Një dialog me një mik zviceran, qetësisht dhe pa shumë sforcime u shndërrua në një debat konstruktiv që mori një horizont politik dhe analitik. Brenda kohës, pata ngenë që të procedojë me disa fakte që po formuloheshin në formë dileme dhe pyetjeje. Po i thosha mikut tim se Zvicra gjeografikisht është tokë shumë e varfër, jopjellore, pa pasuri tokësore dhe nëntokësore, me mbi 40 mijë kilometra katrorë dhe me më shumë se 8 milionë banorë. Një shtet parajsë, me 90 mijë franga për kokë banori. Me standard të lartë dhe të begatshëm. Papunësia është nën 2 për qind, kurse për çdo vit vijnë nga 50 deri më 70 mijë të huaj për të gjetur edhe punë.
Zoti Wagner, i them në vijim, është një kontrast i madh mes Zvicrës dhe shtetit tim, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor. Një kontrast i thellë, që mbase nuk arrijmë ta kuptojmë se nga vjen. Maqedonia e Veriut, ka një sipërfaqe afërsisht 24 mijë kilometër katrorë dhe më pakë se 1.8 milionë banorë. Më shumë se një e treta punojnë jashtë, më së shumti në shtetet perëndimore. Ky shtet ka tokë pjellore, pasuri nëntokësore dhe mbitokësore, ndërkohë që për paradoks shumica e popullatës jetojnë në varfëri. Papunësia është e madhe, ndërsa politikanët janë të korruptuar dhe të inkriminuar. Shteti ka një sistem të kalbur shëndetësor dhe arsimor. Përafërsisht, e njëjta situatë është edhe në shtete tjera të Ballkanit Perëndimor.
Për shkak të kësaj situate, e vetmja shpresë për popujt e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE, ose ikja në shtetet e BE-së. Sipas disa historianëve dhe studiuesve të Ballkanit, shkaku për një gjendje të këtillë në shtetin tim dhe përgjithësisht për vendet e rajonit të Ballkanit, është se këta popuj afër 5 shekuj u shkëputën nga matrica, nga trungu amë europian.
Divergjencat me botën perëndimore
Shkrimtari ynë, Ismail Kadare, i them në vazhdim mikut tim zviceran, shkruan se popujt e Ballkanit ishin si shqiponja me unazë në këmbë. Këta popuj, pas 5 shekujve u kthyen me damkë e nishan .
Miku im, zoti Wagner, pasi më dëgjoi me vëmendje dhe me qetësinë tipike zvicerane më tha se, është e vërtet se popujt e Ballkanit kanë qenë nën sundimin osman, por po të shtjellojmë në aspektin antropologjik, nuk mund të themi se është faktor Perandoria Osmane .
Janë shumë faktorë për shkaqet e divergjencave mes popujve të Ballkanit dhe popujve të Europës Perëndimore, theksoi miku zviceran. Po t’i ndajmë popujt në kategori të racave, ose të qytetërimeve, në epokën e lashtë, ishin dy raca ,ose qytetërime, grekët dhe romakët, vuri në pah ai. Sipas tij, popujt tjerë konsideroheshin si popuj barbarë.
“Dy shekujt e fundit, si qytetërim i lartë dhe superior janë raca ariane dhe latine. Këta popuj kanë arritur zbulime madhështore, në fushat e artit, shkencës dhe teknologjisë. Por, dhe mes popujve të qytetërimit perëndimor ekzistojnë divergjenca kulturore dhe sociale. Për shembull, popujt tjerë latinë, italianët e jugut, spanjollët dhe portugezët, pas epokës së rilindjes, përveç francezëve, mbetën popuj me mentalitet mesdhetar”, tha ai, me po atë qetësi të fillimit.
Sindromi ballkanik
Sigurisht dilemat në kokën time vazhdonin, ndërkohë që në dialog e sipër ia parashtrova këtë dilemë.
Zoti Wagner, shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga pikëpamja e pasurive natyrore, janë më të pasura se shtetet perëndimore, këta shtete kanë të njëjtat forma dhe struktura të qeverisjes, shtete me demokraci, pluralizëm politikë, ligje dhe kushtetutë, janë pra mostër prototipe të shteteve demokratike perëndimore. Për pak çaste dilemën e çova deri në fund: të gjithë shtetet e Europës Lindore, të kampit komunist, hyrën në BE, kurse këta shtete akoma janë larg për të hyrë në familjen europiane!
Zoti Wagner, sikur e priti këtë dilemë të komplikuar. Duke vazhduar me po atë qetësi theksoi se për sa u përket institucioneve demokratike dhe liberale, shembull ilustrues mund të jetë Amerika e Jugut, e ashtuquajtura Amerika latine.
Të gjithë këta shtete, theksoi zoti Wagner, pas juntave militariste, janë shtete me pluralizëm politik, ligje dhe kushtetutë demokratike europiane, por siç dihet ,këta shtete fatkeqësisht kanë nofkën “banana-shtete”.
Sipas filozofit dhe sociologut, Gustav le Bon, popujt bartin trashëgimi mijëvjeçare të pararendësve të tyre. Së këndejmi, gjendja e shumë popujve, përcaktohet edhe nga ky fat historik dhe nga kjo trashëgimi, që shpeshherë mbetet e ngulitur edhe në temperamentin e tyre. Gjithë kjo e bën që këta popuj, siç është rasti edhe me popujt e Ballkanit të lëvizin ngadalë, në drejtim të progresit dhe standardeve të botës perëndimore.