Kur s’dëgjon askënd e s’ndjen për asgjë, një hap larg është diktatura

Opinione

Kur s’dëgjon askënd e s’ndjen për asgjë, një hap larg është diktatura

Nga: Llesh Ndoj Më: 29 tetor 2024 Në ora: 09:50
Llesh Ndoj

Si një njeri që ka jetuar aktivisht në të dy sistemet politike, atë monist apo monopartiak dhe atë pluralist (fatkeqësisht akoma jo demokratik!), mund t’a bëj qartë dallimin mes diktaturës dhe demokracisë, ndaj “hezitova” që t’i përdor këta terma në fillim të këtij pasazhi dhe vura në evidencë termat “monopartiak” apo “pluralist”, pasi mendoj se në të dy epokat, ne shqiptarët kemi qenë dhe jemi “vetvetja origjinale” dhe me shumë konservatorizëm apo stoicizëm të pashoq kemi “ndërtuar” shtete që “i përngjajnë” vetëm vetes e aspak modelit. Kështu ishte e djeshmja socialiste, kështu u bë kalimi apo tranzicioni në pluralizëm (që më rezulton më së shumti pluhurizëm!), e kështu është edhe e sotmja. Shpresoj të mos jetë kështu e nesërmja…

Këtij argumenti sipas meje, do t’i kthehem më poshtë në këtë shkrim, duke i lënë rrugë së pari asaj që “lançova” që në titullin e këtij artikulli, si një tipar që i bashkon kohërat, dukshëm e nën rrogoz. Për të qënë i qartë që në fillim, autori i këtij shkrimi nuk e sheh kohën që jetojmë si një diktaturë, as nuk sheh ndonjë rrezik “alarmant”, që i kanoset imediatisht vendit për rrëshqitje në diktaturë, për shkaqe të brendshme edhe për shkaqe gjeopolitike, por kjo nuk e pengon atë të qëmtojë disa simptoma jo demokratike në qeverisje dhe në shoqëri, që e bëjnë të mendojë se vendi akoma nuk është shkëputur nga diktatura. Pra, simptomat e lartpërmendura i konsideroj dukshëm si reminishenca të së djeshmes, asaj të para nëntëdhjetës, por edhe të djeshmes në qeverisjen berishiste. Madje, unë mendoj se ne nuk u shkëputëm kurrë prej saj, ndonëse ndërmorëm disa reforma “të kontrolluara”, të cilat në thelbin e tyre u kujdesën që të mos humbasë kontrolli i pushtetit nga një kastë njerëzish, ndërsa njerëzve të thjeshtë, apo masave, iu dhuruan pluralizmin (pluhurizmin) sa për t’u hedhur hi syve, e për t’u thënë se “kjo u mungonte e këtë e morët”. Tani mos bëzani se “nuk i dini të tëra”! Ideatori i këtij shndërrimi që s’e mohoi të djeshmen substancialisht, por u kujdes që klasa e djeshme “të binte butë” e klasa e re “të ngrihej mbi plehun e saj”, ishte Ramiz Alia. Nisur nga Katovica gorbaçoviane, ai përzgjodhi dy pasardhës komunistë, Sali Berishën dhe Fatos Nanon, të cilëve ua shtroi udhën, njërit në krye të opozitës e tjetrit në krye të shumicës. Pozita kishte nevojë të bëhej më tolerante në jetën e aktivitetin e saj, ndaj meritonte Nanon në krye të saj, ndërsa opozita e sapo lindur kishte nevojë të ngrihej sa më revolucionare, ndaj meritonte të kishte Berishën. Nano rezultoi “renegat” ndaj u flak relativisht shpejt nga trupi “komunist” i socialistëve, i cili prodhoi shpejt dy modele, që ndonëse jo komunistë, ishin tipikë autoritarë, Metën e Ramën, kurse Berisha e “injektoi”

ashpërsinë e tij komuniste në trupin e brishtë të partisë së re, krijuar nga një amalgamë njerëzish pa asnjë ideologji përbashkuese dhe vazhdon të mbijetojë në krye të saj, edhe pse tashmë në finishin biologjik e për me tepër, në tejkalim të pashembullt të këtij finishi si model.

Fatkeqësia qëndron në faktin se pasojat e tyre janë rezistente dhe evidente kudo. Veset e sistemit të kaluar hapur diktatorial, përmes tyre, janë bartur në periudhën e pluralizmit, duke e dëmtuar atë e kufizuar mundësitë e tij të pafundme vetëzhvilluese. Sipas meje, të mosdëgjuarit e tjetrit, të vepruarit vetëm në mendjen tënde, qoftë edhe i nisur nga bindja e brendshme se është rruga më e mirë në shërbim të vendit, krenaria në vetën e parë për ato që janë apo quhen arritje, delegjitimimi i tjetrit në të gjitha format, ndonjëherë edhe duke e bullizuar hapur, qoftë edhe kur ka plotësisht apo pjesërisht të drejtë në ato që thotë e ato që kërkon, mosndjeshmëria për hallet e tjetrit e mbivlerësimi i mirëqënies personale, mospërfillja e deri bullizimi i mendimeve kundër e bartësve të tyre, janë shenja apo simptoma që tregojnë se vetëm një hap larg jemi nga “diktatura” e “diktatorët”. Mundet dikush, me të drejtë sipas vizionit të tij, të më thotë se nuk ka diktatorë që zgjidhen me votim të lirë e alternativë, e nuk ka diktaturë kur secili bën ç’të dojë e si të dojë, por unë pikërisht këtu e shoh edhe të keqen. Ndërsa sistemi i kaluar e kishte të shkruar në ballë dhe me krenari shpallte se ishte sistemi i diktaturës së proletariatit, në emër të saj u kthye në diktaturë të një kaste të vogël njerëzish që “votoheshin” e duartrokiteshin në mënyrë frenetike, duke i konsideruar udhëheqësit e shtetit edhe si hyjni. Sistemi aktual pluralist, me metoda të tjera, shfaq shenja të njëjta me periudhën e para nëntëdhjetës. Publikisht është sistem pluripartiak e zgjedhjet janë të lira e periodike, praktikisht ka rrëshqitur në kulte individidësh, mosdëgjim të askujt, e pandjeshmëri ndaj gjithshkaje tjetër që s’është “e tyre”. Vetëm burgjet i kanë dyert njëlloj hapur për të gjithë, e shpresoj të mos rikthehet edhe ajo kohë kur dënoheshe me nenin 55 për “agjitacion e propogandë”, apo të ngjashëm me të, ligjëruar po me votë në Kodin Penal të kohës. Në sistemin e mëparshëm, të dilje kundër tij të priste burgu, duke të akuzuar hapur e fshehur si kundërshtar. Në se nuk ishe realisht kundër sistemit, por shfaqeshe kundër atyre që përqëndronin në dorë pushtetin, të priste koperativa, miniera, komunalja e të tjera fronte pune nga më të vështirat edhe në se ishe shkencëtar. Atëhere nuk mund të merrje të drejtë studimi në fusha të preferuara si juridik, diplomaci, inxhinieri, mjekësi etj, po s’ishe njeri afër udhëheqjes, ndërsa sot diploma me vlerë është vetëm ajo e blerë! Deri dje përparonin në karrierë vetëm ata që i thurnin lavde partisë e udhëheqjes, duke patur të vetmet kallo në duar ato të shkaktuara nga duartrokitja ndaj partisë dhe udhëheqjes, ndërsa punëtori duhej të vazhdonte të “thellohej” në rezultate për t’u “shpërblyer” me një vepër të shokut Enver, të Leninit apo Stalinit. Po sot?

Në parantezë: Sot, sipas meje, janë 34 vite pluralizëm, apo pluhurizëm, siç mund t’a quajmë! Sistemi i meritokracisë është zëvendësuar nga zgjatimi i sistemit të partiokracisë, apo më keq akoma, partishmërisë. Askush nuk mundet të bëjë karrierë normale në se nuk është i partisë në pushtet (partiokracia) e brenda saj, afër udhëheqjes (partishmëria). Dhe nuk e kam fjalën në karrierën e pushtetit, por edhe në punën tënde profesionale, qoftë edhe në sektorin privat, në fushën akademike e kudo tjetër. Pushteti dëgjon vetëm jehonën e duartrokitjeve ndaj tij, por asnjë zë kundër, asnjë zë oponent apo opozitar me të. Përfaqësimin e forcave politike e marrin pasunarët që s’kanë punuar as edhe një ditë të vetme, e nga përfaqësimi pasurojnë veten e

besnikët e partisë rreth vetes, duke ndarë mënjanë fondet për zgjedhjet e radhës. Tash edhe më keq se dje: bëhesh deputet, ministër, kryeministër, kryeparlamentar e president i republikës (mirë që akoma s’e kanë shpallur monarki!), pa asnjë ditë pune në ndonjë sektor tjetër. A s’ishte kështu Meta, apo edhe Rama, Majko, Basha, Mona, edhe… Si mundet të drejtojë shtetin një individ, që s’ka punuar as edhe një ditë të vetme në një punë tjetër e as në familje se pyet kush, se është gjallë?

Nga këtu rrjedh pastaj ndjenja e mendjemadhësisë, e madhështisë, ajo e unit etj, që një hap i ndanë nga diktatorët. Këtu e ka burimin edhe babëzia e tyre e yshtja drejt korrupsionit e vjedhjes, pasi mendojnë se askush në këtë vend s’mund të jetë më i pasur se ata, e derisa pushtetin e kanë pa meritë, pse jo, ata duhet t’a kenë edhe pasurinë si të parë. Pikërisht këtu e ka burimin edhe mosndjeshmëria ndaj halleve reale të njerëzve. Shikoni Kuvendin tonë (veç kuvend nuk bëhet aty!), ku të gjithë kanë rënë dakort të “çimentojnë” jo vetëm pagat e privilegjet aktuale, por edhe privilegjet e përjetshme për vete dhe tallen me minatorët, pensionistët e të papunët. Unë lotova për atë pensionistin që u shtri përdhe vetëm t’i thoshte dy fjalë Ramës, po këta s’kanë si t’a dinë se koha e Migjenit, për shumëkënd nuk është një e shkuar, por aktuale. Edhe delegjitimimi i çdo zëri ndryshe, apo kundër, është zgjatim i diktaturës në funksion.

Kështu, në mënyrë të hapur e shumë afër parardhësit, veproi Berisha dhe fundi i tij dihet, edhe pse po reziston më gjatë se kushdo tjetër, me marifete “nën rrogoz”, por njëjtë po vepron edhe Rama. Në se më mbyll dyert e shtëpisë, unë do të mundohem të hy nga dritarja! Thënë këtë as ndërmend nuk më shkon të justifikoj dhunën e opozitës, në rrugë apo qoftë në institucione, por njëqindfish më shumë nuk e justifikoj dhunën, verbale apo me heshtje e mospërfillje, të mazhorancës nda saj! Brenda familjes së tyre situata s’ka asnjë ndryshim në të dy krahët, ndonëse graviteti nga tërheqja e pushtetit dhe trashëgimia e përvoja e gjatë, e mban akoma solide mazhorancën aktuale. Berisha i kërcënonte kundërshtarët e brendshëm, njëlloj si Enveri, edhe me burg, Rama i shpërfill e ofendon duke mos i dëgjuar, e duke i vënë nën pushtetin e pseudosocialistëve, që shpesh rezultojnë të jenë hajdutë e kriminelë ordinerë. Ja pra, sipas meje, simptomat e diktaturës vazhdojnë edhe sot, ndonëse shumë herë më të buta në dukje e të maskuara, shfaqje që i bën ato edhe më të rrezikshme se dje.

Po nuk përfille zërat brenda vetes, po nuk respektove zërat kundra, po nuk i ndjeve hallet e njerëzve si të ishin tuat, veç burgut politik, çfarë tjetër të dallon nga të qënit diktator e shtet diktatorial? Për t’i dhënë nuanca më të lehta, këtij modeli mund t’i themi qeverisje autoritare, e njëzëshme e ku vlen vetëm njëshi, por fundi i qeverisjeve të tilla (qeverisje ku simptomat diktatoriale janë prezente), janë të hidhura për masën e gjerë të të qeverisurve, por edhe për bartësit e tyre, (kujto: Zogun, Alinë, Çarçanin, Berishën e Metën!), ndaj është më mirë mbivlerësimi i këtyre simptomave, e reagimi demokratik në kohë reale ndaj tyre, së pari brenda vetë klasës pushtetare, se sa frika me u thirr në emrin që meritojnë, duke pritur fundin pa lavdi për ta, e traumatik për ne.

Lezhë, më 25 shtator 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat