Edhe pas tetë vitesh, vdekja e Astrit Deharit mbetet mister

Opinione

Edhe pas tetë vitesh, vdekja e Astrit Deharit mbetet mister

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 14:52
Autori Faton Mehmeti

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u gjet i vdekur më 5 nëntor 2016, në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana misterioze. Ai vdiq një muaj pas marrjes së lajmit se ai dhe gruaja e tij do të bëheshin prindër. Tetë vite pas ngjarjes, dyshimet për vdekjen e tij ende mbeten pjesë e diskutimeve publike, dhe familja e tij vazhdon të mos besojë në përfundimet e ekspertizës, duke refuzuar idenë e vetëvrasjes.

Publikimi i fotografive nga qelia ku ndërroi jetë Astriti ka ngritur pyetje të shumta, përfshirë imazhe që tregojnë lëndime në kokë, duar, krahë dhe në pjesën e parakrahut. Disa muaj pas ngjarjes, më 3 prill 2017, një tjetër bashkëvuajtës i Astritit, Naser Makolli, vdiq në Burgun e Lipjanit. Po ashtu, një tjetër bashkëvuajtës i tij ka humbur, pas një lirimi misterioz nga burgu.

Familja Dehari është e bindur se Astriti nuk ka bërë vetëvrasje dhe, e pakënaqur me hetimet e institucioneve të Kosovës, kërkoi një ekspertizë të re, që u krye në Lozanë të Zvicrës, ku familja kishte jetuar më parë.

Pas tre vjetësh, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë konfirmoi se vdekja e Astrit Deharit ishte rezultat i asfiksisë, e shkaktuar nga ngulfatja e llojit "smothering" (mbështjellje), duke sugjeruar mundësinë e përfshirjes së një personi të tretë në ngjarje. Ka shumë elemente që e bëjnë të pabesueshëm versionin e vetëvrasjes, dhe ka frikë se ky rast nuk do të marrë kurrë epilogun e duhur, për shkak të përdorimit të tij për qëllime politike.

Nuk është e drejtë që familja Dehari të vazhdojë të maltretohet me spekulime dhe akuza, përveç dhimbjes së thellë që po kalon. Mbase një hetim i pavarur, përfshirë edhe zhvarrimin e trupit dhe angazhimin e hetuesve të huaj, mund të ndihmonte në nisjen nga e para të procedurave për të zbuluar të vërtetën.

Tetë vjet pas ngjarjes, vdekja e Astrit Deharit mbetet ende një mister, dhe duket se ky rast nuk do të marrë kurrë epilogun e drejtë dhe të vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat