Kërkesë e guximshme, do të thoshin budallenjtë. Mos e votoni Albin Kurtin, urdhëroi një ambasador serb! Cili mund ta merrte një rol të tillë, që t´u jep urdhra shqiptarëve, se cilin duhet ta zgjedhin, e cilin jo. Sundimin e egër mbi 100 vjeçar mbi shqiptarët, mendojnë se e kishin dhe duhet ta kenë të garantuar përjetësisht.
Dhe ky urdhër nuk u tha kudo e sido, por para Këshillit të Sigurimit të OKB. Para misionit ndërkombëtar të tërë botës, dhe nga kush u tha? Nga një nacionalist dhe racist serb, me emrin Gjuriq, të cilin edhe Thaçi e kishte lidhur si qenin, sepse mendonte se mund të hynte në Kosovë kur të donte, e sa herë të donte.
Nga urdhrat e tilla nga një diletant dhe nga një askush, sot nuk befasohet asnjëri, e aq më pak shqiptarët, sepse menjëherë të shkon mendja, me çfarë qëllimi apo me çfarë prapavije Gjuriqi e Gjuriqat e Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit, Bërnabiç - kës etj. e bëjnë këtë.
Sapo t´ia parashtrosh vetes këtë pyetje mendon se me një kërkesë të tillë ky racist apelon: votojeni Albin Kurti, po për çfarë arsye?
Po mbet Albin Kurti në pushtet i përgjigjet Serbisë, (sepse ai nuk do tu bëjë lëshime) për shkakun se ata nuk janë të interesuar për marrëveshje.
Dhe derisa nuk janë të interesuar për marrëveshje u konvenon Kurti, vetëm për të fituar në kohë, duke u arsyetuar se me Albin Kurtin është e pamundur të akordohen për marrëveshjen, të cilën po e kërkon bashkësia ndërkombëtare.
Dhe derisa ata përfitojnë në kohë, shpresojnë që një ditë rrethanat gjeostrategjike ndërkombëtare do t´u përgjigjen, që me dhunë ta pushtojnë Kosovën.
Por, po i humbi zgjedhjet Albin Kurti, po ashtu e kanë mundësinë që me të tjerët, nga opozita, shumë më lehtë ti arrijnë qëllimet.
Prandaj si njëra, si tjetra, me Kurtin apo pa Kurtin, mendojnë se një ditë do të arrijnë që sërish Kosovën ta marrin. Nëse asnjërën e as tjetrën nuk e arrijnë, së paku do të përpiqen, t´i përçajnë shqiptarët.
Është një çështje që Vuçiqi me gjuriqat e tij nuk e kanë analizuar si duhet. Kosova kurrë në historinë e saj, nuk ka qenë më e fuqishme. Sot ajo e ka ushtrinë e saj, policinë e saj po edhe popullin, i cili kurrë nuk do të pranonte që edhe një herë të jetonte nën robërinë serbe.
Më në fund edhe shqiptarët po binden se vetëm vendosmëria e tyre, do të arrij që ta zmbrapsin Serbinë dhe ta ndërgjegjësojnë bashkësinë ndërkombëtare për të drejtën e tyre.
Perëndimi me marrëveshjen e Dejtonit arriti ta ndërpriste konfliktin në Bosnje, por politikisht kanë shkaktuar vetëm një kaos, të cilin po e shohin edhe vetë sot.
Po ashtu ata në çdo takim përpiqen t´i bindin shqiptarët për Asociacionin, si diçka të shenjtë, që patjetër duhet të formohet, (pa i analizuar pasojat) kurse në realitet po na ofrojnë Bosnjën e dytë.
Pra Kosova nuk duhet të bie në grackat e tilla, pa marr parasysh çmimin që do ta paguaj. T´i pranosh kërkesat e ndërkombëtarëve të cilët e njohin shumë pak, ose aspak realitetin ballkanik është lehtë, po të dilet pastaj nga një gjendje e tillë është e pamundur (shih Bosnjën). Po t´u kërkosh përgjegjësi pastaj ndërkombëtarëve se çfarë bënë me ne, përgjigjen do ta kenë të gatshme: vetë e keni pranuar. Edhe ne duhet të forcohemi, e të presim ditë më të mira, pa marr parasysh se kush na ndan urdhra.