Procesi i Berlinit dhe integrimi në BE – e vetmja alternativë e Kosovës!

Opinione

Procesi i Berlinit dhe integrimi në BE – e vetmja alternativë e Kosovës!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 17 tetor 2024 Në ora: 08:00
Procesi i Berlinit

Të hënën e shkuar në Berlin u mblodhën sërishmi liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përkujtuar se Procesi i Berlinit ekziston. Kancelari Scholz dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ishin të pranishëm në këtë samit të gjashtë vendeve të rajonit. Ata dhanë shpresa se tashmë këto vende do të bëhen pjesë e unionit më të suksesshëm në historinë e globit, atij evropian. Fatmirësisht qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti e zgjidhën ngërçin e problemit të CEFTA-s e për pasojë edhe u përfaqësuan me dinjitet në këtë samit.

Kosova u paraqit gjithashtu nga pikëpamja përmbajtjesore dinjitetshëm në Berlin. Qeveria e saj shpalli liberalizimin e vizave nga 1 janari I vitit të ardhshëm, për qytetarët e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës në mënyrë të njëanshme, edhe pse Republika Srpska ka bllokuar çdo vendimmarrje të presidencës së Sarajevës për njohjen e shtetit të Kosovës dhe dokumenteve të tij. Milorad Dodik vazhdoi ritualin putinist dhe të Lukashenkos për “mosnjohjen e Kosovës” dhe “mos pranimin e dokumenteve të saj”! Ndonëse vetë Serbia i ka pranuar dokumentet dhe letër njoftimin e Kosovës për lëvizjen e lirë të qytetarëve, Dodik mbetet bllokuesi kryesor e madje i vetëm i këtij procesi me BH e në Ballkanin Perëndimor. Është i mjaftueshëm ky fakt që gjithkush të kuptojë se çfarë përfaqëson ai në rajonin tonë. Ndërkohë qëndrimi destabilizues i liderit serbo-boshnjak meriton krahasimin që atij e Republikës Srpska i bëri kryeministri i Kosovës si “Bjelorusia e Ballkanit”!

Kosova ishte aktori kryesor që mbrojti vlerat e Procesit të Berlinit, atëherë kur autokratët e rajonit krijuan nismën alternative të tij, “Minishengeni Ballkanik”, e më pas “Open Balkan”! Sulmet e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev kundër Europës dhe Procesit të Berlinit hasën në kundërshtinë e vendosmërinë e Kosovës dhe autoriteteve të saj në mbrojtje dhe përkrahje të Berlinit. Kundërshtitë e lidershipit Kosovar ndaj Ballkanit të Hapur duhen shënuar si akte të civilizimit rajonal, të cilat mbrojtën vlerat europiane të integrimit e të demokracisë.

Nëse Kosova do t’i bashkohej Open Balkan, kishte shumë gjasa që Procesi i Berlinit të asgjësohej e të shuhej. Që do të thotë se të hënën e shkuar nuk do të kishim një samit të këtij procesi në kryeqytetin gjerman. Qëndrime të njëjta me Kosovën patën edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe përfaqësuesit myslimanë e kroatë në presidencën e Bosnjë-Hercegovinës. Por në këto dy vende pati jo pak politikanë, ndër to shqiptari i serbizuar, Dritan Abazoviç, të cilët mbështetën publikisht nismën e përçarjes ballkanike të treshes Vuçiq-Rama-Zaev.

Për fatin e mirë të rajonit dhe banorëve të Ballkanit Perëndimor Procesi i Berlinit prej vitit të kaluar është rivitalizuar. Vendimet e e samitit të fundit nuk lënë më dilema, nëse do të vijojë kjo nismë të ndihmojë vendet tona për integrimin europian apo jo. Optimizmi është shtuar, ndërkohë që liderët e Kosovës janë solidarizuar plotësisht me këto vendime. Dilemat po zhduken gradualisht, sido që presidenti i Serbisë vijon edhe më tej ta përmendë nismën beogradase të Open Balkan. Nganjëherë i shkon pas edhe zëri i kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht faktit se ai nën trysninë e kancelarit Scholz e pati shpallur Open Balkan tashmë si “të vdekur”!

Në kushtet e sotme Kosova duhet ta shfrytëzojë në maksimum Procesin e Berlinit. Përmes tij ajo forcon marrëdhëniet me Gjermaninë, por edhe me Brukselin, Parisin e kryeqytete të tjera të BE-së. Një marrëdhënie e qëndrueshme me këto vende është nevojë jetike për fatin e ardhmërinë e saj. Kosova nuk ka asnjë shans të luajë lojën e Serbisë, sipas konceptit “Po nuk më deshët ju euro-amerikanët, ne vazhdojmë të jemi me Rusinë”! Lindja nuk është alternativë për shqiptarët. Fatkeqësisht ky realitet shfrytëzohet nga qarqe të caktuara pro-serbe në Evropë për t’i thënë Kosovës se “Nuk ke ku shkon, përveçse tek ne në BE” e të shtojnë dozat e arrogancës ndaj saj!

Ndërkaq kjo nuk do të thotë se Serbia është në avantzh, për shkak të presionit që ajo I bën BE-së me aleancën e saj me Moskën. Nëse krijohet ky perceptim, ai vlen thjesht për një konjukturë të caktuar. Perspektiva është e atyre vendeve dhe atyre popujve, si Kosova dhe shqiptarët, të cilët ecin vetëm në një drejtim, me detyrim e përcaktim apo me vullnet të plotë, kjo nuk ka rëndësi. Vjen një moment kur detyrimi dhe vullneti bëhen bashkë. Tani duhet shtuar presioni që këtë qëndrim të Kosovës Brukseli ta shpërblejë me dhënien e statusit kandidat asaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat