Ditë më parë isha në një intervistë në emisionin Breaking News të TV Top News. Moderatorja e nderuar këmbënguli disa herë në pyetjen, nëse kryeministri Albin Kurti po tenton t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin për shkak se dëshiron të përfitojë elektorat në zgjedhjet e reja parlamentare të 9 shkurtit 2025? Madje tha se shumë analistë në Kosovë e pohojnë se qëllimi i tij është pikërisht ky, të përfitojë vota duke ndryshuar pozicionin e tij në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Hyra në Google dhe pashë se jo pak analistë, sidomos të Kosovës, kishin shfaq mendimin të cilin moderatorja e këtij emisioni ma transmetoi mua.
U mendova disa kohë dhe mu desh të hyja sërishmi në Google e të shihja se cili ishte pretendimi i analistëve në ditët kur zoti Kurti shpalli se kishte ndërmend ta hapte për automjetet e lëvizjen e mallrave Urën e Ibrit! Më doli se ata përdornin edhe në këtë rast se “Kurti dëshiron ta hapë këtë urë, me qëllim që të fitojë vota më shumë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit”! Madje kishte prej tyre që thoshin se veprimi i tij i njëanshëm rrit numrin e votuesve pro Vetëvendosjes! Natyrshëm në këtë rast krijohet dilema, se çfarë e rrit kredibilitetin elektoral dhe politik të kryeministrit Kurti, hapja e Urës së Ibrit pa koordinim me ndërkombëtarët, apo mos-hapja e saj për shkak të koordinimit dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët?! A është e mundshme që të shtohen votuesit e tij në të dy rastet?
Një përgjigje e saktë do të ishte se një Hapja e Urës së Ibrit në koordinim me amerikanët dhe evropianët do të mund të ishte me përfitime më të mëdha elektorale e jo elektorale. Atëherë i bie që zoti Kurti të ndryshojë marrëdhëniet e tij me partnerët strategjikë të Kosovës në funksion të realizimit të qëllimit të tij, hapjes së kësaj ure. Por asnjë analist nuk e thotë këtë dhe asnjëri prej tyre nuk beson se ndërkombëtarët do të bëjnë lëshimin për “të dhënë lejen” për këtë akt të shpallur si të drejtë nga institucionet e Kosovës. Përkundrazi, KFOR-i është përforcuar dhe stacionuar te Ura e Ibrit për të parandaluar çdo akt të rivendosjes së normalitetit midis dy pjesëve të Kosovës. Dhe dihet se KFOR-i është bërë pengesë e hapjes së Urës, sepse aktorët europianë e amerikanë të ndikuar nga Franca nuk duan hapjen e Urës së Ibrit.
Pse këta aktorë nuk duan hapjen e urës? Është thënë se “ekziston mundësia për destabilizim të situatës në veri të vendit”, nëse ajo hapet pa koordinim me ndërkombëtarët! Por në të vërtetë kjo mundësi është iluzion. E vërteta është krejt tjetër. Dikush ka premtuar që Urën e Ibrit ta mbajë mbyllur si simbol të ndarjes dhe kundër bashkimit të territorit të Kosovës. Më saktë si premisë të ndarjes së saj dhe aneksimit të veriut nga ana e Serbisë. Ky dikushi është i fuqishëm dhe beson në këtë zgjidhje. Po ashtu në Beograd vazhdojnë të besojnë se mund të ndodhë ndarja e Kosovës, edhe pse në veri tashmë qeveris dhe ka sovranitet Kosova. Dhe nëse nisemi nga premisa e faktit të kryer, kjo dëshmon shumë në favor të mos-ndarjes dhe respektimit të tërësisë territoriale të Kosovës.
Atëherë çfarë duhet të besojmë si mundësi për rritjen e kapitalit elektoral të kryeministrit Kurti: - Hapjen e Urës së Ibrit, apo miqësinë me amerikanët e evropianët e mos hapjen e kësaj ure?! Para dy muajsh thuhej se hapja e Urës e shton kredibilitetin politik të tij. Tani që Kurti është duke u afruar me perëndimoret, thonë se ky afrim rrit numrin e zgjedhësve të tij! Hyp në lis, të vrava, zbrit prej lisi, të preva, i thonë kësaj. Dy veprime të kundërta nuk mund të sjellin të njëjtin rezultat. Është e pamundur! Atëherë analistët duhet ta ndajnë mendjen.
Por në optikën time hapja e urës sjell vota për Kurtin. Nëse ai vërtet është i obsesionuar për votat, duhet që ta hapë Urën e Ibrit edhe pa miratimin e ndërkombëtarëve. Por e ka të zorshme të përballet me KFOR-in, i cili po sillet si zot i tokës së Kosovës dhe jo si aktor e faktor stabiliteti. Megjithatë, shqiptarët duhet ta durojnë KFOR-in edhe si “zot” të territorit të shtetit të tyre, por me një garanci, se kurrë më Serbia nuk mund të rikthehet e të bëhet zot në tokat e pronat e Kosovës! Ndërsa afrimi i Kurtit me amerikanët dhe partnerët evropianë i bën mirë proceseve të përgjithshme për Kosovën, siç janë integrimet euro-atlantike, mundësia e njohjeve nga ana e shteteve mos-njohëse etj.