Ndërkohë që gjykimi i ish-krerëve të luftës po vazhdon në Hagë, ka mundësi që Gjykata të vazhdojë me arrestime të reja, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Pikërisht për këtë, në vendin tonë, para disa kohësh kanë zbarkuar pjesëtarë të Forcave Evropiane të Xhandarmërisë.
Kjo lidhet edhe me faktin se Gjykata Speciale ka zgjeruar akuzat ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të UÇK-së, duke përfshirë edhe 13 pjesëtarë të UÇK-së në aktakuzë. Ky grup, përveç përgjegjësive komanduese, akuzohet edhe për akuza specifike që pretendohet të kenë ndodhur gjatë dhe pas luftës.
Andaj, këta 13 persona mund të jenë të arrestuar, të cilët përfshijnë pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si dhe të zonave operative të Drenicës, Dukagjinit, Nerodimes, Pashtrikut etj.
Nuk besoj se vetëm këta të arrestuar deri tani do të jenë në Hagë; nuk e them këtë as nga dëshira, as nga frika, por nga perspektiva reale. Para dy vitesh është përmendur se 13 persona të tjerë, shumica ish-eprorë të lartë të UÇK-së, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Megjithatë, nëse do të ndodhë apo jo, nuk dihet; besoj se do të ketë arrestime.
E kam thënë disa herë edhe në shkrimet e mëhershme dhe po e përsëris: do të kishte qenë shumë mirë që sistemi i drejtësisë këtu të funksiononte; s’do të kishte pasur kurrë nevojë për Specialen. Ata që nuk janë në Speciale do të ishin në burg (shumica e tyre) për afera korruptive. Kosova ka dështuar në drejtësi; tani duhet të mbështesim drejtësinë që na ofrojnë të tjerët. Kosova mund të pësojë tronditje me arrestimet e reja, kur dhe si e dinë vetëm organet e Specialës.