Rënia përtokë e Shqipërisë

Opinione

Rënia përtokë e Shqipërisë

Nga: Ilir Levonja Më: 23 tetor 2024 Në ora: 13:00
Ilir Levonja

Thuajse 90% e opinionit publik merren sot me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Megjithëse në një studio televizive, mbrëm në darkë, (emisioni Opinion), u zbulua hashiqare se listën e deputetëve socialistë në Durrës, e zotëronte krimi i organizuar, shkurt ata që të vrasin, që tregtojnë drogën, shalët, ndërtimin, investimet strategjike etj. Ata ishin jo imponuesit e listave, por vulosësit. Dhe jo rastësisht Durrësi është një nga qytete më të goditura nga emrat, me më shumë të arrestuar, jo për shkak të primatit politik, por luftës së klaneve. Madje u fol që po këta deputetë i jepnin krimit deri informacionet e klasifikuara si sekrete shtetërore. Dhe ta mendosh, Durrësi i një kategorie me memorie sa historike dhe kulturore, i akademive antike, është sot një Siçili e viteve 30-të në Italinë fqinje.

U fol se si në mënyrë të rrufeshme u arrestua një deputet socialist, thjesht si rezultat i mosmarrëveshjeve mes grupeve po të krimit, Aq sa drejtuesi i emisionit, një gazetar me arsenal mediatik të fuqishëm si Fevzo, bënte guakun me pyetje budallaqe se, kush i firmos listat e deputetëve? Kush ishin ata që firmosnin këto lista me emra nga krimi? Listat janë aty ''gjeneral'', mjaft të shkosh tek Komisioni zgjedhor dhe listat kanë në fund emër, firmë dhe vulë partie. Prandaj në Shqipëri pushteti, sundimi, nuk mbahen vetëm, por me mbështetjen e krimit dhe me partneritetin e fortë të një mase të madhe sociale, ku gazetarët nuk bëjnë përjashtim.

Enver Hoxha e adaptoi po aq mjeshtërisht këtë strategji, aq sa sot pa frikë mund të themi se, ai, nuk vrau e preu i vetëm. Megjithatë tjetër kund është vëmendja dhe vetëm derrat nuk e kuptojnë se, përse duhej të arrestohej ashtu publikisht dhe brutalisht ish presidenti i tyre. Nga ana tjetër shqiptarët edhe për ekuivok memorie, harrojnë se në 2013-ën, Edi Rama e deklaronte publikisht se, për të mundur Sali Berishën do bënte aleancë edhe me djallin. Dhe e bëri, nuk ka lënë nyje strategjike portuale të vendit pa e zaptuar, ishull apo gadishull të strategjive historike nga mbrojtja kombëtare, aq sa sot investimi gati 45 vjeçar i kulturës ushtarake, janë ngarkesë rifuxho pa pikë personaliteti dhe peshe, pasi as nuk pyeten, as nuk dëgjohen dhe kudo ka vetëm veto.

Nga ana tjetër sot shqiptarëve një ishull kaq strategjik si Sazani, u duket fitore e jashtëzakonshme që po e kthen në hotele masone, apo mollë të ndaluar, një investitor amerikan dhe dhëndrri i Donald Trampit. Thua se pas këtij investimi mason ata do përfitojnë për xhepat e tyre nga një përqindje shtesë në pagat e tyre, apo ndonjë apartament. Jemi kaq eterik dhe kaq vrastarë të truallit tonë, megjithëse e kemi patur Sazanin mollë të ndaluar nga diktatura që iku. Po ashtu, me strategji kremlini ka përdorur dhe po përdorë në mënyrë perfekte, krijmin e sa më shumë partive të vogla për shpërndarje dhe firo votash, zhvendosjen e vëmendjes, shpikjen e skandaleve, si e si të ruaj qetësinë e tij masive, pushtetin, po ashtu edhe avenirin e aletëve të tij të krimit të organizuar.

Ndaj sot Shqipëria është një konglomerat i dhunës shtetërore, mishmash politik, i alergjisë kolektive, e dalë nga vetvetja, një kor pështymash karshi njëri-tjetrit, aq sa fundin politik të një personi e mendojnë si vdekjen e tyre. Kështu gjykonim edhe në kohën e Enverit, do na përpinin lubitë e imperializmit..., do na pushtonin. Mirëpo, ndodhi e kundërta, kemi 30 e kusur vite që, po shqyehemi metropoleve të botës. Bjerrja jonë, kaosi ynë, ka emrin, Edi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat