Për herë të parë në historinë e saj, Dardania arriti ta formoi ushtrinë e saj të rregullt. Dhe çfarë ndodhi? Ka mbetur pa bukë, e uritur.
I janë ndërprerë furnizimet me ushqime e ujë. Dhe pse ? Të mos jetë në gjendje t´i kundërvihej Serbisë.
Pra, po mos të ishin Ramush Haradinaj, Limaj, Abdixhiku, Krasniqi, Isa Mustafa etj. kjo hata nuk do zbulohej. Ushtria po vuan për bukë e ujë. Nuk kanë çka të hanë e pinë.
Qeveria dhe Kurti ua kanë ndërprenë bulmetin, specat turshi, lakrat, porritë, patatet, flijat, pitet, kerlanat me duqe e bakllavat. Nuk dihej se me çka ushqehen, apo si po e mbajnë shpirtin. Në mungesë të ushqimit, i kanë ndërprerë të gjitha aktivitet ushtarake. NATO ka reaguar, si tua besoi misionin e anëtarësimit.
Llogaritej se po mbijetojnë me ndihmat që po u vijnë nga organizatat e ndryshme humanitare të vendit, biznesmenët e ndryshëm dhe nga qytetarët zemërgjere.
Dikush ua dërgoi një rimorkio patate, dikush kunguj, dikush qepë, dikush fasule, dikush karota, dikush speca, dikush domate, dikush makarona, miell, sheqer, kripë, vaj etj. etj.
Opozita me vigjilencën e saj këtë temë e aktualizoj, duke kërkuar që votuesit të mendojnë, se kujt po ia japin votat.
Duam ushtri profesionale, e cila është në gjendje që ta mbroj çdo pëllëmbë të Kosovës, apo duam ushtri e cila para se të nisej në luftë, duhet t´i shtrëngoi brekët që mos t´u bien, nga stomaku i zbrazët.
PDK po kërkon seancë urgjente, për hetimin e mungesës së ushqimit për ushtrinë. Ne në krye me Thaçin e formuam, e kalitëm, e çliruam Kosovën dhe e rritëm deri në këtë ditë, kurse Vetëvendosja po na e lenë pa bukë e ujë.
AAK është duke u preokupuar për një komunikatë, se çfarë duan të kërkojnë, pasi zoti Haradinaj është duke u marr me Kurtin si spiun i Serbisë, e bashkëpunëtor i Vuçiqit.
LDK me Abdixhikun pasi ofruan pemparse pa pagesë për fëmijët dhe të moshuarit, po e kërkojnë mendimin e Isa Mustafës, se si duhet të reagojnë në këtë situatë.
Limaj po mendon të hapë lokale për ushtrinë, ku do të mund të ushqeheshin me qebapë e fasule pa pagesë, kurse zoti Pacolli po mendon ta ndaj një milion euro, për zgjidhjen e problemit të ushqimit, nëse në zgjedhjet e ardhshme i propozohet një post ministror.
Për këtë problematikë, çdo opsion është i hapur. Po të gjendet ndonjë zgjidhje e shpejtë, opozitës do t´i shtereshin opsionet dhe temat e nxehta, me të cilat do të merreshin.
Ministri i mbrojtjes, po ashtu e komplikoi gjendjen. E refuzoi dorëheqjen. Po të dorë hiqej, opozita do të kishte material të fuqishëm në duar, në përpjekje për ta rrëzuar Kurtin.
Zoti Ramush Haradinaj, po mundohet me të gjitha forcat ta luftoj Albin Kurtin, po askush nga opozita nuk po i bashkohet aksionit të tij.
Ndoshta po i duartrokasin fshehtas, po sa ka efekt kjo. Të parët po apelojnë: kështu vetëm sa po e lartësoni edhe më lart Kurtin, po kujt t´i thuhet.
Të dytët po flasin se zoti Haradinaj, me mençurinë e tij, po përpiqet që Albin Kurtin ta nxis në reagim të pakontrolluar, ndaj akuzave të tij.
Të tretët po flasin se Kurti po e përdor taktikën e Rugovës (të cilit mbi kokë i rrinin Qosja e Demaçi) i cili koncentrohej në punët e atdheut, e nuk merrej se kush çka fliste për te.
Të katërt po flasin se zoti Haradinaj, për sulmin ndaj Kurtit, është në koordinim me Grenellin. Është një parapërgatitje për ta rrëzuar Kurtin, nëse Trump këto ditë i fiton zgjedhjet në SHBA.
Çmos po flitet, po askujt si shkoi ndër mend të deklaronte parullën e enveristëve: barë do hamë, e armikut nuk i dorëzohemi.