Pykat e Serbise ndaj Kosovës – politikanët karrieristë shqiptarë janë duke gërryer themelet e shtetit!

Opinione

Pykat e Serbise ndaj Kosovës – politikanët karrieristë shqiptarë janë duke gërryer themelet e shtetit!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 13 tetor 2024 Në ora: 20:24
Autori Ismail Muçiqi

Askush në Kosovë nuk ka menduar se ky soj i klasës politike do të luajë me ndjenjat e popullit duke krijuar përçarje përmes formave më të ndryshme, duke ngritur tensione për t’i rrezikuar marrëdhëniet ndërnjerëzore ndërmjet shqiptarëve. Populli i Kosovës nuk e meriton të përfaqësohet nga kjo politikë qorre e liderëve të partive politike, klaneve dhe grupeve të interesit, të cilat kanë arritur në pikën më të ulët të besimit karshi qytetarëve. Raportet ndërmjet deputetëve dhe gjuha e komunikimit pasqyrojnë gjendjen e mjerueshme që e ka kapluar këtë institucion parlamentar. Opinioni kosovar është shumë i shqetësuar dhe shumë i brengosur me këtë atmosferë destruktive, pa asnjë element të kulturës politike dhe të edukatës së njeriut në institucionet e shtetit.

Propaganda serbe e Beogradit në vazhdimësi ka depërtuar thellë në poret e grupeve të caktuara, si në mediat nacionale ashtu edhe në kuzhinat e disa partive politike. Kjo po shihet edhe këto ditë, ku emri i Radoiqiqit është bërë temë e diskutimeve, duke u përfolur për ditë e javë të tëra në mediat informative, përmes pseudoanalistëve të dështuar në të gjitha pikëpamjet, ashtu si edhe në institucionin më të lartë – në Parlamentin e Kosovës. Politika serbe e rafinuar përmes formave konspirative po bën përpjekje të krijojë kaos në institucionet e shtetit, duke tentuar të përçajë krerët e institucioneve, partitë politike dhe të gjitha poret e organizimit të jetës në Kosovë.

Këto situata shumë të rrezikshme për vendin nuk janë në gjendje t’i kuptojnë njerëzit, të cilët që nga paslufta janë pjesë e politikës qorre dhe të cilët kanë dështuar në të gjitha pikëpamjet për ta ndërtuar shtetin. Po këta të njëjtit politikanë që defilojnë që nga paslufta në politikën kosovare janë përgjegjësit kryesorë për të gjitha të këqijat që i ndodhin vendit.

Raportet ndërnjerëzore, të cilat vijnë dhe janë pasojë e ashtuquajturave parti politike klanore, pa zgjedhur mjete, janë ngritur në këmbë duke luajtur me kartën “pseudopatriotike” për t’u rikthyer në pushtet. Ky soj politikanësh pa integritet asesi nuk po mund të lirohen nga epshet karrieriste, mu në prag të zgjedhjeve nacionale të 9 Shkurtit, të cilat do të organizohen në Kosovë. Retorika fallco tani ka depërtuar në Parlamentin e Kosovës, ku këta të njëjtit deputetë po mundohen të promovohen se kush ka folur me Radoiqiqin, emri i të cilit është bërë mollë sherri në politikën kosovare. Kjo klasë e cila është rreshtuar në politikë po luan me ndjenjat e qytetarëve duke shpifur në mënyrë më të pa skrupullt ndaj njëri-tjetrit.

Nëse vazhdon kjo mendësi dhe kjo patologji e sëmur, ekziston rreziku që raportet ndërnjerëzore, nga familja deri tek institucionet më të larta të shtetit, të përkeqësohen ose të rrezikohen deri në konflikte individuale apo edhe më gjerë. Këto fenomene të mjerimit në politikën kosovare po ndodhin në kohën kur Bota po përballet me sfida të ndryshme të sigurisë globale, e cila është para një katastrofe për njerëzimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat