Gjermania dënon xhelatët e komunizmit, Shqipëria mbron krimet e tyre!

Opinione

Gjermania dënon xhelatët e komunizmit, Shqipëria mbron krimet e tyre!

Nga: Besim NDREGJONI Më: 16 tetor 2024 Në ora: 16:45
Autori Besim Ndregjoni

Këto ditë mësuam nga DW, se një ish –agjent i Stasi-t, ish sigurimi i shtetit të RDGJ, u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Landit të Berlinit për një vrasje në pikëkalimin kufitar të stacionit Berlinit - Friedrichstrabe në vitin 1974. Të hënën gjykata e konsideroi të provuar se tashmë i dënuari, 80 vjeçari, kishte qëlluar një shtetas polak gjatë operacionit të Stasi-t në zonën e transit të stacionit. Prokuroria kishte kërkuar dymbëdhjetë vjet burg. Komisionerja e Brandenburgut për pasojat e diktaturës komuniste, Maria Nooke e përshëndeti vendimin. Është në përputhje me vlersimin historik të rastit, tha Nooke. Gjygji tregon rëndësinë e rivlerësimit ligjor dhe shoqëror të padrejtësisë së RDGJ, deri sot..

Kjo është drejtësia gjermane, ai komb, që përballoi dy diktatura naziste dhe komuniste, nuk i harron krimet e komunizmit, dhe për dënimin e tyre vendos drejtësia jo politika, dhe pse kanë kaluar mbi 50 vite nga ai regjim.

Shqipëria është i vetmi vend ish komunistë-stalinistë i cili nuk ka marrë asnjë masë serioze për të pastruar jetën politike nga mbeturinat e ish sigurimit të shtetit, të cilat ma shumë se kurrë, sot janë ma të rrezikshme se çfaqen në mënyrë të kamufluar në institucionet shtetërore dhe shoqërisë civile si mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut. Klasa politike shqiptare asnjëherë deri në sot nuk ka lejuar që të analizohen shkaqet që çuan në hartimin e skemës së komunizmit shqiptar si një lloj i veçantë nga vendet e lindjes. Krimet e komunizmit në Shqipëri jo vetëm nuk ju nënshtruan analizave juridike, por u përdoren me retorika ideologjike për të gëzuar pushtet dhe jo për ti shërbyer të vërtetës, dhe demokracisë.

Dhe mbas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit, Shqipëria u mjaftua vetëm me një rezolutë parlamentare dhe kjo e votuar vetëm nga partia Demokratike, për arsye se partia Socialiste trashëgimtarja e partisë komuniste që i kreu këto krime, u largua nga votimi në parlament në vitin 1996 duke demonstruar papergjëshmëri morale e politike për krimet e diktaturës komuniste.

Diktatura enveriste-staliniste në Shqipëri ishte një pushtet xhungël që u aplikuar në një vend të vogël ku krimi ishte dominues në mbajtjen e pushtetit. Shifrat tronditëse të krimit komunistë që kan ndodhur në vendin tonë nuk kanë të bëjnë fare me pushtetet komuniste në Evropën juglindore. Xhelatët e xhunglës shqiptare , vrisnin kundërshtarët politikë, vriteshin mendjet e ndritura intelektuale të fushave të ndryshme si të artit, kulturës, të politikës etj, ata vriteshin si fshatarin e thjeshtë, dhe intelektualin me përmasa kombëtare. Kufiri shqiptar ishte bërë arenë e vrasjeve të të rinjve, dhe qendrat e banuara ishin bërë sheshe manifestimesh e dekorimeve të xhelatëve për vrasjet e shqiptarëve antikomunistë dhe duartrokitjeve të komunistëve për aktin barbar që kryenin. Të gjitha këto krime kanë dosjet e shqiptarve të vrarë e të burgosur, të internuar e të mbijetuarve të diktaturës komuniste. Këto dosje i kan krijuar ish politikan, hetues, gjygjtarë, sekretarë partie, operativa të sigurimit të shtetit, administratorë të lartë të diktaturës hoxhiste, sot drejtues të politikbërjes shqiptare. Në cilin vend të botës demokratike mbrohen me kushtetutë krimet e komunizmit. 34 vite që politika shqiptare përdor heshtjen ndaj krimeve të komunizmit ku 35-40% e popullsisë i provoj këto krime me shkatërrime brezash. Shqipëria përjeton demokraci formale për mbrojtjen e komunistëve dhe nuk venë përball drejtsisë krimet që shkaktoi diktatura. Trumbetohet nga falangat e diktaturës , mbrotja e të drejtave dhe lirive të xhelatëve të diktaturës, dhe heshtet për krimet që pësuan kundërshtarët e diktaturës. I vetmi vend në Evropë që ka mbi 6000 shqiptarë të vrarë që ju kan humbur dhe kufomat dhe sot ata që i dhanë Shqipërisë, pavarësinë, krijuan shtetin e parë shqiptar mbas 500 vitesh pushtim otoman, ata që e pritën fashizmin me armë në dorë, ata që nën pushtimin nazistë, shpëtuan jetë hebrenjsh, ata që i rezistuan diktaturës komuniste për 50 vite, sot nuk kanë një varr në tokën e tyre. Demokracia shqiptare flet për të drejtat e xhelatëve dhe nuk i çoi para drejtësisë si Gjermania, por përkundrazi ka ndërtuar ligje priviligjuese politike ekonomike dhe sot , të përndjekurit dhe të burgosurit politikë nuk lejohen të jenë pjesë e politikbërjes apo të marrin poste drejtuese në institucionet e shtetit shqiptar. Po ju sjellim në vëmendje trajtimin e pensioneve në mes të ish sigurimit të shtetit dhe të ish burgosurve politikë. Të burgosurit politikë marrin pensione qesharake 100 Ero, në muaj kurse operativat, hetuesit, gjygjtaret, sekretarët e partisë kan pensione marramendëse mbi 1000 euro.

Sot sistemi politikë, juridik arsimor, shoqëria civile, drejtohen nga ish prokuror dhe hetues të diktaturës, drejtojnë sistemin politik në vend. Sot librat shkollorë e paraqesin diktaturën si një pushtet që ka ndërtuar Shqipërinë e ka ba luftën, dhe nuk ka një faqe të vetëm për krimet e tyre çnjerëzore.

Ka mbi 34 vite që ju kërkojmë institucioneve të shtetit shqiptar ti dënojnë krimet e komunizmit me ligj si Europa, por Presidenti, Parlamenti, Qeveria, edhe opozita kanë mbi 10 muaj që heshtin ndaj kërkesës tonë për të bërë ligjin e dënimeve të krimeve të komunizmit. Konferenca Ipeshknore e Shqipërisë, Komuniteti Mysliman, Bektashian, Ortodoksë ju kanë dorzuar kërkesën që të bëhet ligji i dënimeve të krimeve të komunizmit. Gjithashtu edhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë i është bashkuar heshtjes shtetërorë. Turp kombëtar për këta institucione që bëjnë politikë me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve antikomunistë.

Turp për ambasadorët e vendeve demokratike që i bashkohen kësaj heshtje antinjerëzore.

A është antikushtetuese Zotërinj parlamentar që këto krime mos të dënohen moralisht dhe ligjërisht dhe tani mbas 34 vitesh të ashtuquajtur sistem demokratik. A është antikushtetuese zotrinj drejtues të shtetit shqiptar që diktatori ma i tmerrshëm mbas luftës së dytë botërore Enver Hoxha gëzon titujt e nderit e viktimat e regjimit skan një varr. Përse në Shqipëri nuk u lejukan të dënohen krimet e komunizmit. Vetëm në kushtetutën komuniste ligjërohen krimet e mbrohen kriminelët. Të drejtë pasakan ata që kryen krime, ne që u viktimizuan duhet të heshtim për të “drejtat” e atyre që na viktimizuan. Në rastin tonë kohezioni social kërkon pastrimin e krimit dhe të kriminelëve komuniste në një proces të mbeshtetun në drejtësi.

Ashtë rikthimi i plotë në liri dhe dinjitet për të gjithë , asht mbrojtje nga “dora e shtetit” e nga “grushti i hijeve të zeza”... një shtet dhe shoqëri e këtillë nuk mund të ndërtohet mbi padrejtsi! Tek ne dhe sot , mbas 34 viteve nuk është dënuar krimi komunist 50 vjeçar , me gjith sjelljen tonë fisnike që përbuzëm hakmarrjen. Ne antikomunistët jemi breznia që këputëm zingjirin e hakmarrjes, një fitore historike e shpirtit shqiptar. Duhen dënuar krimet e komunizmit siç po i dënon Gjermania për hir të breznive të reja që mos përsëritet e kaluara tragjike.

Kjo është një detyrë primare për të gjithë, por sidomos për ne.

Zotrinj parlamentar ju sjell në vëmendje thënien e një të burgosuri politik spanjoll: “Mos e mbyllni librin e krimeve të komunizmit derisa çdo rrjesht, çdo faqe të lexohet nga të gjithë.” Dhe më tepër nga ju që jeni ligjvënës e që duhet të mbroni të drejtat dhe liritë e njeriut.

Bëhuni palë në dënimin e krimeve të komunizmit siç vepron drejtësia dhe shteti gjerman se kështu u shërbehet jetëve njerzore të pafajshme shqiptare.

Morali është ligj i pashkruar , por që gjen zbatim çdo ditë në një shoqëri të civilizuar e demokratike. Këtë Shqipëri duam ne të mbijetuarit e xhunglës. Kjo nuk është Shqipëria për të cilën luftuam ne kundërshtarët e komunizmit. Kjo nuk është Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarëve të lirë. Për të cilën kemi ëndërruar e shpresuar në këtë 34 vjeçar tranzicjon komunistë” Ndiqni shembullin gjerman, zotërinj shtetarë shqiptar, dënimi i krimeve të komunizmit është drejtsi dhe jo hakmarrje, por dhe paqe për breznitë e reja.

Ne të mbijetuarit e diktaturës po presim çdo ditë, kur do ta kaloni ligjin në parlament që ti dënoni krimet makabre të enverizmit e ti bashkohemi Europës si vendet e tjera demokratike!

“Hakmarrje Jo “ “Drejtësi po “

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat