A po i përmirëson Albin Kurti marrëdhëniet me perëndimorët për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit?

Opinione

A po i përmirëson Albin Kurti marrëdhëniet me perëndimorët për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 25 tetor 2024 Në ora: 09:58
Kryeministri Albin Kurti dhe Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien

Ditë më parë isha në një intervistë në emisionin Breaking News të TV Top News. Moderatorja e nderuar këmbënguli disa herë në pyetjen, nëse kryeministri Albin Kurti po tenton t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin për shkak se dëshiron të përfitojë elektorat në zgjedhjet e reja parlamentare të 9 shkurtit 2025? Madje tha se shumë analistë në Kosovë e pohojnë se qëllimi i tij është pikërisht ky, të përfitojë vota duke ndryshuar pozicionin e tij në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Hyra në Google dhe pashë se jo pak analistë, sidomos të Kosovës, kishin shfaq mendimin të cilin moderatorja e këtij emisioni ma transmetoi mua.

U mendova disa kohë dhe mu desh të hyja sërishmi në Google e të shihja se cili ishte pretendimi i analistëve në ditët kur zoti Kurti shpalli se kishte ndërmend ta hapte për automjetet e lëvizjen e mallrave Urën e Ibrit! Më doli se ata përdornin edhe në këtë rast se “Kurti dëshiron ta hapë këtë urë, me qëllim që të fitojë vota më shumë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit”! Madje kishte prej tyre që thoshin se veprimi i tij i njëanshëm rrit numrin e votuesve pro Vetëvendosjes! Natyrshëm në këtë rast krijohet dilema, se çfarë e rrit kredibilitetin elektoral dhe politik të kryeministrit Kurti, hapja e Urës së Ibrit pa koordinim me ndërkombëtarët, apo mos-hapja e saj për shkak të koordinimit dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët?! A është e mundshme që të shtohen votuesit e tij në të dy rastet?

Një përgjigje e saktë do të ishte se një Hapja e Urës së Ibrit në koordinim me amerikanët dhe evropianët do të mund të ishte me përfitime më të mëdha elektorale e jo elektorale. Atëherë i bie që zoti Kurti të ndryshojë marrëdhëniet e tij me partnerët strategjikë të Kosovës në funksion të realizimit të qëllimit të tij, hapjes së kësaj ure. Por asnjë analist nuk e thotë këtë dhe asnjëri prej tyre nuk beson se ndërkombëtarët do të bëjnë lëshimin për “të dhënë lejen” për këtë akt të shpallur si të drejtë nga institucionet e Kosovës. Përkundrazi, KFOR-i është përforcuar dhe stacionuar te Ura e Ibrit për të parandaluar çdo akt të rivendosjes së normalitetit midis dy pjesëve të Kosovës. Dhe dihet se KFOR-i është bërë pengesë e hapjes së Urës, sepse aktorët europianë e amerikanë të ndikuar nga Franca nuk duan hapjen e Urës së Ibrit.

Pse këta aktorë nuk duan hapjen e urës? Është thënë se “ekziston mundësia për destabilizim të situatës në veri të vendit”, nëse ajo hapet pa koordinim me ndërkombëtarët! Por në të vërtetë kjo mundësi është iluzion. E vërteta është krejt tjetër. Dikush ka premtuar që Urën e Ibrit ta mbajë mbyllur si simbol të ndarjes dhe kundër bashkimit të territorit të Kosovës. Më saktë si premisë të ndarjes së saj dhe aneksimit të veriut nga ana e Serbisë. Ky dikushi është i fuqishëm dhe beson në këtë zgjidhje. Po ashtu në Beograd vazhdojnë të besojnë se mund të ndodhë ndarja e Kosovës, edhe pse në veri tashmë qeveris dhe ka sovranitet Kosova. Dhe nëse nisemi nga premisa e faktit të kryer, kjo dëshmon shumë në favor të mos-ndarjes dhe respektimit të tërësisë territoriale të Kosovës.

Atëherë çfarë duhet të besojmë si mundësi për rritjen e kapitalit elektoral të kryeministrit Kurti: - Hapjen e Urës së Ibrit, apo miqësinë me amerikanët e evropianët e mos hapjen e kësaj ure?!  Para dy muajsh thuhej se hapja e Urës e shton kredibilitetin politik të tij. Tani që Kurti është duke u afruar me perëndimoret, thonë se ky afrim rrit numrin e zgjedhësve të tij! Hyp në lis, të vrava, zbrit prej lisi, të preva, i thonë kësaj. Dy veprime të kundërta nuk mund të sjellin të njëjtin rezultat.  Është e pamundur! Atëherë analistët duhet ta ndajnë mendjen.

Por në optikën time hapja e urës sjell vota për Kurtin. Nëse ai vërtet është i obsesionuar për votat, duhet që ta hapë Urën e Ibrit edhe pa miratimin e ndërkombëtarëve. Por e ka të zorshme të përballet me KFOR-in, i cili po sillet si zot i tokës së Kosovës dhe jo si aktor e faktor stabiliteti. Megjithatë, shqiptarët duhet ta durojnë KFOR-in edhe si “zot” të territorit të shtetit të tyre, por me një garanci, se kurrë më Serbia nuk mund të rikthehet e të bëhet zot në tokat e pronat e Kosovës! Ndërsa afrimi i Kurtit me amerikanët dhe partnerët evropianë i bën mirë proceseve të përgjithshme për Kosovën, siç janë integrimet euro-atlantike, mundësia e njohjeve nga ana e shteteve mos-njohëse etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat