Realpolitika dhe Diplomacia në Ballkan: Një realitet i hidhur për shqiptarët

Opinione

Realpolitika dhe Diplomacia në Ballkan: Një realitet i hidhur për shqiptarët

Nga: Jashar Etemaj Më: 15 tetor 2024 Në ora: 13:58
Autori Jashar Etemaj

Kur një shtet armik e bënë një shtet mik të fuqishëm, e kam fjalën për atë shtet ku gjithashtu sjellët si mik më shtetin tënd, diplomacia bëhet një lojë e ndërlikuar e balancimit të interesave.

Në kohë paqeje, diplomacia ndërkombëtare shpesh është e mbështjellë me hipokrizi të qëllimshme dhe llogaritje të ftohta. Kur një shtet armik ka një shtet mik të fuqishëm që gjithashtu është mik i armikut, ai detyrohet të mbajë një maskë diplomacie dhe të bëjë kompromise për të ruajtur stabilitetin. Ky është thelbi i frazës së njohur “armiku i armikut tim është miku im” – një qasje pragmatike që shërben si një bazë për krijimin e aleancave të përkohshme dhe bashkëpunimeve të detyruara.

Në Ballkan, një rajon i mbushur me histori të ndërlikuara dhe tensione të vazhdueshme, Kroacia shpesh shihet si një aleat i natyrshëm për shqiptarët për shkak të qëndrimit të saj ndaj Serbisë. Por, si në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare, as Kroacia nuk mund të konsiderohet si një mik i përhershëm. Diplomacia ndërkombëtare nuk funksionon mbi miqësi të vërteta; siç e tha dikur Henry Kissinger, “Shtetet e Bashkuara nuk kanë miq, ato kanë vetëm interesa”. Kjo është një aksiomë që vlen për të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kroacinë dhe Turqinë.

Vizita e fundit e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Tiranë, është një shembull i kësaj diplomacie të ndërlikuar. Përurimi i xhamisë së Namazgjasë, një projekt simbolik për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, la një shije të hidhur për shumë shqiptarë që vlerësojnë identitetin kombëtar mbi bashkëpunimet fetare. Megjithatë, siç tha kryeministri Edi Rama, Turqia ishte ndër të parat shtete që njohu pavarësinë e Kosovës dhe ka ofruar ndihmë në armatimin dhe trajnimin e ushtrisë kosovare. Këto janë fakte që nuk mund të injorohen.

Në anën tjetër, marrëdhëniet e ngrohta të disa liderëve shqiptarë me Turqinë nuk janë gjithmonë të mirëpritura nga të gjithë. Ka shqiptarë që kanë hezituar të përqafojnë këtë aleancë për shkak të dallimeve kulturore dhe fetare, dhe kjo sjell një dualizëm në politikën tonë të jashtme. Madje, edhe serbët, të cilët ndajnë shumë pak me botën arabe në aspektin kulturor ose fetar, kanë ndërtuar marrëdhënie diplomatike të forta me disa vende arabe – një shembull që duhet të na bëjë të reflektojmë për rëndësinë e interesave pragmatike mbi ndarjet ideologjike.

Në këto marrëdhënie komplekse, shpesh perceptohet gabimisht se çdo bashkëpunim i shqiptarëve me vendet e tjera është një formë nënshtrimi. Më kujtohet kur ish-presidenti Hashim Thaçi u fotografua me Vladimir Putinin – një akt që u kritikua ashpër, edhe pse ishte pjesë e një loje të domosdoshme diplomatike. Të quash një akt të tillë "nënshtrim" është një keqinterpretim i realitetit të politikës ndërkombëtare, ku shpesh janë interesat kombëtare që diktojnë veprimet, dhe jo simpatitë personale apo morale.

Ne nuk duhet të hidhërohemi kur Turqia apo shtetet perëndimore ndërtojnë fabrika në Serbi apo Maqedoninë e Veriut. Shpesh, këto vende kanë ofruar kushte më të volitshme për investime sesa Kosova apo Shqipëria. Prandaj, problemi nuk qëndron tek investitorët e huaj, por tek ne. Nëse Turqia ndërton xhami në Shqipëri dhe Kosovë, kjo është më shumë pasojë e mungesës së ofertave më tërheqëse nga ana jonë për investime të tjera. Turqia do të përfitonte më shumë nga ndërtimi i fabrikave sesa nga xhamitë – një e vërtetë që ne duhet ta mbajmë parasysh.

Në përfundim, kur një shtet armik e bënë një shtet mik të fuqishëm, e kam fjalën për atë shtet ku gjithashtu sjellët si mik më shtetin tënd, diplomacia bëhet një lojë e ndërlikuar e balancimit të interesave. Kjo është esenca e realpolitikës – një lojë ku buzëqeshja me zor dhe kompromiset janë të nevojshme për të shmangur konfliktet e panevojshme dhe për të ruajtur stabilitetin. Në këtë kontekst, është më mirë të fokusohemi në ndërtimin e kushteve të favorshme për zhvillim dhe bashkëpunim, sesa të humbim energji duke kritikuar marrëdhëniet diplomatike të te tjerëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat