Inati dhe shqiptari

Opinione

Inati dhe shqiptari

Nga: Dr. med. Ylli H. Mehmeti Më: 20 tetor 2024 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Në damarët tanë si shqiptarë rrjedh një lëng i veçantë, i ngjashëm me gjakun, por më i errët, më i thellë, më i ndezur që quhet inat. Ai nuk është thjesht një emocion kalimtar, por një forcë e pashpjegueshme, e cila lëviz fijet e padukshme të fatit të tij. Si një erë e ftohtë që fryn në rrëzë të malit, inati i shqiptarit është ajo forcë që e shtyn përpara, ndonjëherë për mirë, ndonjëherë për keq, por gjithmonë me një pasion të madh.

Një profesori i imi në fakultet shpesh e ndante një histori të pazakontë me ne si studentë. Ai tregonte se vendimi për t'u bërë mjek nuk kishte ardhur nga një dëshirë për të ndihmuar njerëzit apo nga një pasion i hershëm për shkencën, por nga inati. Në fshatin e tij malor i cili sot gjendet ne Mal të Zi , kur ishte ende fëmijë, gratë e fshatit shpesh e përqeshnin dhe e bullizonin. E quanin kryemadh dhe thoshin se nuk do të arrinte asgjë në jetë. Këto fjalë e ndjenin rëndë në zemër, por për inat të tyre, ai vendosi të bëhej mjek . Ai shpesh thoshte me humor në ligjëratë: “U bëra mjek për inat të grave të fshatit, që më thoshin kryemadh’’. Nëse e ndalojmë pak, mund të kuptojmë se inati është një nxitës i ndryshimeve personale. Është shtysa për t’u ngritur kur të tjerët na kanë ulur, për të arritur majat kur kanë nënvlerësuar aftësitë tona. Shpeshherë, ky inat është një zjarr i brendshëm që ngroh shpirtin për një kohë të gjatë, derisa të vijë momenti për të treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Në çdo rrëfim personal apo familjar, ka histori të individëve që janë rritur përmes inatit. Të shtyrë nga poshtërimi, ata kanë kërkuar të rikthejnë dinjitetin, jo vetëm për vete, por ndoshta edhe për gjithë fisin.

II.

Kur një shqiptar ndjen inat, ai nuk po përjeton thjesht një emocion të momentit. Përkundrazi, inati është shpesh një akt vetëdijesimi. Ai nuk vjen vetëm për shkak të një fyerje, por sepse diçka e brendshme është thyer, një kod i pashkruar i nderit është shkelur. Për shqiptarët, kodi i nderit është i shenjtë, i gjallë në çdo marrëdhënie shoqërore, dhe kur ky kod dhunohet, inati shfaqet si një lloj hakmarrjeje ndaj padrejtësisë. Një hakmarrje që më së shumti nuk është e dhunshme, por e ftohtë, e planifikuar me kujdes.

Po ta analizojmë këtë epokën ku jetojmë sot , epokën digjitale të rrjeteve sociale ku shqiptari shpesh i përdor rrjetet sociale jo thjesht për të ndarë momente të jetës, por për të krijuar një imazh të stilizuar të vetvetes që ka për qëllim të impresionojë apo, në disa raste, të ngjallë zili te të tjerët. Shumë herë, ajo që shfaqet në mediat sociale është një jetë e stisur, e zbukuruar për t'u dukur më e mirë dhe më e suksesshme se ajo që është në të vërtetë. Një pjesë e madhe e këtyre postimeve janë të motivuara jo nga dëshira për të ndarë përvojën reale të jetës, por nga nevoja për të treguar një version më të mirë të saj, shpesh për të bërë "inat" ndaj të tjerëve. E përdor këtë "shfaqje" si një mënyrë për të nxjerrë inatin, për të mbajtur një qëndrim superior ndaj të tjerëve, ose për të "provokuar" ata që e njohin në realitet. Kjo nuk është thjesht një strategji për të impresionuar, por një mekanizëm për të fituar status dhe për të "dominuar" në botën virtuale.

III.

Inati te shqiptari është një ndjenjë e ngjizur thellë në shpirtin kombëtar. Një forcë e heshtur, e pazbuluar në faqet e historisë, por gjithnjë e pranishme në skutat e vogla të përditshmërisë sonë. Por a mund të jetë inati më shumë se kaq? A mundet që ky element karakteristik i shqiptarit të mos jetë thjesht një refleks, por një udhërrëfyes për jetën? Emocioni I inatit, si një reagim emocional dhe moral është i lidhur ngushtë me konceptet themelore të Kanunit, veçanërisht me çështjet e gjakmarrjes dhe nderit. Në Kanun, cenimi i nderit të një individi apo familjeje shpesh kërkonte një reagim të menjëhershëm, dhe shpeshherë inati justifikonte veprimet e dhunshme për të rivendosur balancën dhe respektin. Kjo mënyrë e të menduarit krijoi një cikël hakmarrjesh, ku inati bëhej një forcë drejtësie brenda shoqërisë tradicionale, duke përcaktuar sjelljet ndaj padrejtësive.

Arsyet se nga vjen ky inat kolektiv mund të jenë të ndryshme por psikoanaliza Frojdjane na mëson se është si pasojë e një fustracioni shekullor . Në historinë shqiptare, periudhat e gjatë të shtypjes dhe konflikteve kanë ndikuar në formimin e një psikologjie kolektive të tensionuar. Trauma nga ngjarjet e kaluara, si përçarjet politike mund të bëjnë që njerëzit të jenë më të prirur të reagojnë me inat ndaj njëri-tjetrit.

Ashtu siç ish profesori im , i cili nga inati ndaj grave të fshatit arriti të jetë një qytetar i dobishëm për vendin, por po ashtu për shumë të tjerë si ky, emocioni i inatit shërben si një busull orientuese e ndërtimit të jetës . Një popull që udhëhiqet nga inati dhe përçarja është i dënuar të mbetet në vendnumëro, pa perspektivë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat