Shkëputja nga trungu familjar i traditës kombëtare paraqet gjendjen aktuale të shoqërisë në Kosovë, me mjaft probleme të cilat kërkojnë zgjidhje dhe përgjigje sa më shpejt. Koha po tregon se depërtimi i rrymave më të ndryshme nga rajonet e globalizmit, të cilat po përqafohen nga kombet e ndryshme në emër të proceseve demokratike, po i godasin pa mëshirë vlerat tradicionale, morale, njerzore dhe humane të popullit shqiptar, kudo që jetojnë.
Sot, gjenerata e re po vepron me mendësinë e teorive të "civilizimit", duke u larguar pa mëshirë nga trungu familjar, nga prindërit dhe paraardhësit të cilët dhanë shumë mund për fëmijët e tyre. Këto botëkuptime, në emër të lirisë dhe demokracisë, duke shkëputur kontinuitetin e gjeneratave, po rrezikojnë mikpritjen, bujarinë dhe besimin shqiptar, të cilat ishin kultet më të çmuara të një populli gjatë historisë.
Këto fenomene që po ndodhin nëpër familjet tona, ku të rinjtë kanë marrë fatin në duar, pa i përfillur dhe respektuar këshillat e prindërve dhe dashamirëve të farefisit, po fejohen dhe martohen shpejt, dhe po ndahen (divorcohen) brenda javës. Vetë fakti që gjatë një viti janë regjistruar 1500 divorcime në Kosovë alarmon gjendjen në shoqëri dhe pasqyron papjekurinë totale të një pjese të gjeneratës së re, e cila jeton në Kosovë dhe mendon sipas normave dhe rregullave të Perëndimit (me kulturën e "rokut").
Duhet theksuar se pas luftës, në trojet tona janë zhvilluar lëvizje të pakontrolluara të popullsisë nga fshatrat nëpër qytete të ndryshme, duke shpërndarë gjithashtu familjet edhe jashtë vendit. Shkëputja e raporteve dhe marrëdhënieve ndërmjet familjeve, përkatësisht largimi i rrethit familjar, shumë shpesh po ndodh, duke shkaktuar që gjenerata e re, e cila është shkëputur nga trungu familjar dhe nuk njeh njëri-tjetrin, të tentojë të fejohet ose martohet.
Nuk ka nevojë për koment se kjo gjendje shqetësuese ka ardhur për shkak të mungesës së edukatës familjare, të nivelit dhe cilësisë së dobët nëpër shkolla dhe sistemin e arsimit, si dhe ndikimit të shumtë të rrjeteve sociale, të cilat nuk kanë fare kontroll. Tranzicioni dhe ndryshimet sistemore që kanë ndodhur në shumicën e shteteve të Evropës, dhe që u depërtuan edhe në Ballkan, sollën një varg procesesh të cilat, në emër të demokracisë, për interesat e caktuara po veprojnë kohë pas kohe edhe në Republikën e Kosovës, duke futur përçarje përmes rrymave fetare që paraqesin rrezik të përhershëm për ndërtimin e raporteve ndërnjerëzore dhe ndër-etnike të qytetarëve të Kosovës.
Këto procese, me dukuri negative, po e polarizojnë shoqërinë, duke e përçarë (ndarë) djalin nga babai, vëllanë nga vëllai, dhe duke i keqësuar raportet gjithandej në dëm të shtetit. Andaj, fenomeni i divorcit të gjeneratës së re, përveç se po krijon pakënaqësi dhe probleme familjare, si dhe dëme financiare drejtpërdrejt, po i godet vlerat morale, edukative, humane, njerëzore dhe tradicionale të familjeve shqiptare.