Nuk tȅ mund dot Berisha, por kujdes nga “berishizmi” brenda vetes, zoti kryeministȅr!

Opinione

Nuk tȅ mund dot Berisha, por kujdes nga “berishizmi” brenda vetes, zoti kryeministȅr!

Nga: LLESH NDOJ Më: 17 tetor 2024 Në ora: 08:25
Autori LLESH NDOJ

Fushata e zgjedhjeve të reja parlamentare po afron dhe ndoshta për herë të parë, palët politike pozitë dhe opozitë, përtej retorikës e britmave të përhershme, shkojnë në zgjedhje jo vetëm me objektiva të qarta, por edhe të bindura në rezultatin, që do të hipotekojnë pas tyre. Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama janë të bindura për fitoren e një mandati të katërt, që mendojnë se është historik për ta, ndërsa opozita, nën zë e mbi zë, ndërkohë që e pranon pamundësinë e ardhjes në pushtet, hallin e ka tek “fitoret e vogla” brenda rradhëve të parcelizuara keqas të saj, tek mbijetesa politike e dy liderëve tradicionalë, Berisha - Meta, e deri tek “pagëzimi” si parti parlamentare i partive të reja të krijuara rishtas nga skizma e Partisë Demokratike, apo të krijuara vitet e fundit, jo doemos përmes ndarjes prej saj.

Kjo situatë nuk është aspak fantazi e imja, por një realitet i ndjeshëm dukshëm. Socialistët, apo më saktë Rama e rilindasit rreth tij, pasi këtu gjenë kuptimin e plotë shprehja: kur themi PS-ja, nënkuptojmë Ramën e kur themi Rama nënkuptojmë PS-n, nisur nga disa rezultate që ka shënuar në qeverisje, apo në përparimin e statusit të vendit në rrugën e integrimit evropian e rritjen e prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke patur si “garanci” një opozitë që nuk ka arritur deri më sot të tejkalojë interesat e ngushta të liderëve apo drejtuesve, se etiketën “lider”, veç Berishës nuk e meriton asnjë tjetër, është në të drejtën e saj ta projektojë dhe t’a besojë fitoren e ardhshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Pozita, ndikuar edhe nga pushteti i bollshëm që ka, ku sekush mund të marr “llokmën” e tij, por edhe nga ndjesia e mbajtjes së pushtetit edhe në mandatin vijues, duket e unifikuar në qëndrimet e saj, pa zëra ndryshe e pa skizma.

Opozita nga ana tjetër, paraqet një panoramë, besoj unë, më komplekse se kurrë. Partia Demokratike e cila ka qenë gjithnjë unifikuesja e qëndrimeve opozitare në vend dhe udhëheqësja e vërtetë e aksionit opozitar historikisht, pavarësisht disa zhvillimeve pozitive brenda vetes në muajt e fundit, veçanërisht pas kalimit të vulës e logos tek grupimi “Berisha”, me liderin e saj të plakur, të lodhur nga izolimi në arrest shtëpie, e më tepër se kaq, të lodhur nga izolimi kombëtar e ndërkombëtar prej bëmave të tij, me një ekip drejtuesish më të vjetër se vetë ai në mendësi, e të fiksuar pas metodave të vjetra berishiste të të bërit opozitë, akoma mbetet e vogël dhe thuajse e pamundur për të prodhuar e udhëhequr një lëvizje të fuqishme, që do t’i rrëzonte socialistët nga pushteti. Përqëndrimi tek halli i Berishës së izoluar dhe bartja e berishizmit pa asnjë modifikim nga ata që pretendojnë, se cili të jetë i parë tek Partia Demokratike dhe të marrin bekimin e liderit për një karrige në parlamentin e ardhshëm, e rrudhin edhe vetë këtë forcë, gjithsesi të zvogëluar. Të njëjtin problem kanë edhe partitë e dala nga PD - ja, si demokratët euroatlantikë të Bashës, apo të Djathtët e Alibejajt, veçse me një ndryshim të dukshëm prej partisë mëmë. Ata duket se e kanë flakur berishizmin, të paktën për momentin, në mos si strategji, të paktën si një taktikë elektorale, duke e kuptuar se ajo i dëmton ata, por problemin e tyre të madh kanë bindjen e elektoratit, atyre të djathtë kryesisht, që kanë votuar tradicionalisht PD - n dhe arritjen që të përfaqësohen në parlamentin e ardhshëm me një apo disa figura prej tyre, personalisht të konsumuar nën siglën e PD - s. Një gjë është e sigurtë: Ata do t’a copëtojnë e zvogëlojnë rezultatin elektoral të së djathtës shqiptare, duke lehtësuar rrugën e Ramës dhe të PS, qoftë duke fituar mandate, qoftë edhe duke mbetur jashtë parlamentit (uroj seriozisht mos të ndodh kjo!), gjë që e favorizon edhe ligji zgjedhorë. Disa artikulime të qarta prej tyre, por edhe nga partia e Lapajt, ajo e Qorrit etj, në se do të fitojnë terren, edhe pse nuk e lëkundin fitoren e Ramës, të paktën mund t’a bëjnë atë më të matur në të ardhmen…

Ndërsa partia e ish presidentit duket se është në pikën e saj më të dobët dhe vuan të njëjtat simptoma si PD e Berishës, e përqëndruar rreth halleve të liderit pa mundur t’ia lehtësojë ato, dhe për më tepër duket se i ka shtuar hallet e opozitarizmit në vend. Por, thënë gjithë këto, a ka ndonjë gjë që e rrezikon Ramën sot? Mendoj se Rama rrezikohet seriozisht nga vetvetja. Brenda radhëve të mazhorancës aktuale ka një “ushtri” të bindur, dhe as që e llogarit ndonjërin prej tyre, ndërkohé që jashtë radhëve, Berisha e berishizmi duket se nuk e rrezikojnë dot as sot, as mot. Bile, zërat në “shkretëtirë” i atribojnë atij kontribute të qënësishme që opozita të jetë “kashtë e k…qe” e të identifikohet me Berishën e Metën, me të cilët ndjehet komod e i sigurt. Berisha i sotëm nuk e mund dot, berishizmi opozitar, siç përmendem më lart, është tkurrur vetëm në një pjesë të opozitës, PD - n zyrtare, të tjerët opozitarë as vetë nuk pretendojnë ardhjen në pushtet, së paku jo në zgjedhjet e radhës, por mjaftohen me hyrjen në parlament si pretendim bazë e marrjen e një pakice bllokuese, apo me rolin e “king maker - it”, si pretendim maksimal. Por Rama nuk është i parrëzueshëm dhe i parrezikuar në pushtetin e tij të tejzgjatur! Çfarë e rrezikon atë?

Asgjë më shumë se berishizmi, tashmë i injektuar apo i përvetësuar dukshëm nga ai vetë e i transmetuar edhe në trupën e metodën qeverisëse. Ku e si shfaqet ky berishizëm? Dukshëm në pushtetet janë uzurpuar të gjitha, jo vetëm nga Partia Socialiste që prej vitesh, por edhe për faje të rënda të opozitës, por kryesisht nga Edi Rama e një grusht njerëzish rreth tij, dukshëm shërbëtorë “të bindur”. Duket ditur se asnjë inisiativë ka kohë që nuk gjenerohet nga trupi i madh i partisë që dikur “vlonte”, e bënte që vendimmarrja të prodhonte frymë. Sot vendimmarrja i takon vetëm “Njëshit”, si e tillë ajo mund të sjellë ndonjë rezultat, ndonjëherë edhe më të shpejtë se sa në qeverisjet, ku vendimmarrja vjen nga struktura demokratike funksionale, por ajo s’prodhon frymë, përveç nuhatjes së karrigeve e joshjes nga mundësitë e shumta të pushtetit pa kufizim. Ky pushtet ka joshur e ka bërë të heshtin socialistët e vërtetë, por edhe zëra opozitarë, ndonëse pa ndonjë peshë të dukshme elektorale. Megallomania, mendjemadhësia e arroganca pushtetore, dukshëm ka bërë që socialistët të mos ndjehen më në pushtet, ndonëse votojnë të njëjtën parti, qoftë si forcë zakoni, apo si mungesë e një alternative tjetër më afër frymës së tyre. Jo pak here, Kryeministri ka shpallur publikisht se jemi të dënuar “të bëjmë vetë edhe pozitën, edhe opozitën”, duke spekuluar me opozitën e shkërmoqur, e jo rrallë qëllimkeqe. Ka tentuar edhe të “prodhojë” njëfarë oponence brenda vetes, duke “shpikur” edhe mekanizma qeveritarë apo parlamentarë, përmes komisioneve apo drejtorive të ndryshme. Oponenca është e nevojshme për t’a mbajtur qeverisjen larg veseve të këqija që e gërryjnë atë. Ajo është si një trup i shëndetshëm që prodhon autotrupa immunë dhe mbrohet prej tyre në shumë raste agjentësh të zakonshëm patogjenë, por këto reagime autoimmune nuk janë të mjaftueshme, sidomos në kushtet kur “agjentët patogjënë” janë shtuar shumë e kur “trupi qeverisës” për shkak të kohëzgjatjes në kontakt me ta, humbet aftësinë vetëreaguese, ndaj shkenca ka shpik vaksinat që e parapërgatitin organizmin e shëndoshë të reagoje kur bie në kontakt me agjentin patogjen. Biologët e mjekët i dinë mirë këto gjëra, por unë dua të sjell në vemendje faktin se “vaksina” për një trupë qeverisëse të shëndoshë është opozita. Ndonëse ajo ka qenë e dobët, qeverisja duhet theksuar se asnjëherë nuk i ka marrë parasyshë nismat e saj, me pretendimin se “ne i bëjmë vetë të gjitha” por, për t’a vazhduar fabulën e vaksinës, trupi i pavaksinuar rregullisht e paraprakisht, kur bie në kontakt me “agjentët patogjenë”, ose nuk reagon e shkatërrohet prej tyre, ose reagon “dhunshëm” (dukuria e hiperimunitetit), duke rrezikuar të pësojë të njëjtin fat. Një ari nuk pyet kurrë për milingonat, por edhe ato e “shqetësojnë” kur i hyjnë në gëzof, pa përmendur se jo rrallë atij i duhet të ushqehet e mbajë frymën gjallë me to. Njerëzit nuk “hanë” shifra, por e ndjejnë mirëqënien dhe e duan atë! Vërtetë janë rrit rrogat, por sa mirëqënie prodhojnë ato? Kush i përfiton rrogat e larta, që thuhen se po kapin mesataren nëntëqind euro? Ato u përkasin kryesisht administratës, e sidomos niveleve të larta të të gjitha pushteteve, duke krijuar dukshëm një hendek të madh mes atyre e njerëzve të nivelit zbatues, pa hyrë në faktin se në sektorin privat situata është dhimbshëm më ndryshe. Nuk kam statistika të sakta për fondin e pagave në sektorin shtetërorë, por kam njëfarë bindje të brendshme se më pak se 30% e saj, shpenzojnë mbi 60 - 70% të gjithë fondit të pagave buxhetore.

Me pensionet e pensionistët, që janë shtresa më e madhe mbështetëse e të majtës, situata është edhe më keq. Thuhet se pensionet e larta e të posaçme, kryesisht privilegje të rezervuara vetes apo “dhurata” qeveritare ndaj shërbëtorëve të verbër të saj, konsumojnë pjesën më të madhe të fondit të pensioneve deri në nivele alarmante, ndërkohë që 100 - 150 mijë pensionistë, kryesisht ata të zonave rurale, e me pensione familjare, marrin më pak se 150 euro në muaj. Lexova këto ditë diku në një faqe që mban emrin e Rilindjes e të Kryeministrit Rama, angazhimin që deri në vitin 2030 - të të mos kishte më pensione nën 150 euro! M’u duk cinike dhe e turpshme kjo situatë, për më tepër e paraqitur si mburrje apo premtim elektoral. A e di qeveria dhe kryeministri ynë se shumica e pensionistëve të zonave rurale, sot ose jetojnë të vetmuar në fshatra pa asnjë mundësi fizike të shfrytëzojnë ato resurse që fshati të ofron, ose jetojnë në qytete, po të vetmuar e me qira stratosferike, pasi ata nuk kanë një banesë të tyre. E çfarë mund të sigurojnë ata me ato 150 euro (në se keni mëshirë e ua jepni edhe ato!), pasi shumica e tyre vuajn nga një koalicion semundjesh që nuk përballohen as nga pensioni i tyre minimal, i barabartë me honoraret mujore të shpenzimeve telefonike të një deputeti? Ne këndej poshtë, “me gishta” i bëjmë llogaritë: Vetëm kosto e barnave merr 50% të pensionit të tyre mujor, kusurit i gjendet vendi lehtë… Andej nga ju, sidomos me “akademistët” e shumtë, që keni tërhequr në qeverisje nga “Akademia e Barinjve”, nuk di si u dalin llogaritë!

A ka më turp e më propogandë bajate, tipike berishiste, se kaq?!

Ky nivel prej 150 eurosh, si bazë duhej arritur menjëherë, bile është tepër vonë, dhe të mbulohej me stopimin e rritjes galopante të pagave e privilegjeve të tjera për administratën e lartë, për qeveritarët, deputet e deri në sistemin gjyqësor. A thua na e ndritën jetën këta njerëz, e tash duhet t’ua qajmë hallin e t’u japim edhe paga që aktualisht kapin 3 - 5 mijë euro në muaj, krahas zhvatjes që na bëjnë përditë pa ligj, hapur e pa asnjë frikë. Pse s’themi atëherë si dikur… Marrshin ditë, nga ditët tona?

Simptoma berishiste në modelin e qeverisjes aktuale, ka shumë. Shkëputja e dukshme nga realiteti, refuzimi për t’a shikuar atë drejt e në sy, mospërfshirja e bazës, qoftë edhe të asaj partiake në qeverisje, modeli i pabalancuar i zhvillimit ekonomik, arroganca qeverisëse, korrupsioni si realitet dhe si perceptim, janë simptomat e një sëmundje të rëndë në trupin e pushtetit actual, në të gjitha nivelet e instancat dhe që përbëjnë opozitën e vërtetë ndaj Edi Ramës, por ky tip “opozite” ngjanë pikë për pikë me berishizmin opozitarë, që kur të vë përpara, s’ka “mëshirë”, as nuk njeh norma e mjete, derisa të të eleminoje edhe fizikisht. Askush më shumë se vetë partia socialiste, vetë socialistët me dhe pa parti, nuk e kanë në dorë t’a stopojnë lëngimin e gjatë nën këto simptoma të rënda, që të ndalet fundi alla nëntëdhjetë e dy, apo alla nëntëdhjetë e shtatë, gropa e të cilit i përpinë opozitarë e pushtetarë, pa asnjë dallim. Kuptohet, aq pak sa do të mbeten në këtë vend deri atëhere! Tek socialistët pra gjendet “çelësi”, të paktën edhe në zgjedhjet e radhës, por a do ta humbasin ata si “gjilpërën në kashtë” ndryshe nga “nuhatja” e tyre tradicionale? Mbetet për t’u pare, por gjasat janë të pakta!

Duke shkruar këto radhë, në mend më erdhi një fabul e treguar, s’di se nga kush, as kur: Një hoxhë kishte ngacmuar seksualisht një grua. Kjo i kishte rënë në vesh të shoqit dhe djalit të saj të rritur. Djali i propozon të atit që t’a eleminonte hoxhën, por babai besimtar nuk pranonte.

- E vret Zoti vetë, bir!, - i thoshte babai.

Një ditë prej ditësh, i lodhur nga pritja “që Zoti të bënte punën e tij me hoxhën”, djali hyri fshehur në xhami, doli në minare dhe priti derisa hoxha u përhumb pranë murit duke thënë duva përpara besimtarëve të shumtë, që e kishin rrethuar xhaminë në të katër anët. Ju afrua fshehurazi dhe e hodhi hoxhën nga ballkoni, ndërsa vetë doli po fshehurazi e shkoi në shtëpi. Babai, duke menduar se i doli profecia, i tha të birit:

- E sheh bir! Ja theu Zoti qafën hoxhës mëkatar!

Djali pohoi me krye dhe iu drejtua të atit:

- Po, po. Zoti i theu qafën, por u desh pak edhe ndihma ime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat