Në vitin 2016, Shqipëria ndryshoi kushtetutën për t'i hapur rrugë krijimit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsioni, e njohur ndryshe si SPAK. Kjo strukturë, e përbërë nga organet e lartpërmendura, do të ndjekë dhe hetojë vetëm çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të gjitha veprat penale dhe akuzat për korrupsion ndaj ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë që nga viti 1990 e në vijim.
Në vitin 2019, me ndihmën e SHBA-së, u jetësua kjo Gjykatë e Posaçme, e cila ka përgjegjësi për të gjykuar veprat penale kundër korrupsionit dhe krimit të nivelit të lartë, si: presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, prokurorin e përgjithshëm, deputetët, etj. Pavarësisht disa dështimeve, mund të thuhet se SPAK ka arritur të futë në burg ministra, kryetarë bashkie, ish-presidentin Meta, etj.
Ndonëse deri tani SPAK-u ka vepruar më shumë në kampin opozitar se sa në atë të qeverisë, me gabime si në rastin e z. Berisha, ku u arrestua me burg shtëpie pa aktakuzë, gjithësesi drejtësia e re ka disa suksese të veta. Kjo ndihmohet edhe nga fakti se disa nga prokurorët e saj kanë bërë një trajnim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me agjentë dhe ekspertë nga Akademia e FBI-së në Quantico, Virxhinia.
Kështu që, edhe Kosova ka nevojë për një drejtësi të re, një lloj SPAK-u ku hetohen të gjithë politikanët që nga paslufta e deri sot. Të gjithë besoj se jemi dakord se kjo drejtësi e sotme nuk është e vërtetë drejtësi, andaj duhet me çdo kusht të rrënohet ky sistem në mënyrë që të mund të shohim para përgjegjësisë kryeministra, deputetë e kryetarë komunash që kanë vjedhur. Me ndihmën e SHBA-së, mund të realizohet drejtësia e re, duke eliminuar kështu gabimet e SPAK-ut për të qenë një drejtësi e mirëfilltë.