Nëse Vetëvendosje bojkoton seancat, duhet të shpërndahet Kuvendi

Opinione

Nëse Vetëvendosje bojkoton seancat, duhet të shpërndahet Kuvendi

Nga: Faton Mehmeti Më: 16 tetor 2024 Në ora: 15:11
Autori Faton Mehmeti

Në vitin 2018, kur VV dhe LDK ishin në opozitë, kishte dështuar për të tretën ditë radhazi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga opozita e asaj kohe për të diskutuar për kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, seanca ishte bojkotuar nga mazhoranca, dhe për këtë kishte reaguar ashpër Vetëvendosje përmes shefit të Grupit Parlamentar të asaj kohe, z. Glauk Konjufca. Më kujtohet se z. Konjufca ishte shprehur që në një vend ku mazhoranca bojkoton Kuvendin, aty Kuvendi duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Tani, pas gjashtë vitesh, po ndodh e njëjta gjë, veçse këtë herë rolet janë ndërruar dhe duket se edhe qëndrimet kanë ndryshuar. Vetëvendosje, tani në pushtet, para pak ditësh kishte njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të diskutohet për gjendjen me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Të njëjtën gjë e kanë vazhduar duke bojkotuar seancën e jashtëzakonshme për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Kur ishte në opozitë, mbante një tjetër qëndrim për të njëjtën situatë. Nuk ka asnjë arsyetim për bojkotimin e seancave nga partia në pushtet; Kuvendi është tempulli i demokracisë ku duhet të debatohet për çdo gjë që është shqetësuese për qytetarët. Vetëvendosje duhet të kthehet dhe të jetë në Kuvend, ndryshe Kuvendi duhet të shpërndahet, ashtu siç kërkonin para gjashtë viteve, kur pushteti i atëhershëm bojkotonte seancat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat