23 vite pas vrasjes së paralajmëruar të gazetarit të “Bota Sot”, Bekim Kastrati: E vërteta e heshtur që ende kërkon drejtësi

Opinione

23 vite pas vrasjes së paralajmëruar të gazetarit të “Bota Sot”, Bekim Kastrati: E vërteta e heshtur që ende kërkon drejtësi

Xhevdet Mazrekaj Nga Xhevdet Mazrekaj Më 19 tetor 2024 Në ora: 17:22
Bekim Kastrati

Përvjetori i vrasjes së Bekim Kastratit është një moment reflektimi dhe kujtese për të gjithë ata që kanë ndjekur nga afër periudhën e pasluftës në Kosovë. Sot, 23 vite pas asaj dite të rëndë, kujtojmë Bekim Kastratin, gazetarin e guximshëm të “Bota Sot,” i cili nuk kurseu asnjëherë për të thënë të vërtetën, dhe Besim Dajakun, luftëtarin e lirisë dhe pjesëtar të sigurimit të Presidentit Rugova, të cilët u ekzekutuan mizorisht. Kjo vrasje, e cila nuk është zbardhur ende plotësisht, mbetet një plagë e hapur për të gjithë ne.

Bekim Kastrati ishte më shumë sesa një gazetar. Ai ishte një zë i fuqishëm që kishte informacione të rëndësishme për ato që ndodhnin pas kulisave, veçanërisht për disa figura që e quanin veten heronj, por në realitet kishin përfituar nga lufta. Pak ditë para se të vritej, flitej se Bekimi kishte një temë tronditëse për të botuar, e lidhur me një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur në zonën ku kishte qenë përgjegjës Sulejman Selimi gjatë luftës. Pikërisht atë ditë fatale, Bekimi ishte rrugës për një takim me Selimin. Vrasja e tij duket se ka qenë e planifikuar nga ata që nuk i konvenonte që këto të vërteta të dilnin në dritë.

Megjithëse redaksia e “Bota Sot” kishte marrë disa masa për ta mbrojtur, përfshirë sigurimin e një arme për Bekimin, këto masa nuk mund të ndalonin skuadrat e vrasësve paslufte, të cilët vepronin me një profesionalizëm të frikshëm. Ndoshta, siç shumë besojnë sot, do të kishte qenë më mirë që Bekimi të kishte publikuar materialet e tij sa më shpejt, sepse e vërteta është një armë më e fortë se çdo gjë tjetër.

Bekim Kastrati nuk ishte vetëm një gazetar; ai ishte edhe pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte informacione të brendshme që mund të trondisnin disa nga figurat kryesore. Vrasja e tij ishte një përpjekje për të heshtur fjalën e lirë dhe për të mbuluar të vërtetën. Por, siç thonë, gjaku nuk humbet kurrë. E vërteta do të dalë gjithmonë në dritë.

Sot, nderojmë kujtimin e tij dhe të Besim Dajakut, dy figura që u sakrifikuan për lirinë dhe të vërtetën. Drejtësia mund të vonojë, por nuk do të harrohet kurrë. Në paqe qofshin, Bekim dhe Besim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat