SPAK ia dridhi themelet Shqipërisë!

Opinione

SPAK ia dridhi themelet Shqipërisë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 24 tetor 2024 Në ora: 10:10
Sherif Ramabaja

Shqiptarët, në fillim talleshin me themelimin e SPAK -ut. Ç‘është ky nocion thoshin, apo kush e formoi dhe kush ia vuri këtë emër të çuditshëm, pyesnin të befasuar.

Prokurorët dhe gjyqtarët, të punësuar në SPAK, në fillim ishin të ndrojtur, të tërhequr dhe të frikësuar, kur i mendonin të fortit e politikës, të fortit e fshatrave, lagjeve dhe qyteteve. Do na hanë për së gjalli, mendonin të tmerruar.

Dal nga dal erdhën duke zënë vend në shoqëri. Filluan t´i dërgonin edhe ftesat e para, më tepër që ta testonin gjendjen dhe reagimin. Të ftuarit sikur shkonin për argëtim. Secili delte duke qeshur dhe duke shit trimëri.

Nuk vonoi dhe SPAK kërkonte viktimën e parë. Iu vunë pas Berishës. Ai fliste se ky organizëm i çuditshëm është pjellë e Ramës. Sa herë që e zinte n´gojë fliste zi e më zi për SPAK- un. I nënçmonte, i përbuzte, i shante dhe i kërcënonte me revolucionin e tij.

Kishte të tillë nga ambasadorët e huaj që hynin e dilnin nga SPAK – u, po askush nuk e dinte arsyen. Më së shumti këtë “organizëm artificial” e vizitonin amerikanët. Dihej që diçka po zihej, po çka nuk e dinte askush.

Në një mëngjes u dha një lajm i bujshëm: Berisha u shpall non grata. Ai paralajmëroi kundër masa. Zuri avokatët më të fuqishëm në Shqipëri dhe Evropë. Paralajmëroi padi dhe e kërcënoi Ramën me revolucion. Lulit ia mori vulën dhe ia pushtoi byronë.

Derisa Berisha përgatiste regjinë e revolucionit të tij, një ditë ia sollën një vendim: arrest shtëpiak i thanë. Revolucioni u shemb.

Nuk vonoi dhe Salianji po ashtu u prangos. I than për shpifje ndaj Ramës. Këto thuaja s´ishin asgjë, po SPAK- u thuaja nuk ka të ndalur.

Tash i lëkundi edhe themelet e Shqipërisë. Me ushtri e polici, me tanke ushtarake, e me njësi speciale, me polici e njësi rezerviste, me armatime e me dronë, i dolën përpara ish kryetarit të shtetit Ilir Metës.

Askush nuk dinte asgjë. Operacioni ishte në fshehtësi të plotë dhe udhëhiqej nga inteligjenca shtetërore.

Avokati Ngjela lajmëroi se Meta shfaqi rezistencë. Gjatë tentim arrestimit, Meta e kishte aktivizuar njësitin ushtarak që e kishte me vete.

Nuk u lajmërua për viktima e të lënduar, po si duket operacioni do mbahet në fshehtësi.

U dhanë vetëm disa konsekuenca të pahijshme filmike, ku raportohej  për brutalitetin e njësive speciale, ushtrisë, policisë dhe grupeve të tjera të armatosura shtetërore të Ramës, në prangosjen e ish presidentit Meta.

Askush nuk lejohej të futej në atë pjesë, nga frika se rezistenca mund të përshkallëzohej. Berisha nuk dinte asgjë se ç´nodhte, përndryshe do t´i kishte aktivizuar njësitë e tij të revolucionit, në ndihmë Metës.

Rama edhe kur shihej në ekran bëhej sikur nuk po ndodhte asgjë, apo nuk kishte njohuri mbi ngjarjen.

Gazetarët e pyetën në konferencën e shtypit me zonjën Ursula von der Leyen, po u tha se nuk mund të përgjigjet, për punën e organeve të drejtësisë.

Mbetet të pritet aksioni i radhës nga SPAK – u. Athua cilin do ta kenë në listë?/ Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat