Kur do të marrin fund “pengmarrja juridike e politike” e drejtuesve të Bashkisë Tropojë?!

Opinione

Kur do të marrin fund “pengmarrja juridike e politike” e drejtuesve të Bashkisë Tropojë?!

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 30 tetor 2024 Në ora: 06:37
Foto ilustrim

Çështja në proces juridik: “Byberi-Kërrnaja”, drejtues të Bashkisë Tropojë, është çështja nr. 1 e SPAK-ut për vitin 2024, për faktin se u rregjistrua e para në protokollin e tij zyrtar kalendarik. Kjo çështje juridike hetimore e vendimore në piramiden e lartë të drejtësisë shqiptare, sipas gjasave, e ka një farë “lehonie politike”, ku veçanarisht në muajin e 9-të të saj, në shtator 2024, “pjelli” shumë politikë. Kjo ndodhi kryesisht me vendimmarrjen në (prapa)skena juridike e politike ndaj dy bashkiakëve lokalë, me masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”. Në këtë çështje, me çka duket edhe në korridore e oborre, po ecim drejt një “gjyqi penal politik”, gjyq i politizuar në zgavella e rrjedha juridike institucionale jo vetëm të drejtësisë kupolike.

Së parit: datimi i gjykimit e vendimmarrjes së parë juridike u caktua me 9 shtator 2024, u eterizua edhe në masmedia si lajm i madh dite e përtej dite, derisa me 11 të shtatorit 2024 erdhi jehona tejet e madhe e paraqitjes për herë të parë fizikisht të liderit të së djathtës shqiptare, dr. Sali Berisha, në derën e shkallët e SPAK-ut. Ky krahasim, paralelizim, ndoshta nuk iu pëlqen të ceket: as të majtës, as të djathtës, as vet SPAK-ut, as ndokujt tjetër. Po fjala duhet thënë haptas: ky datim u planifikua kësisoj edhe për arsye politike; edhe për shkak të origjinës së përbashkët të tyre: Tropoja; edhe për shkak të përkatësive partiake të tyre: në PS dhe në PD; edhe për pak apo shumë “amortizime” politike të situatës politike; edhe për…! A ndodhin “kalkulime juridike” të tilla me karakter edhe politik?! E, pse jo, edhe ndodhin këto! Kemi shembuj: Dr. Berishës në 80 vjetorin e tij të lindjes, SPAK-u i bën “dhuratë” dërgimin e Dosjes (voluminoze me fashikuj) në GJKKO, sikur të mos kishte ditë tjetër, kohë tjetër (!) Ani pra, si të mos e besojmë se 9 dhe 11 shtatori 2024 i kanë disa kalkulime edhe juridike, por edhe politike?! Prokurorët e SPAK-ut janë zgjedhur si dalëzotas juridik nga më të mirët në sistemin e drejtësisë, si juristë profesionistë misionarë të kohës, andaj duhet të ndjekin vazhdimisht dhe për mbarë edhe Politikën Shqiptare (edhe atë Euro-Atlantike), duhet të jenë edhe më social për mirë për/në disa raste të çështjeve juridike në Kohën tonë, që të mos kemi “kalkulime” apo “përkime” të tilla, etj., si këto të shtatorit 2024.

Së dyti: Dy drejtuesit bashkiak të Tropojës në Qarkun e Kukësit, sipas gjasave, po përdoren disi si një “aset i artë” juridik (por edhe politik; edhe krahinor Jug-Veri; edhe për amortizim juridik, moral, publik; edhe si kundërpeshë e analogji, etj.) për togat e zeza në krye të piramidës së drejtësisë aktuale shqiptare (dhe nga të tjerë larteposhtë) bashkëlidhur me dy rastet juridike penale “Mandi-Hide”, përndryshe: rastet spakjane “Libohova” në Qarkun e Gjirokastrës.

Në qershor 2024, ish-kryetarja e Bashkisë Libohovë në dy mandate, Luiza Mandi (herë e LSI, e herë e PS), pas hetimeve spakjane, u dënua “Për shpërdorim detyre” me 12-4 vite burg (në mungesë) dhe “për 5 vite mos ushtrim të funksioneve publike”, pasi kishte disa mangësi ndërtimore e dëme pronësore përgjatë dhe pas hapjes së një auto-rruge lokale në një pronë private libohovite, akuzë e ngritur nga vet pronari i tokës. E, për ma tepër, prej nga marsi 2024, SPAK-u e ka marrë tashma nën hetim edhe Kryetarin aktual të Bashkisë Libohovë, Leonard Hide i PS-së, i dyshuar se përgjatë kohës së detyrës së tij si Shef i Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka përgjegjësi (in)direkte për parcela kanabisi, si të thuash ndryshe: “çështje droge”! E, për ma tepër, kohët e fundit, edhe ndaj kryetarit të Këshillit Bashkiak të Libohovës, Opozita aktuale (PD) ka shigjetuar kritika publike.

E, të gjitha këto bubullima e rrufe mbi Bashkinë Libohovë, mbi (ish)drejtuesit e saj “Mandi-Hide”, mendohet se është kundërvepruar deri lart e gjithandej, duke shtegtuar, lokalizuar e përqendruar, problematika të këtilla, deri me “pengmarrje juridike e politike” edhe në Alpe, në Bashkinë veriore Tropojë, me/tek “Çështja Byberaj-Kërrnaja”. E, një nga faktorët vetëveprues, ndikues, me mënyrat e veta, me lidhje të vetat deri në kupolën juridike e politike metropolitane, mundet të jenë kryesisht armata politike, e biznesit, e jurispencencës, vendas apo me prejardhje, nga Libohova. Në krejt historinë e Kombit Shqiptar Bashkia e sotme Libohovë (me tre njësitë administrative: qyteti Libohovë, qendër Libohovë, Zagorie e me 17 fshatrat e saj) është rekordmene e jashtëzakonshme kombëtare, e paarritshme, për numrin e madh e lartnor të juristëve të saj, e cila në kohën e Perandorisë Otomane quhej edhe “Vendi i Kadillerëve” (magjistrat, jurist, gjyqtar i Sheriatit), ndërsa në kohën e Komunizmit kishte juristë ma shumë se Tropoja, Hasi, Kukësi, Fushë Arrëzi, Puka, Vau i Dejës, Malësi e Madhe., pothuaj sa të shtata së bashku. Prof. dr. Uran Asllani, në librin e tij “Juristët libohovitë, shek. XVII-XXI” (botuar, 2010) i rendit 140 juristë vetëm nga Libohova e Nepravishta, me biografitë e tyre. Juristët nga Libohova e sotme kanë arritë të jenë përgjatë kohërave edhe President, edhe ministra (disa prej tyre edhe ministra drejtësie), kryetarë të gjykatave, deputetë, kryetarë bashkie etj.), kanë rranjë e degë, (stër)lidhje gjithandej. E, kësisoj, juristët Libohovitë, ndër breza e kohëra, mund të cilësohen jo veç një “Klan Libohova” në sistemin e drejtësisë katërshekullore shqiptare, por edhe “universiteti juridik ma i madh shqiptar”, përndryshe: “Universiteti Juridik Libohova” e, përndryshe: “Akademia Juridike Libohova”.

Së treti: Vendimet spaknore, gjykatnore, siç i kanë kufijtë e tyre të gjykimit e të apelimit juridik, sigurisht i kanë edhe kufinjtë e gjykimit mediatik e publik nga ana jonë, por në rastin/çështjen juridike “Byberi-Kërrnaja”, tuj pa edhe disa “kalkulime” juridike e politike (edhe të lartcekuna); tuj (ri)lexue edhe Njoftimin Zyrtar të SPAK (09.09.2024); mund të themi, sa haptas edhe qartas, se për aq sa shkruhet e thuhet, po ka tepri të skajshme në marrjen e në dhanien e masës “Arrest në Shtëpi”, dy muaj ma herët, për dy drejtuesit e Bashkisë Tropojë, ndaj Kryetarit të saj, Rexhë Byberaj dhe Nënkryetarit Abedin Kërrnaja.

Tre vite ma herët, më 9 gusht 2021, u rregjistrua Procedimi Penal Nr. 131, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e mbasandejna edhe në Kukës (në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës), por gjatë kësaj kohe as “nuk u arratisen” jashtë shtetit dhe as “nuk i prishën provat” për dy rrugët alpine, në lartësi bjeshktare, në Njësinë Administrative Lekbibaj (Nikaj-Mërtur), bash kufi me krahinën e Dukagjinit. As përgjatë 9-muajve të vitit 2024, të hetimit, shqyrtimit e vendimit në SPAK, nuk ka pasë asnjë ndryshim, asnjëri prej dy bashkiakëve të Tropojës nuk përbënte “rrezik arratisje apo zhdukje provash”, sepse dy rrugët alpine nuk mund të iknin në drejtim të paditur, as drurët nuk mund të fluturonin në qiell, as gurnaja nuk mund të fundosej nëntokë, as dheu nuk mund të futej në thasë mielli (!)

Përkundrazi, duhet shtue edhe kjo: Si është e mundur që sistemi i drejtësisë në Qarkun e Kukësit, i njohur me protokollim e hetim me këtë rast/çështje juridike nuk mori vendim për pezullim të punimeve deri në përfundim plotor e saktësues të saj, por ndodhi siç ndodh shpesh herë në Shqipëri, “allashqiptarçe”, të bahet hetimi, gjykimi e vendimi penal në Tiranë, pasi bahet “dami ekonomik”, pasi të kemi rrjedhoja e të vijnë pasoja etj., siç po e shohim përditë edhe me “Çështjen e Mikrokredive” ku u keqpërfshinë rreth 100 mijë qytetarë shqiptarë (!)

Dy rrugët-auto “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules” dhe “Qafë Murrizi-Qafë Agri”, për të cilat janë dënuar me masë “Arrest në shtëpi” dy drejtuesit bashkiakë të Tropojës, janë miratuar në parim si Projekt-Ide me Vendim të Këshillit Bashkiak Tropojë (Nr. 34 dhe Nr. 35, dt. 30.03.2021) dhe është konfirmuar ligjshmëria e këtyre vendimeve nga Prefekti i Qarkut të Kukësit, përfaqësuesi i Qeverisë Shqiptare (me Nr. 2/31 prot., dt. 15.04.2021). Çështja juridike “Byberi-Kërrnaja”, sipas njoftimit zyrtar të SPAK, në këtë fazë hetimore të deritanishme ka të bëjnë me disa dyshime se kanë “kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës”, sepse punimet janë kryer në kundërshtim me VKM, nr. 408, dt. 13.05.2015 (i ndryshuar): a) Për hapjen e një rruge të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. b) Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugëve, siç janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, duhej të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. c) Nga kryerja e aktit të ekspertimit teknik-topografik të stafit të caktuar nga SPAK hapja e rrugëve ka sjellë një dëm prej 277.611.520 lekë, shifër kjo e cila të bën të dyshosh edhe për vet saktësinë reale të vet SPAK-ut.

Kjo është e gjitha, kjo është ajo gjëja juridike në hetime, gjykime e vendime spakjane, për të cilat iu jepet masa penale e tepruar dhe e panevojshme “Arrest në shtëpi” kryebashkiakut të Tropojës (dhe Nënkryetarit), pavarësisht se edhe po të duan këta të dy zyrtarët tashma në tre vitet e fundit të çështjes së tyre në proces juridik penal nuk mund të kryenin dhe as të kryejnë pas-veprime zyrtare, shtetërore, me “e-leje” në Bashkinë e Tropojës, as me Agjensinë Kombëtare të Mjedisit, as me Ministrinë e Linjës (!)

Në njoftimin zyrtar të SPAK-ut gjejmë një frazë juridike të këtillë: “Rruga-auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2 km, totalisht ndërtim i ri, i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese”. E thënë ndryshe: kjo rrugë edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit thirret “Rrugë e Madhe”, sepse e lidhte me Palçin-kryeqëndren e Bajrakut përkohor të fisit të Mërturit (Gërvallajt); e lidhte me Drinin e Bashkuar, edhe me PërtejDrinin (Mërturi i Pukës etj.), e lidhte nëpërmjet Salcës e Brisës edhe me Dukagjinin; është rrugë e brezave vendorë krahinorë të atyhit, në shekuj jete. E, “Rruga e Madhe” me Kanun “nuk mund të ndalet dhe as nuk mund të pritet” nga askush, se është “e mira e përbashkët” dhe kur e don puna edhe mund të rregullohet (zgjatet, zgjerohet, etj). Po me Kanun të Lekë Dukagjinit “Rruga e Madhe” e përbashkët, kjo e mirë e përbashkët, qysh në kohën e Lekës sanksionohej se nuk mund të jetë ma shumë se me kalue kijet (qetë) me zgjedhë (transport), kurse pjesa tjetër është pronë e ligjshme e pronarit ose e fshatit/lagjeve/shtëpijave nga kalon “Rruga e Madhe” që duhet damshpërblye nga Shteti (nga Bashkia tek Qeveria) që mbi shtratin e saj ndërton rrugë bashkëkohore dhe aq ma tepër gjatë hapjes së rrugës Kanuni e vulos qartësisht se “po e gjet dami tjetrin, ty të zhgarkohet, e do t'epsh arsye permbas damit” (çka domethanë se vjen SPAK-u e jepet/merret haku juridik dhe ekonomik).

Njoftimi zyrtar i SPAK-ut nuk flet me detaje për Rrugën tjetër “Qafë Murrizi-Qafë Agri”, po me sa duket mund të jenë damtuar ma së shumti drurë pyjorë. Nuk është e mirë për askënd as damtimi i një peme të vetme edhe në pyjet ma të larta e ma të largëta, por kryebashkiaku i Tropojës e ka shembullin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Ramës, kryetarit të partisë së tij, që kapte dikur sakicen në dorë për me pré dru dekorativ të Kryeqytetit tonë metropolitan.

Shembulli i lartë i kryebashkiakut të Tropojës (edhe prej kohës kur ishte kryetar komune në Margegaj) është i jashtëzakonshëm dhe krejt i veçantë dhe i vetëm në ndërtimin e auto-rrugëve edhe në bjeshkët alpine e dekterit në Qafë të Agrit (ku për herë të parë u hap rruga e makinës për me e lidhë Brisën e izoluar me krejt Nikaj-Mërturin e me Malësinë e Gjakovës). Rexhë Byberaj është “Njeriu i auto-rrugëve të reja alpine” dhe paradoksalisht për dy prej tyre i ra me u (për)ndjekë penalisht nga sistemi i drejtësisë nga Tropoja në Tiranë (!)

Drejtësia e re SPAK, pavarësisht disa meritave të saj elitare, në se me “Çështjen Byberi-Kërrnaja” arriti deri në lartësitë alpine në Qafë të Agrit të krahinës së Nikaj-Mërturit të Tropojës; në se arriti në skajin ma verior të Republikës së Shqipërisë; nuk do të thotë se arriti lartësi juridike spakjane aq të larta e krenarie juridike me masën “Arrest në shtëpi” të dy bashkiakëve lokalë të Tropojës, ndër të tjera: duke e dëmtuar dhe punën e kësaj bashkie në qeverisjen e saj, të mbetur vetëm me një kryetare të komanduar në detyrë, (shembëllim pothuajse i përafërt me rastin e lëvizjeve të drejtuesve të Bashkisë Himarë). Bashkia e Tropojës i don të gjithë drejtuesit e saj në krye të detyrës, sepse “për dy rrugë alpine të vogla” në oktopadim juridik e politik nuk mund “të mbeten rrugëve” objektivat, problematikat, angazhimet e mëdha të kësaj “Bashkie të Alpeve”, në një pozicion gjeostrategjik të veçantë- në trekandshin kufitar Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi; një nga bashkitë veriore që vuan edhe nga varfëria, edhe nga shpopullimi, edhe nga mungesa e madhe ndër dekada dhe aktualisht e fondeve në propocion me kontributet e saj të jashtëzakonshme në ekonominë kombëtare shqiptare, si në energjetikë, minerale, pyje, turizëm, bimë medicionale, etj.

Së katërti, “Çështja Byberaj-Kërrnaja” ka mundësi të ecin në ulluqe e zgavella juridike e aq ma keq edhe ato politike, duke përcjellë e sjellë ndaj tyre masa juridike penale SPAK-GJKKO. Mjafton të dilet me “vendim salinjan” për të mos e lejuar marrjen me politikë për disa vite dhe do e humbisnin të drejtën të të qënurit në krye të Bashkisë Tropojë. Ndoshta dhe masa shtrenguese juridike penale e tepruar “Arrest në shtëpi” ndaj tyre ka pasë parasysh, ka nënkuptuar apo dojnë t’i çojnë në këtë dimrin e sivjetëm dy drejtuesit bashkiakë tek largimi nga politika, nga drejtimi i Bashkisë Tropojë. Kjo i intereson politikës së të majtës shqiptare, sepse don t’i shpallin parakohe zgjedhjet në Tropojë dhe t’i fitojnë ato e majta para Zgjedhjeve Parlamentare të Pranverës 2025, duke i dhënë një goditje të madhe Opozitës (PD) në Shqipëri nga vendlindja e Sali Berishës. Drejtuesit bashkiakë të Tropojës në “Arrest shtëpie”, avokati i tyre përfaqësues në SPAK-GJKKO e të tjerë, ndoshta, lipset të jenë “Digë” përballë kësaj “Çudie” në këtë vend me plot çudira të pafund (!)

Përndryshe, me sa shihet: “Çështja Byberi-Kërrnaja” po bën disa hapa përpara nga gjyq juridik në një “gjyq politik” ndaj drejtuesve bashkiakë të Tropojës, andaj iu urojmë: ardhtë edhe dita e pafajësisë së tyre!

Në përfundim theksoj se me drejtuesit e Bashkisë së Tropojës nuk kam asnjë lidhje politike partiake, pasi partia ime e vetme, e para dhe e fundit, është e mbetet vendlindja ime Tropoja dhe nuk kam asnjë përfitim apo interes monetar donator (asnjë cent); nuk kam asnjë Mirënjohje të vetme etj., por due të flas si gazetar, si tropojan, si qytetar i lirë i botës, due të ngrejë zërin tim mediatik: Kur do të marrin fund “pengmarrja juridike e politike” e drejtuesve të Bashkisë Tropojë?!

Edhe për kupolën juridike SPAK-GJKKO, pavarësisht arritjeve të tyre juridike të derisotme, duhet thënë se shpesh nuk po kanë “peshore drejtësie” të drejtë e të saktë, po duket shpeshtas një joshje juridike e tepruar drejt masave juridike të tilla të tepruara si “Arrest në shtëpi” (sikurse edhe në “Çështjen Byberi-Kërrnaja”) aq sa nganjëherë pandehim se mos shtëpiat shqiptare po kthehen paarsyeshëm në “burgje përkohore” deri dhe në “Meka politike”, në “Jeruzalem politik(!)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat