Shpopullimi është rreziku më i madh për shqiptarët

Opinione

Shpopullimi është rreziku më i madh për shqiptarët

Nga: Faton Mehmeti Më: 18 tetor 2024 Në ora: 16:01
Autori Faton Mehmeti

Shqiptarët gjithnjë kanë pasur lidhje të veçantë me atdheun. Lidhja e njeriut me atdheun dhe vendin e tij është një çështje e rrënjosur thellë në shpirt. Atdheu është vendlindja, është vendi i jetës, vendi i adhurimit, vendi i pasurisë dhe mallësisë, vendi i krenarisë. Ndërkohë, njeriu është frymori më i shenjtë dhe më i vlefshëm në jetë. S’ka me njeriun! Ai është qenia e parë që e drejton jetën, botën... Lidhja e njeriut me atdheun bëhet më e fortë në momente të vështira për atdheun, kur ai është në rrezik nga pretendimet e armiqve, që historikisht na kanë përcjellë shqiptarëve.

Fatmirësisht, kombi shqiptar gjithnjë ka pasur njerëz të ndritur, të cilët i kanë gjendur atdheut në momentet kritike të saj. Luftëtarët ishin ata që i dolën zot popullit shqiptar, ishin fytyrat e ndritura të kombit shqiptar. Ndërsa antiteza e patriotëve ishin politikanët, të cilët zhvatën popullin e rraskapitur nëpër rropatjet e jetës. Siç thoshte edhe Konica i madh: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”

Pothuajse njëzet e pesë vjet pas çlirimit të Kosovës, askush s’do ta besonte se emigrimi do të mbetej rruga e vetme për një vend pune. Gjatë luftës, mijëra njerëz si refugjatë ishin strehur nëpër vende të ndryshme të botës, me shpresën se me në fund erdhi liria dhe do të jetonim jetë të dinjitetshme, si të gjithë qytetarët e ndershëm të Evropës e botës, por u gabuan. Në fakt, u zhveshën nga maska ata që thirreshin në emër të luftës dhe të çlirimit. Vetëm nga shtatori i vitit 2014 e deri në fillim të shkurtit të 2015, nga Kosova u larguan mbi dyzet mijë qytetarë shqiptarë. Ikjet vazhdojnë. Për ironi, qeveria e asaj kohe të Republikës së Kosovës miratonte një rezolutë kundër imigrimit, përveç se shkel të drejtat e njeriut, në të njëjtën kohë e komplikon situatën edhe ashtu të vështirë.

Njerëzit kanë rrezikuar me vdekje për një jetë më të mirë, pasi në Kosovë s'ka parë frymë të jetës, s'ka perspektivë e për më tepër njeriu i ndershëm vuan, sepse nuk është si të tjerët. Kjo situatë tragjike më kujton veprën e Viktor Hygo-s “Njeriu që qesh” (1869). Ky roman i fundit, në veçanti, është një vepër pak e njohur, në të cilën shfaqen opinionet dhe angazhimi i tij politik. Në këtë roman, autori paraqet korrupsionin në klasën politike, ku dashuria e pastër dhe e dlirë, lakmia për prestigj, luksi si hobi: të gjitha këto pasione janë mbledhur në të njëjtën shoqëri që diferencohet për dukje dhe që nuk harron të shikojë më tutje, por vetëm të qeshë me fatkeqësinë. Finalja tragjike e romanit nuk e pakëson besimin në çlirimin e ardhshëm të njerëzve të shtypur, sepse në anën e heronjve mbetet forca e pathyeshme e drejtësisë morale. Sot, sfida kryesore është ndalja e shpopullimit të vendit; pa njerëz, as liria s’ka kuptim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat