Lufta speciale e Serbisë për t’i përçarë shqiptarët: Paraqet rrezik për stabilitetin e vendit!

Opinione

Lufta speciale e Serbisë për t’i përçarë shqiptarët: Paraqet rrezik për stabilitetin e vendit!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 27 tetor 2024 Në ora: 15:04
Autori Ismail Muçiqi

A jemi të vetëdijshëm çfarë po ndodh me ne në këtë kohë të turbulencave rajonale e Globale të cilat po e rrezikojnë njerëzimin. Serbia me gjithë mekanizmin e saj diplomatik e propagandistik në mënyrë permanente po lobon kundër Pavarësisë së Kosovës në arenën Ndërkombëtare. Në planin tjetër Serbia po zhvillon luftë speciale propagandistike për ti përçarë Shqiptarët nga familja e deri tek instancat më të larta në politikë. Kjo luftë subversive e politikës fashiste Serbe tani po zgjerohet në të gjitha poret e jetës si në politikë, në Institucionet e Shtetit, me ide që kjo tendencë të depërtoj deri tek familja e ngushtë duke e përçarë popullin Shqiptarë.  

Ku është vetëdija e jonë?:

Në këtë kohë kur po jetojmë në liri, kur mezi arritëm ta gëzojmë Pavarësinë marrëdhëniet ndër njerëzore ndërmjet Shqiptarëve kanë filluar të shemben e këtë me shekuj e ka pritur dhe stimuluar armiku i përbetuar i Kosovës Shteti Serbë. Me këtë mendësi jemi duke u tretur në ndonjë humnerë të pafund e cila mund të na fshin nga proceset politike, nga gjeografia dhe historia e këtij shekulli. Sot çdo Shqiptarë duhet të mendoj thellë për ardhmërinë e këtij populli dhe për gjeneratat që vijnë pas nesh. Jemi përçarë skajshmërish për gjërat sekondare të pamoralshme të cilat nuk kanë asnjë kuptim dhe janë të pafalshme për kohezionin e unitetit kombëtarë.

Ky kaos i raporteve ndër njerëzore po e degradon kulturën, etikën, moralin dhe vlerat tradicionale të “besës Shqiptare”. Pothuajse në të gjitha poret e jetës shoqërore në Kosovë kanë depërtuar rrymat të cilat po ja gërryejnë themelet Shtetit. Kështu njeriu i shtron pyetje vetvetes se çfarë është duke ndodhur?!. Këto rryma kanë tendencë të depërtojnë edhe në bashkësitë fetare si pika më neurologjike për ta përçarë kombin. Sot nuk gjen intelektual të mirëfilltë që preokupohet apo prononcohet publikisht për ta mbrojtur interesin për Shtetin. Në mjetet e informimit përkatësisht në televizionet private kanë depërtuar maskarenjtë (pseudoanalistë) me emrin e profesionit të  “gazetarit” të cilët me vetëdije po e helmojnë opinionin duke krijuar tensione përmes shpifjeve më të ndryshme ndaj njerëzve.

Gjuha e urrejtjes dhe denigrimit pa kontroll, pa kulturë është bërë rutinë e dialogut dhe debateve nga pushteti lokal deri në maje të piramidës së Shtetit. Mjerisht tubimet nëpër fshatra Bashkësi Lokale, dhe qendra Komunale  më nuk mbahen apo nuk organizohen fare e kjo mënyrë e politikës e ka izoluar jetën dhe aktivizimin qytetarë gjithandej Kosovës. Kjo gjendje e amullisë mund të paraqet rrezik për mos marrëveshje apo konflikte ndërmjet Shqiptarëve. Kjo retorikë tani ndërmjet partive politike, grupeve të interesit, ndërmjet klaneve dhe grupeve parapolitike po ndodh mu në prag të Zgjedhjeve Nacionale të cilat do të mbahen më 9 Shkurt të vitit që vjen.

Jemi në lajthitje duke i bërë dëm vendit, duke u marrë me agjenda të kota të cilat po i plason Serbia përmes shërbimeve inteligjente dhe grupeve kriminale të cilat kanë mision për ta dëmtuar Shtetin e Kosovës dhe për të futë (pyka) ndërmjet Shqiptarëve duke tentuar për ndonjë kaos qytetarë. Kjo është e dhimbshme për ne kur politika përmes mjeteve të informimit me muaj dhe vite merren me një kriminel siç është Radoiqiqi. E kjo kauzë është ndërtuar për interesat karrieriste të liderëve dhe grupeve të partive politike, të disa deputetëve duke luajtur me kartën se kush është patriot e kush është tradhtar, kush ka folur me Radoiqiqin e kush ka bashkëpunuar me të. Të gjitha këto po i dëmtojnë proceset strategjike për ndërtimin dhe zhvillimit e Shtetit të Kosovës, shtet ky i cili po sfidohet më shumë nga brenda se jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat