Hashim, trego pse e shkruajte komunikatën 59?

Opinione

Hashim, trego pse e shkruajte komunikatën 59?

Nga: Faton Mehmeti Më: 22 tetor 2024 Në ora: 11:13
Autori Faton Mehmeti

Komunikata 59 është komunikata më e famshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse ajo nuk ishte as e nënshkruar dhe as e vulosur. Gani Geci ka fajësuar Hashim Thaçin për këtë, duke u mbështetur edhe në deklaratën e Rexhep Selimit. Lidhur me këtë, vëllai i Gabiut, Fadil Geci, në cilësinë e dëshmitarit në Hagë, falënderoi Rexhep Selimin që tregoi se kush e kishte shkruar komunikatën. Ai u shpreh: “Ma keni dhënë deklaratën e Rexhep Selimit, e kam parë që ka thënë, edhe në televizion direkt në emision, se komunikatën numër 59 e ka shkruar një dashakeq, po ai është Hashim Thaçi.”

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë pas luftës, duke folur për vrasjen e Abedin Rexhës – Sandokanit, pas së cilës kishte pasuar komunikata 59, i ishte referuar asaj duke thënë se “vrasja e Abedinit përshkruhet shumë mirë në komunikatën numër 59 të UÇK-së, ku thuhet qartë se kush e vrau, me emër dhe mbiemër: Gani Geci.”

Por vetëm një ditë pas, shumica e komandantëve të UÇK-së në Drenicë reaguan ndaj deklaratave të Selimit. Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Nuredin Lushtaku, Jetullah Geci, Fadil Kodra dhe shumë luftëtarë të dalluar të kësaj treve, më 31 tetor 1999 hodhën poshtë komunikatën numër 59 dhe pjesën e intervistës ku njollosej luftëtari Gani Geci nga fshati Llaushë.

Tani është momenti që Thaçi, përmes avokatit të tij, të tregojë të vërtetën dhe të shpjegojë hapur se a e ka shkruar ai komunikatën dhe përse. Nëse është penduar, bën mirë ta thotë, e jo të mundohet të hedhë tymnajë për një komunikatë që ka prodhuar përçarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat