarje edhe në baza fetare të cilën kurrë nuk e kemi pasur. Sipas kësaj logjike, atëherë nga Vatikani duhet kërkuar që të ndërtohet kisha kristiane më e madhe në Ballkan, mu në qendër të Tiranës. Qytetarë të nderuar, mos prekeni nga kjo Kolonë e cila, e zhytur në të zezat e fëlliqura, kjo treshje nuk ka të ndalur.

Edhe më parë e kam cekur: ende nuk është deklaruar Radojqiqi, i cili do të vorrosë për së gjalli të gjithë jaranët e tij, ku do të harrohen bisedat, ahengët e ish-pushtetarëve, me tradhtitë që askush nuk do të jetë në gjendje t’i përpijë.

Kjo Qeveri e ka gjetur llumin e grumbulluar me disa shtresa të papastruara për 20 vite, për çka i duhen edhe disa mandate, kushdoqoftë ai, për ta pastruar, zbuluar e konstatuar se kush qëndron prapa këtyre veprimeve të rrezikshme dhe të dëmshme për shtetin dhe qytetarin.

Pa i hyrë kësaj historie duke i zbuluar individët e përgjegjshëm e për t’i sjellë para drejtësisë, nuk ka ecje përpara ose do të jetë shumë e vështirë që Republika e Dardanisë, të cilën në mënyrë metaforike e krahasova me trenin pa orar, të forcohet dhe të vëhet në binarë normal të qarkullimit, të bëhet zonja e vetëvetes, ku ballëhapur mund të dalë para faktorit ndërkombëtar me një reagim të drejtë dhe me argumente të fuqishme.

Opozita-ish pushteti, me Amerikën në gojë, e vodhën këtë popull duke e dëmtuar shtetin përmes shitjes së aseteve më vitale shtetërore me çmime damping në vlerën reale dhe duke përfituar për vete, posaçërisht me blerjen e tokave me çmime të vlerës së një shishe uji për t’i shitur me çmime astronomike.

Zotërinj të opozitës, po doni të kaloni në heshtje të bëmat e juaja që, sipas jush, të arrihen të kaluarat e të fillohet nga zonja Mimoza, e cila, me veprimet e saj “ua tejkaloi juve”. Le të merret prokuroria ose organet e zbulimit rreth të vërtetës dhe të vlerësohet dëmi apo rreziku që e krijuan këto veprime, ama, një gjë duhet ta keni në mendje se, pa u hulumtuar koncesionet ndaj Serbisë, preardhja e pasurisë suaj të jashtligjshme e të pa justifikuar, nuk mund të kalojë si nxënësi i shkollës fillore të regjistrohet në fakultet.

Zotërinj, jeni bërë milionerë, ndërsa, në anën tjetër, e keni lënë popullin në varfëri, dhe pa pikë turpi, flisni para tyre për vota, sikur mos të kishte ndodhur asgjë, dhe që “edhe ju e ndani fatin e tyre”.

Zotërinj, e kërkoni votën për të ardhur në pushtet me tërë atë bagazh keqpërdorimesh e abuzimesh. Votuesit e kanë humbur besimin ndaj jush, prandaj është shumë e vështirë që t’ua japin votën.

Këtu, posaçërisht vlen të ceket, veteranët e vërtetë të luftës, të cilët u lanë anash e disa u kontrabanduan nga veteranë të rrejshëm në veteranë të vërtetë mu nga komandantët e tyre, përderisa këta u shndërruan në milionerë në mesin e ish-luftëtarëve dhe qytetarëve, të cilët edhe ata e mbajtën barrën e luftës në kurrizin e tyre. Populli e ka një fjalë kur thotë: “me prapanicë të zhytur, nuk mund të ulësh në ballë të oxhakut” (në këtë rast, në krye të shtetit apo qeverisë).

Mos harroni se Amerika i njeh mirë të gjithë. Edhe ata të ish-pushtetit, edhe këta në pushtet. I kanë ndërtuar profilet e të gjithëve atyre që koprracën për pushtet, por edhe të atyre që janë në pushtet. Dhe, ato profile, nuk ndërtohen sipas akuzave, mendimeve individuale, por përmes një hulumtimi të thellë nga organet e inteligjencës, njëra më të sofistikuara në rruzullin tokësor.

Vetëm një shembull konkret për të gjithë ata që iu vërsulën Uashingtonit për t’u takuar me autoritete të ndryshme të të gjitha niveleve: që nga Presidenti, Sekretari i Shtetit dhe, ajo më normalja, me kongresmenë e senatorë.

Një gjë duhet ta keni parasysh se çdo individ që nuk ka nënshtetësi amerikane, gjatë takimeve sipas kërkesave të tyre, nuk refuzohet përveç nëse është shpallur person non grata.

Tani, çdo takim dhe bisedat të çfarëdo niveli qoftë ai, ata i mbajnë shënime dhe i raportojnë organet e inteligjencës se cilat ishin temat, kërkesat, ankesat (akuzat), qoftë për pushtetet apo individët nga vijnë të interesuarit, dhe për këtë mbahen shënime dhe raportohet aty ku duhet raportuar. Shpesh, individë të caktuar, kur u dalin në shesh bisedat e tyre në mënyrë të tërthortë, mbesin të habitur se nga kush i morën këto informata, kur individi i ka zhvilluar pa praninë e palës së tretë.

Ishte rasti i fundit kur një përfaqësues i një partie, gjatë vizitës në SHBA, dhe ne e dimë si organizohen ato, lavdohej se ka pasur takime të suksesshme dhe, kur dikush i shtroi pyetjen se a keni biseduar rreth Kryeministrit, ai gënjeu hapur, sepse informacionet për ato takime, dikush i ka të sakta ashtu siç i përshkrova më parë.

Dhe, bashkëbiseduesit e juaj, vërtetë sillën në mënyrë xhentëlmene, bile, edhe duke iu dhënë lavdata, qoftë edhe “duke u pajtuar me ju aty për aty”.

Sugjerimi im për ju të gjithëve është se, të jeni të sinqertë, sepse asgjë nuk kalon pa u vërtetuar. Amerika është miku ynë më i sinqertë, i vlefshëm dhe i pazëvendësueshëm, me gjithë reagimet e kohë pas kohësh ndaj pushtetarëve, institucioneve apo edhe individëve që, nganjëherë, na duken se i tejkalojnë parimet dhe normat demokratike që nuk përputhen me ato amerikane, por kurrë nuk do të na injorojnë e më së paku të na lënë anash si popull e si shtet.

Hafiz Shala, New York, 13 tetor 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat