Si e fitoi Shqipëria hapjen e negociatave për anëtarësim në BE?!

Opinione

Si e fitoi Shqipëria hapjen e negociatave për anëtarësim në BE?!

Nga: Amir Shabani Më: 16 tetor 2024 Në ora: 20:04
Amir Shabani

Rreth 11 vite qeverisje që kur Edi Rama erdhi në krye të Qeverisë së Shqipërisë, jo më larg se dje i filloi negociatat për anëtarësim në BE, premtim ky i dhënë që në mandatin e parë kur ai i fitoi zgjedhjet parlamentare, megjithatë kryeministri Rama ditën e 15 tetorit e konsideroi ditë historike për vendin dhe qytetarët e tij.

Përkundër skandaleve të shumta që janë dëgjuar dhe investiguar në qeverinë Rama, ai ka vazhduar të qëndrojë në pushtet për gjatë këtyre 11 viteve dhe falë ndihmës së ndërkombëtarëve, atij iu dha "drita jeshile" për hapjen e negociatave dhe shfaqjen e shkëlqyer para popullit të tij.

Por si ndodhi e tërë kjo dhe a ka ndonjë kosto?

Sigurisht që po. Shqipëria i është nënshtruar një sërë kërkesash të rrezikshme ndaj BE-së me shpresën e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërqeveritare, por që çdo vit kundërshtohej nga një shtet-anëtar. Dikush mund të pyet a kanë qenë kundërshtime të drejta?! Po, sigurisht. Kryeministri Edi Rama edhe pas kaq vitesh qeverisje, ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, kjo duke u potencuar edhe nga vetë Bashkimi Evropian.

Politika e Zgjerimit të BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor ka qenë që të përfshijë disa nga vendet e rajonit (ose edhe tërë rajonin) njëkohësisht, por ajo që e bëri Shqipërinë të përparojë në këtë drejtim është sakrifi a e palakmueshme.

Kjo "meritë" i është dhënë Shqipërisë vetëm kur kursi vëllazëror shqiptar filloi të zbehet, për mos thënë rënohet mes liderëve të të dyja vendeve. Rama është shfaqur disa herë i ashpër ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti në përballjen që ka ndaj Serbisë, duke kërkuar që Kosova të respektojë marrëveshjet e ofruara nga Perëndimi, e që ato haptazi favorizojnë Serbinë.

Pra, të gjitha këto sakrifica dhe copëtime të Shqipërisë për t'ju falur liderëve të BE-së, i mundësoi hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Edi Rama pranoi që deti t'i jepej Greqisë dhe një marrëveshje e tillë të shkonte në Hagë, pavarësisht se gjasat ishin shumë të vogla në Gjykatën Ndërkombëtare. U pranua të jepet deti për të na mbështetur në rrugën drejt BE-së.

Sa u përket raporteve me kryeministren italiane, Meloni, qeveria e saj mori nën administrim Gjadrin dhe e ktheu në tokë italiane, ku do të zbarkojnë refugjatët afrikanë që shpëtohen në brigjet italiane. A nuk ka Italia tokë të lirë për të ngritur kampe refugjatësh?!

Zgjedhjet në SHBA gjithashtu kanë ndikuar në sakrificat e Shqipërisë që i realizoi Edi Rama. Sondazhet tregojnë se Donald Trump është në epërsi, andaj edhe Rama luajti politikën për ta fituar përkrahjen e Trumpit. Rama ia dhuroi ishullin e vetëm të Shqipërisë, Sazanin, dhëndërit të Donald Trump. Këtë ishull shqiptarët nuk e gëzuan kurrë.

Në raportet me Turqinë kanë marrëdhënie të fuqishme bilaterale, por presidenti Erdogan kohëve të fundit ka ndikuar shumë në politikën e brendshme të Shqipërisë me synimin e pastrimit të administratës, gjegjësisht KMSH-së nga organizata terroriste FETO. Prandaj edhe inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë u vonua derisa u zgjidh problemi i menaxhimit të saj dhe përcaktimit e ndonjë imami jo nga KMSH-ja, pasiqë ishte e dyshuar dhe në këtë mënyrë i hoqet juridiksioni KMSH-së dhe ajo do të drejtohet nga një fondacion me anëtarë të Shqipërisë dhe Turqisë.

Gjatë 11 viteve qeverisje të kryeministrit Edi Rama në Shqipëri, ai sakrifikoi vendin dhe qytetarët e tij vetëm për të hapur kapitullin e parë të negociatave. Por, sa do të duhet të sakrifikojë deri në vitin 2030, kur kryeministri Rama mendon se do të arrijë anëtarësimin e plotë në BE?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat