Dardan Molliqaj: “Trim” në televizion, frikacak në zgjedhje

Opinione

Dardan Molliqaj: “Trim” në televizion, frikacak në zgjedhje

Nga: Faton Mehmeti Më: 15 tetor 2024 Në ora: 13:42
Autori Faton Mehmeti

Në rrugë "shitet" si trim, por në zgjedhje ka frikë të futet, duke e ditur fare mirë për debaklin e pritur. Ky është Dardan Molliqaj, njeriu i kapitullimit të jetës së tij politike. Në vetëdijën e tij e pranoi se askush nuk i ndjek pas disa njerëz të dështuar si ai në politikë, duke njoftuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Krejt kjo si rezultat i faktit se “qartazi, alternativa politike që përfaqëson PSD-ja, nuk e ka mbështetjen e duhur për përfaqësim në Kuvend. Kështu, kemi vendosur ta refuzojmë rrugën e dobët të koalicioneve ku bindjet do të na lakoheshin...”, ka shkruar Molliqaj.

Nuk e refuzon rrugën e koalicioneve; në 2021 ishte pjesë e koalicionit me AAK-në dhe përsëri nuk arritën të kenë asnjë deputet. Sinqerisht, nëse njeriu do të kishte sado pak dinjitet, kur sheh se askush s’të mbështet, duhet të largohet.

Vota është matës i fuqisë; kur populli s’të mbështet, nuk mund të mbijetosh me "aksionet dhe fjalët" që nuk sjellin rezultat. Si mund të jesh prezent në ambientin politik e elektoral kur nuk merr pjesë në zgjedhje? Vetëm vota është përcaktuese e përfaqësimit; ndryshe del jashtë rregullave të demokracisë, në emër të së cilës thirret.

Për të mirën e tij, Dardani dhe ata pak njerëz që e ndjekin atë në greminë më mirë të largohen nga skena politike; edhe ashtu, populli u ka treguar vendin në humnerë. Trim në kritika ndaj Kurtit, frikacak në kutitë e votave, ai e di se as rrethi i tij ku jeton nuk e votojnë. Albini është i paarritshëm për sot e mot për Dardanin, mbase dështaku më i madh në skenën politike të Kosovës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat