"Kosova duhet t’i japë Serbisë gjithçka që kërkon": Një qëndrim i papranueshëm – Serbia duhet t’i japë Kosovës gjithçka që i takon

Opinione

"Kosova duhet t’i japë Serbisë gjithçka që kërkon": Një qëndrim i papranueshëm – Serbia duhet t’i japë Kosovës gjithçka që i takon

Nga: Xhevdet Mazrekaj Më: 21 tetor 2024 Në ora: 20:28
Xhevdet Mazrekaj

Para disa ditësh, në një debat televiziv, gazetari Baton Haxhiu doli me një qëndrim të habitshëm, duke propozuar që Kosova duhet t’i japë Serbisë gjithçka që kërkon, në mënyrë që Serbia të na njohë. Kjo thirrje është e papranueshme dhe vjen pas përpjekjeve të dështuara të disa grupeve për ndarjen e Kosovës.

Për t’u kujtuar, plani për ndarjen e Kosovës u përhap në vitet e fundit, i orkestruar nga Vuçiq, Thaçi dhe Haxhiu, me mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Ky plan dështoi kur Thaçi u arrestua, duke treguar qartë se skemat e ndarjes së Kosovës nuk kishin mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht nga Gjermania. Ndërkohë, Baton Haxhiu dhe mediat e kontrolluara nga Serbia po përpiqen të imponojnë një narrativë të re, duke kërkuar që Kosova të dorëzojë gjithçka për të siguruar njohjen nga Serbia.

Kjo është një lojë e rrezikshme dhe e manipuluar. Në realitet, Kosova është një shtet i pavarur, i njohur nga fuqitë kryesore demokratike të botës. Serbia, nga ana tjetër, nuk ka qenë ndonjëherë një shtet i fortë. Retorika e mediave të Beogradit që pretendon se Serbia mund ta pushtojë Kosovën brenda 9 orësh, apo se Kosova është një shtet i dobët, është një përpjekje për të frikësuar dhe dekurajuar popullin tonë. Realiteti është krejt ndryshe.

Ngjarjet e fundit në Banjskë treguan qartë se Serbia nuk është as afër të jetë një shtet i fuqishëm ushtarakisht. Serbia nuk ka arritur as të organizojë operacione komplekse pa u zbuluar, duke demonstruar se është një shtet që përdor manipulimin dhe viktimizimin e popullsisë së vet për të krijuar incidente ndërkombëtare. Plani për të vrarë priftërinjtë e vet dhe për të provokuar një konflikt fetar tregon deri ku është e gatshme të shkojë Serbia për të arritur qëllimet e saj destabilizuese.

Në Kosovë, mediat kanë përgjegjësi të madhe. Për fat të keq, shumica e mediave janë të kontrolluara nga interesat pro-serbe, duke deformuar realitetin dhe duke paraqitur Serbinë si një superfuqi. E vërteta është se Serbia nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është një shtet i fortë në raport me Kosovën. Ajo vetëm ka përfituar nga dobësitë e brendshme dhe nga mbështetja e qarqeve të ndryshme, përfshirë ato brenda vetë shqiptarëve.

Në kohën e luftës, Kosova do të kishte pasur një mobilizim të plotë kombëtar nëse nuk do të ishte klani i Fatos Nanos që pengoi një mobilizim gjithëkombëtar. Përpjekjet për të ndarë shqiptarët politikisht, për të kontrolluar resurset dhe për të manipuluar luftën, dëmtuan procesin e çlirimit. Fatkeqësisht, grupet që kanë pasur më pak mbështetje në diasporë gjatë asaj kohe, sot janë ata që kontrollojnë politikën, mediat dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Fokusimi i këtij shkrimi është i qartë: Kosova nuk duhet të pranojë Serbinë si shtet, pasi ne jemi një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Nuk kemi asnjë detyrim ndaj Serbisë. Përkundrazi, Serbia duhet të kthejë territoret tona të okupuara dhe të paguajë për dëmet e luftës që ka shkaktuar. Kosova nuk ka nevojë për falje formale nga Serbia – ata kanë një borxh gjaku ndaj nesh, dhe çdo falje nga ana e tyre nuk ka vlerë.

Në vend të kësaj, ajo që duhet të bëjmë është të largojmë ndikimet e spiunëve, bashkëpunëtorëve dhe mediave që financohen nga Serbia për të destabilizuar vendin tonë. Ushtria dhe rinia jonë janë të gatshme dhe me përvojë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat