Sfidat momentale në botë dhe shqiptarët

Opinione

Sfidat momentale në botë dhe shqiptarët

Nga: Sherif Ramabaja Më: 21 tetor 2024 Në ora: 13:18
Sherif Ramabaja

Bota gjithnjë ka kaluar dhe po kalon nëpër sfida të rrezikshme, po këto dy - tre vitet e fundit,  po shoqërohen me një rrezikshmëri të lartë shpërthimi.

Shikuar në këndvështrimin shqiptar, rrezikshmëria globale nuk e ka pasur tretmanin primar te ta, duke i marr parasysh peripecitë dramatike nëpër të cilin kanë kaluar dhe po kalojnë shqiptarët. Ata sikur se kishin hallin e botës, apo skishin kohë të merreshin me te, kur lakun vetë e kishin në fyt.

Duke kaluar nëpër të gjitha këto peripeci është fati në fatkeqësi, që sot jemi ku jemi, me dy shtete shqiptare.

Kërcënimi global në vitet e dyzeta paraqitej nga Hitleri, nazizmi dhe fashizmi, kurse sot ky kërcënim po paraqitet nga Putini (Rusia) me aleatët e tij: Serbinë, Bjellorusinë, Korenë Veriore etj. por në këtë valle po hynë edhe Kina, e cila po e sheh shansin e saj që të bëhet shtet i një rëndësie globale.

Në këtë kohë turbulente secili, në plan të parë po mendon për vete, prandaj edhe shqiptarët (Shqipëri, Kosovë, Luginë, Maqedoni, Mal të Zi, opozitë, Mazhorancë) kërkohet që të jenë të bashkuar dhe me një strategji kombëtare për ti përballuar këto sfida.

Sidomos në këtë rast Shqipëria dhe Dardania (ushtarakisht) do të duhej që të kenë një strategji mbrojtëse, jo vetëm për veten, po për të gjitha territoret shqiptare. Të jesh anëtare e NATOS është një çështje dhe arritje kolosale, po për mbrojtjen nacionale, gjithmonë duhet qenë edhe vetë i përgatitur, pa u varur njëqind për qind nga të tjerët.

Pretendimet e Putinit janë për ringjalljen e perandorisë sovjetike. Nga e njëjta ëndërr sot udhëhiqet po ashtu edhe Serbia dhe Vuçiqi.

SHBA, NATO, EU dhe i tërë perëndimi sot janë të preokupuara me luftën në Ukrainë, kurse tash po të njëjtën situatë e kemi mes Izraelit, Hamasit, Hezbollahut, Iranit etj. në Lindjen e Mesme me një rrezikshmëri për një shpërthim global.

Çështje e paqartë janë po ashtu zgjedhjet në SHBA, të cilat nuk dihet se si do përfundojnë. Një frikë e përgjithshme është se po erdh Trumpi në pushtet, gjendja do të shkoi pashmangshëm drejt një shpërthimi të përgjithshëm.

Për një kaos të përgjithshëm janë të interesuara së paku Rusia dhe Serbia, të dyja me qëllime të njëjta, për realizimin e ëndrrave të tyre pushtuese.

Në këtë rast lind pyetja: sa janë të përgatitur shqiptarët për një opsion të tillë, të cilin nuk e marrin seriozisht, derisa Serbia dhe Rusia, po u erdh dita, i kanë planet e veprimit të detajuara. (vizitat e rregullta shtetërore Serbi – Rusi)

Në vitet e 90 Serbia i bëri katër lufta në ish Jugosllavi, kurse sot po e vazhdon  të njëjtën politikë, aty ku ka mbetur. Ajo prapë haptas po i kërcënon Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë etj. dhe po vërehet se EU nuk ka nxjerr mësime ende nga këto ngjarje. Presioni  dhe kërcënimi në vend se të drejtohet ndaj agresorit, ai po drejtohet ndaj viktimës.

Në vitet e 90 të gjithë popujt e ish Jugosllavisë e vërenin se shteti po vdiste, kurse perëndimi kërkonte me çdo kusht të ruhej ish Jugosllavia si tërësi. Shkaku dihej. Çmimi ishte më i lirë, sesa të hapej tematika e shthurjes së problemit.

Në Gjermani, me një traditë politike dhe demokratike, në polemikat e nxehta parlamentare të këtyre sfidave po insistohet që jemi rival, po nuk jemi armiq. Kërkesë e arsyeshme që t´i ftohin gjakrat, të qëndrojnë në tokë dhe të jenë të arsyeshëm.

 Si qëndron gjendja në Dardani, Shqipëri dhe kudo në vendet e tyre ku janë shqiptarët ? A po e merr secili përgjegjësinë mbi vete dhe ta shoh se ku ndodhet atdheu dhe kombi, para se ta analizoi pozitën e vetë dhe të partisë?

 Ne ishim dëshmitar: në ditën që Shqipëria i hapi bisedimet me EU, opozita ishte me flakë e tym në duar. Kjo flet më së miri se ku qëndrojmë ende! Kush do t´i shpëtoi shqiptarët (nga vetvetja) ?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat