Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! - VI

Opinione

Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! - VI

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 20 tetor 2024 Në ora: 17:28
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Qeverisja 2005-2009 shënoi suksesin më të madh të qeverisjes në Shqipëri prej shembjes së komunizmit e deri më sot. U rritën dhe u dyfishan pagat dhe pensionet. Disa profesione, si ai i mësuesit, të cilat ishin braktisur për shkak të pagës së ulët, u bënë profesione tashmë të preferuara e të lakmuara. U rrit numri i universiteteve dhe sidomos i studentëve. U frenua emigracioni dhe madje shumë emigrantë filluan të kthehen e të investojnë në Shqipëri. Në këtë trend ndikoi gjithashtu kriza ekonomike e financiare sidomos në Greqi e Itali, ku edhe numri i shqiptarëve të emigruar ishte më i madh se kudo gjetkë.

Shqipëria arriti që të shënojë tregues ekonomikë, socialë dhe të miqëqeverisjes në mbimesataren e rajonit. Edhe besueshmëria te institucionet u rrit. Madje në maturinë e instituteve ndërkombëtare për lumturinë, shqiptarët renditeshin në kuota të larta. Atmosfera e përgjithshme në opinion ishte pozitive. Dhe me këta tregues pozitivë vendi shkoi në zgjedhjet e vitit 2009. Ato u zhvilluan në qershor të atij viti. Megjithatë Partia Demokratike e Sali Berishës nuk i fitoi këto zgjedhje. Ajo mori 70 deputetë të parlamentit shqiptar ose 50 përqind të tij. 70 deputetë të tjerë i morën Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Një prej të zgjedhurve si deputet të LSI-së, Dritan Prifti, deklaroi se “Nëse PD nuk e formon qeverinë për një deputet më shumë, atëherë jam unë ai që do t’i bashkohem asaj”!

Kësisoj lindi një mazhorancë e re, një koalicion i ri, ai midis Partisë Demokratike që kishte gjysmën e deputetëve të kuvendit dhe LSI-së, e cila kishte 4 deputetë. Përfaqësuesit e LSI-së iu bashkuan koalicionit qeverisës dhe e kushtëzuan atë për një deputet. Ndërkohë morën 20 përqind të vendeve në qeveri dhe në administratën publike. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u emrua zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Dritan Prifti ministër i Ekonomisë etj. Që në këtë moment filloi të tronditej parimi i qeverisjes sipas ligjit të administratës publike. Sepse ose do të duhej të krijoheshin vende të reja pune për përfaqësuesit e LSI-së, ose do të duhej të largoheshin disa nga administrate publike, me qëllim që të krijohej boshllëk për tërheqjen e përfaqësuesve të LSI-së. Ndërkaq këta përfaqësues në një masë të caktuar sollën me vete përvojën e gabuar të abuzimit me pushtetin dhe fondet e buxhetit të shtetit. Megjithatë në oponionin ndërkombëtar ky koalicion u vlerësua për tolerancën e pazakontë midis së majtës e të djathtës në Shqipëri. Për herë të parë bëheshin bashkë në qeverisje e dkjathta dhe një pjesë e së majtës së vendit.

Ndërkohë opoozita e Partisë Socialiste me Edi Ramën filloi me agresivitet luftën opozitare kundër qeverisë dhe institucioneve të vendit. Ajo dëshironte shkuarjen në zgjedhje të reja dhe jo koalicionin PD-LSI. Ndaj dhe PS shpalli mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe kërkoi hapjen e kutive të votimit për rinumërimin e votave. Këto kërkesa u artikuluan pas kalimit të afateve të ankimimit të rezultatit zgjedhor, atëherë kur LSI iu bashkua në bashkëqeverisje Partisë Demokratike. Kryeminitsri Berisha u përgjigj se “Hapja e kutive dhe rinumërimi i votive nuk mund të bëhet me marrëveshje politike midis palëve opozitë-mazhorancë, por me vendime të gjykatës kompetente. Dhe i kërkoi opozitës të bënte anikimim në Kolegjin Zgjedhor ose Gjykatën e Lartë. Por ankimimi që duhej ta bënte opozita duhej shoqëruar me prova të mjaftueshme për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare. PS e Edi Ramës nuk donte anikimimin e procesit, sepse nuk i kishte këto prova. Thoshte apriori se “provat gjenden në kutitë e votimit”. Pra donte të impononte një zgjidhje politike për këtë.

Berisha nuk u pajtua me kërkesën e Ramës. Atëherë PS dhe Edi Rama nisën protestat e dhunshme në të gjithë Shqipërinë. Sipas statistikave, në dy vite janë zhvilluar mbi një mijë protesta të opozitës. U dogjen goma makinash dhe u bllokuan akset rrugore më të rëndësishme të Shqipërisë. Të gjitha me logon “Hap kutitë ose largohu”! Ishte një aksion politik i tipit stalinist për të detyruar qeverinë e Partisë Demokratike plus LSI për ta lëshuar pushtetin përmes presionit të rrugës. Kjo situatë, së bashku me krizën globale ekonomike e financiare, e rënduan gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit. Bllokimi i akseve rrugore dhe krijimi i atrmosferës së dhunës kudo në Shqipëri, sidomos në jug e në Shqipërinë e Mesme, çoi në frenimin e zhvillimit ekonomik.

Ndërkaq Partia Socialiste organizoi në maj të vitit 2010 një grevë urie. Ajo ishte me pjesmarrje të madhe të rreth 1000 vetave dhe zgjati 20 ditë, derisa ndërhynë autoritetet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës. Në fund europianët organizuan një takim dhe bisedë me dy liderët shqiptarë, kryeministrin Berisha dhe kryeopozitarin, Edi Rama, në një restorant me emrin “Krokodili” në Strasburg. Nuk dihet se për çfarë u morën vesh dy liderët politikë të vendit në atë darkë pune e bisedimesh. Por për disa muaj situata erdhi në qetësi dhe protestat e socialistëve u rralluan. Sigurisht për t’u përshkallëzuar në fundin e vitit 2010.

Më 25 dhjetor të vitit 2010 shqiptarët filluan lëvizjen e lirë pa viza në vendet e Shengenit të Bashkimit Europian. Vendimi ishte marrë muaj më parë. Pas marrjes së këtij vendimi opozita e socialistëve të Ramës rifilloi konfliktin politik dhe nxiti sërishmi akte dhunë kundër qeverisjes së Sali Berishës. Në dhjetor të atij viti u publikua një video e manipuluar, me të cilën akuzohej zv.kryeministri dhe ministër i Ekonomisë, Ilir Meta, për korrupsion prej 700 mijë eurosh. Videoja iu dha Edi Ramës nga ana e bashkëpunëtorit të afërt të Metës, Dritan Prifti. Në variantin e parë të videos ishte montuar edhe një fjali, me të cilën involvohej në korrupsion Liri Berisha, me qëllim që të përfshihej kështu e medoemos familja e kyeministrit në këtë histori. Por më pas u tërhoq variant i parë dhe u hoq pasazhi që kishte të bënte me gruan e Doktorit.

Bazuar në montimin e asaj video të manipuluar Partia Socialistë mobilizoi militantët e saj si dhe qytetarët për një protestë masive të caktuar për datën 21 janar 2011. Protesta u shoqërua me paralajmërime dhe kërcënime për dhunë nga ana e lidershipit socialist. Edi Rama deklaroi një ditë para protestës se “Ju (institucionet e shtetit – qeveria) do të kaloni mbi trupat tanë”! Ndërkohë që bashkëpunëtori i tij i afërt, Spartak Ngjela, deklaroi se “nuk është asgjë nëse vriten edhe 30 apo 300 veta” për rikthimin e demokracisë”! Dukej qartë se protesta do të ishte e dhunshme. Në fakt ashtu ndodhi. Diku rreth orës 14 të drekës filloi grumbullimi i protestuesve. Mbaj mend te fillimi i Rrugës së Durrësit që del në Sheshin Skënderbej të ishin mijëra demonstrues që vinin nga Kamza dhe Bathorja, të cilëve u printe N.D. Shumica ishin me mjete të forta në duar, drinj, gurë etj. Dukeshin qartë se ishin përgatitur etshëm për dhunë. Dhuna u injektua jo vetëm në fjalimet e deklaratat e liderëve të opozitës, por edhe me forma të tjera të paligjjshme. Jam I bindur se N.D është penduar për aktet e dhunës së asaj dite, sepse edhe më i moderuari i Partisë Socialiste do t’i bindej asaj atmosfere të dhunshme të asaj dite.

Prej këtij momenti e deri pak pas orës 16.00, pra për dy orë radhazi, policia e shtetit e bërë gardh te kryeministria u godit me të gjitha mjetet e mundshme, me qëllim që të çahej korrdoni dhe turma të hynte në kryeministri. Një makinë veturë u fut përmes turmës dhe ngeli në ganxhat e portës së hyrjes për në oborrin e kryeministrisë. Erion Veliaj ngjyrosi me bojë të kuqe një protestues dhe e reklamoi para kamerave si të plagosur nga ana e forcave të rendit. Askush nuk e thirri zotin Veliaj të jepte shpjegime për këtë akt të regjistruar nga kamerat televizive të shumta. Ndërkohë, sapo situata filloi të qetësohej, pak pas orës 16.00, u dëgjuan krisma. Ishte momenti kur demonastruesit kishin filluar të largoheshin e bashkë me ta për pak kohë u zhdukën edhe policët në ruajtje të kryeministrisë. Nga krismat e armëve u vranë tre demonstrues dhe u plagosën disa të tjerë. Për dy viktima prokuroria ka provuar se plumbat erdhën nga njësia e zjarrit e Gardës së Republikës. Më vonë ndërroi jetë edhe një nga të plagosurit dhe numri i viktima shkoi në katër protestues. Kur ra mbrëmja, protestuesit u shpërndanë nga ana e policisë.

Viktimat e asaj dite e shënuan këtë protestë në kalendarin historik të protestave dhe ngjarjeve të Shqipërisë si një njollë. Në fund të fundit u vranë katër protestues, pra katër qytetarë, të cilët, nëse shteti nuk i vrau, ai e kishte për detyrë t’i mbronte. Më e pakta mbetet të thuhet se strukturat e shtetit u treguan të paafta. Sidomos policia dhe SHISH. Ata duhej t’i kishin zbuluar të gjithë skenarët, duhej të parashikonin gjithçka dhe duhej të mbronin çdo jetë njeriu. Ndërsa polemikat menjëherë në ato orë të vona të datës 21 janar 2011 midis kryeministrit Berisha, kryeprokurores, Ina Rama dhe presidentit të vendit, Bamir Topi, ishin të ashpra. Bamir Topi e quajti protestën një “ngjarje në bulevard”! Ina Rama urdhëroi arrestimin e të gjithë zingjirit të Gardës së Republikës, ende pa monitotuar vendin e ngjarjes ku humbën jetën protestuesit. Sali Berisha lëshoi gojën, duke përdorur një fjalë fyese për kryeprokuroren.

Dukej qartë se presidenti dhe kryeprokurorja kishin bërë pakt me kreun e opozitës, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ata të dy morën në mbrojtje dhunën e ushtruar kundër policisë dhe gardës dhe sulmuan kryeministrin, policinë dhe qeverinë. Madje ende pa përfunduar protesta tejet e dhunshme e opozitës. Berisha besoi se po përballej me një skenar të parapërgatitur. Megjithatë gaboi kur lëshoi gojën ndaj Ina Ramës, duke e quajtur atë “prostitutë e bulevardit”. Thashë se fjalën bulevard e solli në diskurs presidenti Topi para kryeministrit Berisha.

Gjithësesi u arrestua komandanti i Gardës së Republikës dhe tre ose katër gardistë të tjerë. Midis tyre edhe shefi i grupit të zjarrit, Agron Malaj. Këta u dënuan më vonë nga ana e gjykatës me disa vite heqje lirie. Por komandanti Malaj, sapo doli nga burgu iu bashkua Partisë Socialiste, e cila organizoi protestën e dhunshme të 21 janarit 2011. Më pas u bë kryetar i Degës së kësaj partie në Mat dhe sot është kryetar i Bashkisë së Matit, duke përfaqësuar partinë, e cila pretendon se ky komandanti “me urdhër të Sali Berishës” ka vrarë katër militantët e Partisë Socialiste para gati 24 viteve. Askush nuk ka investiguar se si është e mundur që gardisti, komandant edhe i grupit të zjarrit të asaj dite vrasjesh, pas daljes nga burgu të arrinte që me ndihmën e Edi Ramës të bëhej kryetar i Bashkisë së Matit?!

Pavarësisht kësaj PS dhe Edi Rama e shfrytëzuan atë ngjarje për të akuzuar së paku politikisht Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha. Dhe askush nuk ka dashur të vejë re se që nga ajo ditë e deri më sot, asnjëherë nuk është sulmuar për këtë ngjarje ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim basha, i cili udhëhoqi operacionin policor e të Gardës për mbrojtjen e institucionit të kryeministrisë. Kanë ngelur gjithashtu pa përgjigje disa enigma dhe dilema: - Çfarë interesi kishte qeveria dhe kryeministri të vrisnin protestuesit pasi që protesta po shuhej?! Nëse ishin të interesuar për viktima, pse nuk u përdorën armët në kulmin e dhunës që protestuesit ushtruan kundër godinës së kryeministrisë?! A mos vallë kreu i opozitës veproi e urdhëroi vënien në veprim të skenarit të vrasjeve kur pa që protesta po dështonte?! Nesë ajo protest mbyllej pa viktima, humbësja e madhe e kohës do të ishte Partia Socialiste në opozitë dhe përfituesja më e madhe do të ishte qeveria e zotit Berisha. Pse duhej që qeveria, garda ose kushdo tjetër në momentin kur e fituan betejën me opozitën, t’i jepnin asaj trofenë e fitores së humbur?!

Prokuroria dhe gjykata hetuan nagjrjen në themel, por asnjëherë nuk hetuan organizatorët e dhunës së protestës. As ata që e paralajmëruan dhunën në ekranet e televizionit, pra Edi Ramën, Spartak Ngjelën etj. Nuk hetuan dhe nuk tentuan të hetonin telefonatat midis aktorëve të organizimit të protestës e të disa gazetarëve të ngujuar te dy kullat e bulevardit. Hetimi ishte i njëanshëm, ndaj nuk çoi në zbulimin e plotë të ngjarjes. Megjithatë përgjegjësia shtetërore për viktimat duhej nxjerrë. Kjo përgjegjësi nuk u provua të jetë penale, por gjithësesi është morale. Ndaj dhe ministri i Brendshëm i kohës duhej të dorëhiqej, pavarësisht se opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit e jo edhe të ministrit përgjegjës. Nuk ndodhi për shkak të frikës se mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha do të humbiste kapital politik dhe rrjedhimisht po pranonte se është fajtore në vrasjen e katër qytetarëve në protestë.

Një ditë më pas Berisha deklaroi se në mesin e javës së ardhshme do të organizonte një miting reagues kundër kësaj politike të opozitës dhe kurthit të organizuar midis kryetar opozite-president-kryeprokuror kundër qeverisë. Ndërkohë Rama tha se një javë më pas do të bënte të njëjtën gjë. Edhe ai do të organizonte një protest të dytë. Ndërhynë përfaqësuesit diplomatikë amerikanë për të ndaluar organizimin e këtyre dy mitingjeve, nga frika se vendi mund të shkonte në një përplasje civile. Ambasadori amerikan, Arvizu, bisedoi fillimisht me kryeministrin Berisha dhe kur mori premtimin e tij për anullimin e mitingut të së mërkurës, e quajti atë “Burrë shteti”! Nuk e dimë se çfarë ndodhi në takimin me Edi Ramën, por edhe mitingu i Ramës nuk ndodhi kurrë. Disa javë më vonë kreu i opozitës, zoti Rama, udhëtoi për në Uashington dhe kur u kthye prej andej deklasoi “Kurrë më 21 janar 2011”! Diçka kishte ndodhur. Një heqje veshi në DASH ishte bërë. E pakta kjo duhet menduar.

Pas afër pesë muajsh u zhvilluan zgjedhjet lokale. Lulzim basha nga Partia Demokratike u vu përballë Edi Ramës dhe për pak vota e fitoi garën elektorale, duke u kurorëzuar në krye të Bashkisë së Tiranës e duke mundur Edi Ramën. Unë besoj se ishte kalkulim kjo rrokadë, në mos një shpërblim për shërbime të panjohura në rastin e 21 janarit të atij viti. Më e pakta ishte kalkulim, sepse po i jepej PD-së bashkia, me qëllim që t’i merrej pas dy vitesh qeverisja. Dhe kështu ndodhi. Në qershor 2013 u bë rotacioni nga Partia Demokratike te koalcioni Partia Socialiste plus Lëvizja Soialiste për Integrim. Më 1 prill 2013 u nënshkrua në Shkodër në prani të ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, marrëveshja midis Edi Ramës dhe Ilir Metës për koalicion në zgjedhje dhe bashkëqeverisje. Para dy vitesh ndodhi 21 janari për shkak të një blloku që Edi Rama e publikoi për ta akuzuar Ilir Metën për korrupsion me 700 mijë euro. Pas dy vitesh ata u bënë bashkë për ta mundur Partinë Demokratike të Sali Berishës. Paradokse shqiptare, si çdo herë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat