Për Shqipërinë dhe Kosovën Trump nuk është gogoli! Përkundrazi, Sorosi është rrënuesi ynë!

Opinione

Për Shqipërinë dhe Kosovën Trump nuk është gogoli! Përkundrazi, Sorosi është rrënuesi ynë!

Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 17:24
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Miku im, Milaim Nela, ka shkruar se zgjedhja e Donald Trump është katastrofë për Kosovën, ndërsa zgjedhja e Kamelas është katastrofë për Shqipërinë. Ndërkaq sondazhet e Gallup tregojnë se Harris është e preferuara e evropianëve perëndimore, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës, 59 përqind prej të cilëve thonë se do të donin Harris dhe 27 përqind Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në Serbi ndodh e kundërta. Ata do të donin Trump si president të SHBA-ve. Por presidentin amerikan nuk e zgjedhin europianët. As rusët e kinezët. Amerika nuk është si Shqipëria, një narco-shtet, vullnetin e së cilës e dikton mafia.

Shpesh herë besoj edhe unë të njëjtën gjë si Mlilaim Nela. Por më duhet që të jap dhe interpretim tjetër. Se fitorja e demokratëve sjell katastrofë për Shqipërinë, kjo është e provuar tashmë në 11 vite të qeverisjes së kreut të narco-shtetit shqiptar dhe rilindjes së tij. Këtu ka plotësisht të drejtë miku im, Nela. Mbështetja që Shtëpia e Bardhë e sidomos DASH i Sorosit në SHBA i ka dhënë Edi Ramës është vërtetë shkatërrimtare jo vetëm për lirinë e demokracinë, por edhe për ekzistencën e shqiptarëve. Shpopullimi është pasoja e shuarjes së kombit shqiptar në kohën e Ripjerdhjes socialiste dhe kjo vazhdon të ndodh me mbështetjen e demokratëve amerikanë. Kamala Harris e përsëriti këtë mbështetje për narco-shtetin e Edi Ramës edhe dje përmes një thirrje drejtuar shqiptarëve në Amerikë për ta votuar atë.

Megjithatë nuk është se Edi Rama u vu në sëkëlldi gjatë katër viteve të Donald Trump. Edhe atë periudhë 2016-2020, Rama vegjetoi si pasha. Asnjë gjemb nuk i hyri në këmbë. Pikërisht në atë kohë ndodhën sulme të egra kundër opozitës, bashkë me rastin e McGonigal, sigurisht me ndihmën e Lulzim Bashës. Edhe pse Edi Rama foli në CNN-in amerikan dhe e quajti zotin Trump “turpi i civilizimit”, sërishmi u mbështet nga SHBA-të. Donald Lu dhe Juri Kim ishin produkti anti-shqiptar i Sorosit në atë kohë. Në vitin 2019 ishte Trump në pushtet, ndërkohe Palmer mbrojti me ngulm regjimin e mafies në Shqipëri. Pra, nuk ka lidhje shumë se kush zgjidhet president në SHBA. Politikat amerikane i dikton tjetërkush! Megjithatë ekziston një lloj pritshmërie nga ana e opozitës në Shqipëri nga zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve. Të shohim sa do të ketë efekt për opozitën shqiptare ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë! Ndërkohë Rama e ka josh dhëndërrin e Trump me copa Shqipërie (Sazanin e Zvërnecin)!

Po në Kosovë? Ka një kakofoni dhe Donald Trump na paraqitet si gogol për shtetësinë e saj. Sikur ai me një lëvizje të gishtit do të vendosë që Kosova t’i japë territore Serbisë. Dhe kësisoj brenda natës do ta mbyllë konfliktin shqiptaro-serb. Ndërkohë që projekteve serbe në Ballkan i shërben më shumë Soros, Edi Rama dhe shumë politikanë të tjerë, të cilët kanë mbështetjen e pakufishme të demokratëve amerikanë. Eshtë e vërtetë se në qershor 2020 Hashim Thaçi u nis për të nënshkruar marrëveshjen e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë. Në zyrën ovale e priste Donald Trump. Presidenti i Kosovës u ndalua në rrugë, sepse prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë shpalli akt-akuzë kundër tij.

Por nuk duhet të harrojmë se ajo marrëveshje ishte vullneti i presidentit të Kosovës. Të dy liderët, ai i Serbisë dhe ky i Kosovës, ishin të gatshëm të nënshkruanin një marrëveshje të tillë. Nëse ata nuk do ishin në një mendje për ta ricopëtuar Kosovën, këtë nuk do ta impononte Donald Trump. Por ka dhe aksesorë të tjerë, të cilët na bëjnë të reflektojmë pak më ndryshe për sjelljen e presidentit Trump me Ballkanin. Së pari, as Trump dhe as Harris nuk do të kenë kohë e mundësi të merren aq shumë me Ballkanin. Bota është në luftë dhe Ballkani është aq periferik në këtë kaos, sa vështirë të merret drejtpërdrejt presidenti amerikan.

Së dyti, nëse e marrim të mirëqenë angazhimin e presidentit amerikan, në rastin konkret Trump, ne e dimë se ai përdor diplomacinë ekonomike për të shuar konfliktet. Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, të cilën e nënshkroi Abdulla Hoti, pikërisht këtë na e dëshmon. Presidenti Trump detyroi Benjamin Netanjahun që ta njohë shtetin e Kosovës. Nuk e bëri këtë për tetë vite para tij Barak Obama, i cili kishte gjithashtu kuota shumë të larta preference në Europë e madje edhe te shqiptarët.

Trump nuk është gogoli i Evropës, i Ballkanit dhe as i Kosovës. Është gabim i madh nëse e trajtojmë si të tillë. Në fund të fundit nuk është më “i keq” sesa Soros. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Sorosi synon dhe punon me narco-shtetin shqiptar për ta zhbërë Shqipërinë. Unë nuk e besoj këtë formulë në politikën e Donald Trump, sido që që kam rezervat e mia, pasi që ai në fushatë elektorale e në opozitë e godet ideologjinë e Soros e kur vjen në pushtet nuk merret më me të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat