“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz!”

Opinione

“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz!”

Nga: Mimoza Dajçi Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 17:01
Autorja Mimoza Dajçi

Më shumë se një e treta e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale në një moment të jetës se tyre. Duke u ndalur tek ngjarjet e viteve 60-të në Republikën Domenikane ndodhi një vrasje makabre ndaj 3 motrave Mirabal. Referuar kësaj tragjedie, OKB vendosi që data 25 Nëntor të njihet si Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe çdo vit kujtohet si lëvizje popullore kundër dhunës ndaj grave. Në këtë ditë kërkohet ndërgjegjësimi individit, i mbarë opinionit publik dhe gjithë rruzullit që të denoncojnë dhunën ndaj grave, vajzave dhe fëmijëve.

Në Meksikë rreth 10 gra dhe vajza në ditë vriten nga partnerët apo anëtarët e familjes. Bazuar në këto skena krimi për jetën këngëtarja meksikane Silvana Estrada ka shkruar këngën me titull "Si Me Matan", "If They Kill Me". Këngë që u nominua për Çmimin e rëndësishëm "Latin Grammys" në Mexico City.

Përsa i përket Shqipërisë nga të dhënat e medias; Mos zbatimi i ligjeve dhe mungesa e shërbimeve sociale pranë komuniteteve për fuqizimin e familjes dhe zgjidhjen e konflikteve, për rrjedhojë "sjell" krimin në familje. Dhuna që ushtrohet ndaj grave nga partnerët konsiderohet me përmasa pandemike edhe nga ekspertët e shëndetësisë botërore. Por përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha se sa paraqiten, pasi pjesa më e madhe e rasteve nuk denoncohen, për shkak sepse viktimat e shohin dhunën në familje si një ҫështje private.

“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz“ – ka shkruar studentja ekselente Ariela Murati 22 vjeçe e Fakultetit Juridik, vrarë në datë 21 Janar 2018, para Fakultetit të Mjeksisë, Tiranë.

Ndërsa këngëtarja dhe aktivistja italiane Noemi, e cila performoi këngën e John Lennon "Imagine" në një Ceremoni Çmimesh organizuar nga OKB pak ditë më parë në Romë tha: "Nëse një grua lëndohet, jemi lënduar të gjitha ne gratë. Eshtë lënduar e gjithë bota".

Një shprehje tjetër thënë e duhet përmendur në rastin konkret nga Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres thotë: "Le të ndërtojmë një botë që refuzon të tolerojë dhunën ndaj grave kudo në çfarë do forme njëherë e përgjithmonë".

Në konferencat e ndryshme që kemi marr pjesë me temë "Dhuna në Familje" nga specialistët e kriminalistikës jemi informuar; Kur një bashkëjetues nuk është komunikues me bashkëjetuesen, është kontrollues dhe e dhunon gruan në mënyrë barbare, veçanërisht kur ajo është edhe shtatzënë, problemet serioze të shëndetit do të reflektohen edhe tek fëmija, pasi mbeten plagë që lenë gjurmë dhe mund të jenë të pakorrigjueshme. Çfarë evidenton se mentaliteti primitiv dhe kultura tradicionale që ekziston edhe tek disa meshkuj shqiptar i shikojnë e i trajtojnë vajzat dhe gratë si pronë dhe ndaj tyre duhet ushtruar dhunë dhe vrasje.

Në këtë drejtim organet e rendit në Shqipëri, policia dhe shoqëria civile, duhet ti izolojnë këta persona, e nuk duhet ti lenë të lirë, pasi janë të dëmshëm e të rrezikshëm jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë.

Sipas Tv - Zëri i Amerikës: "Ndonëse ndëshkimet janë ashpërsuar dhe gjykatat kanë dhënë dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit e grave ky krim nuk ka shënuar ulje.

Dënimi më i fundit me burgim të përjetshëm u dha mesin e korrikut të këtij viti nga Gjykata e Elbasanit për Tefik Tashin, i cili vrau me sëpatë motrën e bashkëshortes .

Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 12 vrasje të grave dhe qindra denoncime të tjera për dhunë në familje, të cilat sipas analistëve janë vetëm një pjesë e vogël e përmasave të vërteta të kësaj dukurie në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë numri i rasteve që janë evidentuar dhe denoncuar për dhunën në familje ka ardhur në rritje vit pas viti.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 ka pasur 5064 raste të denoncuara për dhunën në familje pranë policisë dhe ku me urdhër-mbrojtje janë trajtuar 2730 raste .

Edhe në 3-mujorin e parë të vitit 2024 janë regjistruar 1197 raste të denoncimit të dhunës në familje nga të cilat janë trajtuar me urdhër mbrojtje 627 raste".

Po sipas Zërit të Amerikës referuar raportit nga Instituti i Universiteti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë thotë se rreth 600 milionë gra, apo 15 për qind e popullsisë së botës, janë të ekspozuara ndaj konflikteve. Në raportin e fundit të këtij Instituti, që botohet një herë në dy vjet, Kosova radhitet në vendin e 100, ndërsa Shqipëria në vendin e 45 mes 177 shteteve. Në një intervistë për Zërin e Amerikes, autorja e raportit Elena Ortiz thotë se në Kosovë gratë kanë gjendjen më të keqe në rajon, në veçanti sa i përket përfshirjes së grave në tregun e punës, fuqizimit dhe pavarësisë së tyre financiare dhe ekonomike, si edhe diskriminimit gjinor në lindje.

Por më tej ajo shton se Kosova në veçanti shënon rezultat të lartë kur bëhet fjalë për të drejtat ligjore të grave. Është shteti me rezultatin më të lartë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e radhitur pas Serbisë dhe në mesin e 40 shteteve që tregojnë rezultat të mirë në këtë tregues. Kosova del me një gjendje të mirë sa i përket perceptimit të sigurisë së grave, njëri prej treguesve të dimensionit të sigurisë, që bën maatje e përqindjes së grave që thonë se ndihen të sigurta të ecin vetëm në lagjet e tyre natën.

"Në Kosovë - zonja Ortiz, kjo përqindje shkon në 77 për qind, shumë pikë mbi mesataren rajonale prej 58 për qind dhe mesataren globale prej 64 për qind. Në këtë aspekt, Kosova radhitet në mesin e 25 shteteve në krye të listës. Dhe së treti, Kosova ka shkallë shumë të lartë të përdorimit të telefonave celularë, 94 për qind. Në anën tjetër, fushat ku duhet përmirësim në Kosovë janë të përqendruara kryesisht në dimensionin e përfshirjes, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin ekonomik të grave. Për shembull, Kosova është në vendin e 10 më të ulët në botë sa i përket punësimit të grave, me vetëm afro 20 për qind të grave të punësuara dhe po ashtu është prapa përfshirjes së grave në çështjet e financave, që matet me përqindjen e grave që kanë një llogari të tyre bankare. Në Kosovë, përqindja e atyre që kanë një llogari bankare është 47 për qind, shumë pas mesatares rajonale dhe globale, që është 70 dhe 77 për qind. Gjithashtu kemi parë përmirësimin më të rëndësishëm në treguesit për sigurinë dhe uljen e rasteve të dhunës politike ndaj grave".

Duke u kthyer sërish tek data 25 Nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, shpresojmë që edhe në Shqipëri, Kosovë e të gjithë trevat shqiptare do të ketë manifestime për këtë ditë në mbretje të të drejtave të grave, vajzave dhe fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat