Çdo qëndrim tjetër jashtë kësaj kornize amerikane në Kosovë, është mbjellje e frikës te populli shqiptar

Opinione

Çdo qëndrim tjetër jashtë kësaj kornize amerikane në Kosovë, është mbjellje e frikës te populli shqiptar

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 6 nëntor 2024 Në ora: 19:52
Donald Trump

Pakkush në Evropën Perëndimore, sidomos në Kosovë, e ka pritur fitoren bindëse të Donald Trump në zgjedhjet e djeshme amerikane, i cili, për shkak të sjelljeve vandale të ithtarëve të tij mbi ndërtesën e Kongresit amerikan me rastin e humbjes në zgjedhjet e vitit 2020, si dhe për shkak të disa aferave korruptive, seancave gjyqësore për fshehje dhe keqpërdorim të dokumenteve shtetërore, etj., nga shumë analist dhe kundërshtarë të tij politik, kjo është vlerësuar si dështim i tij i plotë në politikë, madje kthimin e të cilit në garë presidenciale e shihnin si të pamundur, dhe, i cili sipas shumë analistëve, ai do duhej të përfundonte pas grilave të burgut.

Por, pa hyrë më thellë në analizë, se çfarë ndodhi për katër vite në shoqërinë amerikane, derisa D. Trump po ballafaqohej me akuza të rënda dhe me një fushatë të ashpër mediatike, se çfarë ndikoi që ai të rikthehet dje fuqishëm në postin e presidentit të 47-të amerikan, me një fitore mjaft gati spektakolare, duke e marrë votën e të njëjtit elektorat, i cili në vitin 2020 e ndëshkoi me humbje kundër kandidatit Joe Biden, mendoj se për këtë ka disa faktorë politik dhe ekonomik, që elektoratin amerikan e kanë shtyrë që votën t’ia japë kandidatit Republikan, D. Trump. Mbase, si përgjigje ndaj shumë sfidave me të cilat amerikanët janë ballafaquar nën administratën e presidentit J. Biden, para së gjithash, kriza ekonomike dhe sociale, rreziku i zhbërjes së vlerave të familjes tradicionale amerikane, përkrahja enorme e luftës në Ukrainë dhe Izraelit në luftën kundër Hamasit dhe Hezbullahut palestinez, inflacioni në rritje, etj., pa dyshim, kanë bërë që D. Trump, i njohur me “Homo-sapiensin” e tij të fortë egocentrik; “America First, make America Great Again” (Së pari Amerika, ta bëjmë prapë Amerikën të madhe), kanë ndikuar që elektorati t’ia japë votën, madje edhe si opsioni më shpresëdhënës për të ardhmen e Amerikës.

Ndërsa, se çfarë do fitojë ose humb Kosova me rizgjedhjen e z. Donald Trump në postin e njeriut të parë të Shtëpisë së Bardhë, në formë të prerë, unë nuk e ndaj mendimin me disa politikanë në Prishtinë dhe kudo tjetër, të cilët nga frika kanë deklaruar publikisht, se rizgjedhja eventuale e tij në krye të SHBA-ve do jetë në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë, etj., konstatime këto të cilat nuk qëndrojnë fare, kur dihet se përkrahja e Republikanëve ndaj Kosovës nuk ka munguar asnjëherë, përkundrazi ishte vija e kuqe e presidentit amerikan, senior, George H. W. Bush, në vitin 1991 ndaj Serbisë, pastaj djali i tij, Georg W. Bush, ai i cili në vitin 2007 në Tiranë e shpalli Kosovën shtet të pavarur, etj., të cilët në vazhdimësi kanë mbajtur qëndrim të qartë pro-Kosovës, gjë që nuk ekziston asnjë arsye që tani D. Trump të ketë qasje ndryshe nga politika e Republikanëve ndaj Kosovës.

Pastaj, deklaratat naive të disa analistëve në Prishtinë, se me rizgjedhjen e djeshme të D. Trump në krye të SHBA-ve, Kosova do ndahet, se Ujmani dhe Trepça do i jepen me koncesion firmave amerikane, se Richard Grenell, siç flitet, do jetë ministër i jashtëm i SHBA-ve, do bënë “kërdi” në Kosovë, se do ta lirojë H. Thaçin nga burgu i Hagës, se do ta rrëzojë Albin Kutin, etj., nuk janë fare serioze, mbase janë deklarata shumë të dëmshme për Kosovën, sepse asnjë nga këto llafe të kota nuk do të ndodhin, kur dihet mirëfilli se partneri kryesor i shtetit të Kosovës kanë qenë dhe mbetën SHBA-të, por edhe garantuesi kryesor i sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Çdo hamendësim dhe qëndrim tjetër jashtë kësaj kornize dhe këtij diskursi strategjik amerikan në Kosovë, është mbjellje e frikës te populli shqiptar, se gjoja një ditë jo të largët, miqtë amerikanë do tërhiqen nga Kosova, gjë që kjo nuk është as reale, dhe as e pritshme që të ndodhë, duke marrë parasysh rrjedhat e ngjarjeve në botë, ndryshimet tektonike në raportet Lindje-Perëndim, rigrupimet e reja ekonomike në Azi dhe Lindjen e Mesme, siç është BRICS-i, lufta në Ukrainë dhe ajo mes Izraelit dhe Palestinezëve, etj., andaj gjasat e largimit të shpejt të SHBA-ve nga Kosova janë minimale.

Ajo që na mbetet të shpresojmë, është pa dyshim pyetja, se a do arrin presidenti i posa zgjedhur amerikan, z. D. Trump që ta ndalojë luftën në Ukrainë dhe atë në Lindjen e Mesme, ku më shumë se një viti është duke ndodhur gjenocidi më i tmerrshëm në historinë e njerëzimit, dhe ku siç dihet, deri më tani janë vrarë dhe zhdukur mbi 100 mijë gra, fëmijë dhe burra civilë palestinezë, dhe ndalimi i këtyre luftërave do të ishte shpëtim i njerëzimit nga Lufta e Tretë Botërore, të cilën nuk e dëshiron askush në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat