Nëse VV nuk fiton mbi 50%, vendi mund të shkojë në bllokim

Opinione

Nëse VV nuk fiton mbi 50%, vendi mund të shkojë në bllokim

Nga: Faton Mehmeti Më: 30 tetor 2024 Në ora: 14:21
Autori Faton Mehmeti

Me afrimin e stinës së dimrit, kalkulimet për zgjedhjet po shtohen edhe më shumë. Opozita duket e ashpër ndaj qeverisë, duke përdorur të gjithë arsenalin për të mos lejuar që VV të fitojë mbi 50%, çka do t'i mjaftonte asaj për të qeverisur e vetme edhe një mandat katërvjeçar. Kështu, i gjithë blloku opozitar synon të bllokojë VV për të ardhur në pushtet. Synimi i tyre është që VV të mos fitojë 50% të votave, dhe pastaj të formojnë një koalicion për të marrë pushtetin.

Meqenëse kushtetuta i jep mandatin partisë së dytë kur e para nuk mund të sigurojë votat e mjaftueshme, përsëritja e rastit "Dulla" nuk është e pamundur. AAK dhe PDK janë për këtë skenar, ndërsa LDK ka theksuar se do të mbetet në opozitë nëse nuk fitojnë, çka edhe është e pritur. Nëse LDK nuk lëkundet nga qëndrimet e saj, kjo mund të prishë skenarin e opozitës.

Megjithatë, opozita duket se ka një skenar të dytë në plan, atë të flirtimit me VV për të formuar qeverinë e re. Në këtë skenar, AAK duket më e interesuar; koha e gjatë në opozitë ka efektet e saj në anëtarësinë e saj, me njerëz që largohen nga mbështetja ndaj partisë së Ramushit nëse nuk përfitojnë benefite të punësimit. Edhe PDK mund të përfshihet në një marrëveshje të tillë nëse VV i jep hapësirë, me mbështetësit e z. Kurti që nuk preferojnë (hipotetikisht) një koalicion të tillë.

Kështu, mundësia e bllokadës mund të ndodhë nëse VV këmbëngul në qëndrimet e saj për të mos bërë koalicion, dhe LDK me qëndrimet e saj për të qëndruar në opozitë, pa dashur të përsërisë gabimin e njëjtë të vitit 2020. Opsioni më realist është fitorja e VV me mbi 50%; çdo rezultat tjetër implicon disa skenarë të ndryshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat