Cilëve u intereson “turbullimi i ujërave” me Greqinë?

Opinione

Cilëve u intereson “turbullimi i ujërave” me Greqinë?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 15:44
Xhevat Mustafa

Të dehur si nga një “miks pijesh” të lëngëta apo të miellta, nga "fjalimi historik dhe programatik" i kryeministrit Edi Rama në takimin partiak e paraelektoral të Selanikut më 3 nëntor 2024, plot “tifozë të çmendur” të tij, individualë, kryeministrorë e partiakë, u thanë grave në krevatë e shokëve nëpër tavolina dhe wc kafenesh, nëpër stola lulishtesh...se ai "u futi drithmën dhe ua bëri 8 me 2 pushtetarëve dhe politikanëve më të lartë në Greqi!" Po sipas këtij burimi me “ujëra të tej ndenjur e në shumicë të ndotur”, tmerrin ua ka fut grekëve sidomos kërcënimi i Edi Ramës mes Selanikut, se “Vorio Epiri ka vdekur”, se grekët, domethënë së pari, politikanët dhe pushtetarët heleniotë e pastaj ata të thjeshtë, duhet "ta harrojnë Vorio Epirin...!"

Por, ndoshta nga dehja prej duartrokitjeve sa me i përgjak duart dhe brohorimave në sallë prej mitingashëve, sa me u ngjir për disa ditë dhe nga nervozizmi prej sharjeve dhe akuzave të “antimitingashëve” shqiptarë ( sipas fjalorit të Edi Ramës dhe të korit që i mban iso, berishianë, ilirmetajanë...), nuk sqaroi disa çështje të moçme apo të mjegullta prej shumë dekadash. Fjala është se si do t'i vejë halli Çamërisë dhe copave të tjera Shqipëri, në tokë, detë, liqen, lumenj...që na ka rrëmbyer Greqia me ushtritë e saj ose falur nga dashuria për atë dhe nga traktatet e Fuqive të Mëdha, shumicën e të cilave, ato Perëndimore, në këta afro 34 vjet i kemi edhe ne si vend, shtet, popull, “aleatë strategjikë”!? Nejse, të mos e ngusim e ta presim me durim shqiptari kryeministrin, se ndoshta, me shpresë tek ZOTI, na i zbardh plotësisht të gjitha hamendjet, dyshimet, pikëpyetjet..., në mandatin e katërt, të pestë, të gjashtë...,qoftë edhe një ditë para se të ikë nga kjo jetë e botë!!! Gjithsesi, bën përshtypje fakti se pas Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri- BE më 15 tetor 2024 në Luksemburg, ku u miratua çelja e negociatave për grup kapitullin e parë me Shqipërinë, po nga ana e Tiranës qeveritare kanë ardhur akte karshillëku, provokimi dhe nervozimi të qeverisë dhe shtetit të Greqisë!

U fillua me incidentin me eurodeputetin e Greqisë, shqiptarin famëkeq e me duar me njolla gjaku shqiptar, Fredi Beleri!? “Zbulimi”, propozimi dhe mbështetja e tij nga koalicioni opozitar dhe nxitimi nga pozita qeverisëse për ta “inkriminuar” dhe dënuar për një grusht vota, kur vetë kishte vjedhur në mbarë vendin me thasë, të shtyjnë në dyshimin jo të pabazë se Beleri u shfrytëzua për të sajuar një “incident” e për të fshehur nëpërmjet tij, me gjethe fiqsh a ullinjsh, një skenar të hollë apo të trashë, me shtrirje në tokë e në detë...!? Pavarësisht të shkuarës inkriminuese dhe penalizuese, në fund të fundit tani Fredi Beleri është deputet i parlamentit evropian, anëtar i grupit të deputetëve të Greqisë...! Si i tillë, duam apo nuk duam ne shqiptarët, ai ka një votë që, me shumë gjasa, do ta ngrejë më së shumti, kundër Shqipërisë, qeverisë dhe shtetit të saj, qoftë edhe për inat shqiptari apo ballkanik! Më 3 nëntor 2024 nga goja dhe fjalimi i kryeministrit Edi Rama, me frazeologji dhe doza patriotizmi ngjashëm si të Enver Hoxhës, Greqia atakohet apo provokohet nga qendra e Selanikut. Merret lehtë me mend apo kuptohet pa fare vramendje se këto akte i japin shkas, arsye, justifikime..., qeverisë së Athinës të kundërpërgjigjet, tradicionalisht, flakë për flakë e sy më sy ose pas kulisave, helenisht apo odisejanisht.

Deri sa të marrim, me meritë të plotë, me dashamirësi, tolerancë, mëshirë..., nga 27 vendet vendimmarrëse, anëtarësimin e plotë në BE, qeveritë greke të sotme e të ardhshme, kanë në dorë mundësinë të nxjerrin pengesa apo ta vonojnë ardhjen e kësaj dite të shumëpritur, sidomos nga shumica e shqiptarëve të thjeshtë apo të varfër...Po kështu dihet mirë se cilët janë më të interesuar apo të djegur e përvëluar për t'i bërë sa më shumë keq apo për t'i prishur sa më shumë punë Shqipërisë dhe shqiptarëve! Ndër më histerikët, më të palodhshmit e të pakursyeshmit, edhe financiarisht, janë Serbia, Greqia, Rusia...! Për më tepër, prej shumë vitesh me tufa njerëzish të tyre edhe në mes të Tiranës, fare pranë Skënderbeut mbi kalë në sheshin e tij, parlamentit, kryeministrisë, ministrisë së mbrojtjes, të punëve të brendshme, të jashtme..., SHISH- it të Shqipërisë!? Vetëm një ditë më vonë nga takimi i Selanikut, me fishekzjarre apo tullumbace patriotizmi nga kryeministri, në Tiranë erdhi për një vizitë kohëshkurtër zv.ministri i jashtëm i Greqisë, Kostas Fragkogiannis. Nga leximi i vëmendshëm i tekstit të njoftimit nga mediat kuptohet lehtë se mes apo poshtë rreshtave “ujët rrjedh” në drejtimin e tij të hershëm e pa shtim shpejtësie të rrymës... “Zv. Ministri i Jashtëm për Diplomacinë Ekonomike të Republikës së Greqisë z. Kostas Fragkogiannis zhvilloi në Shqipëri disa takime në nivel ministror me homologë në Ministrinë e Jashtme, lidhur me bashkëpunimin në fushat e Diplomacisë Ekonomike dhe Ekstraversionit, përfaqësues në Minstrinë e Energjitikës.

Më tej me Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ku diskutuan për forcimin e klimës së biznesit dhe gjallërimin e interesit për investime në Shqipëri dhe Greqi. Fragkogiannis takoi një delegacion të madh biznesmenësh grekë që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri e anasjelltas dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë. Gjithashtu mori pjesë në aktivitetin e Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për forumin e biznesit Shqipëri-Greqi...Ai vizitoi edhe Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe u takua me Presidentin e UMSH, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli...” Po këtë ditë, pra më 4 nëntor në një deklaratë të tij televizive, publikuar edhe në KLAN TV, kryeministri Rama bëri më kot apo pa sukses diplomatin, duke vlerësuar pozitivisht, si politikan dhe pushtetar të moderuar, kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me iluzionin se ai nuk do të impresionohet nga zërat radikalë apo fanatikë në korin tradicional helenist apo vorio epiriot. Por, këtë flakës shprese të kryeministrit të Shqipërisë e shuajti po më 4 nëntor deklarata e zëdhënësit të qeverisë greke Pavlos Marinakis..., nënkuptueshëm jo 100% me kokën e tij, por me miratimin paraprak nga kryeministri Mitsotakis...! Për të qenë korrektë me origjinalin, krahas të tjerave në këtë deklaratë thuhet se " Epiri i Veriut mund të mos ekzistojë për zotin Rama, por besoj se është e vetëkuptueshme që në Shqipëri jeton minoriteti etnik grek me të drejtat e tij...Me pak fjalë, rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një kusht që askush nuk mund ta anashkalojë, i cili është respekti i minoritetit etnik grek në Shqipëri...”

Doza e dyshimit për një skenar me “dy skenaristë” apo “lojë greko-shqiptare” shtohet nga ngrohtësia e takimit mes dy kryeministrave në samitin e BE-së në Budapest, më 7 nëntor 2024, thua se nuk ka ndodhur asgjë shqetësuese mes dy qeverive, vendeve dhe atyre personalisht...!? Duke iu referuar veprimeve konkrete të Edi Ramës e qeverive të tij, prej rreth 11 vitesh e sidomos pas datës 15 tetor 2024, shumëkush nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët që ndjekin zhvillimet politike në Shqipëri, është e logjikshme të pyesin njeri-tjetrin ose drejtpërdrejtë kryeministrin: “a e dëshironi me të vërtetë, me shpirt e zemër, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian? Nëse po, përse e nxisni, shtyni, detyroni...Greqinë, domethënë qeverinë greke, të përdorë kartën që ka në duar e që me shumë gjasa, vret mendjen se si të gjejë rrugë e mënyra për të mos iu zverdhur nga mos përdorimi për një kohë të gjatë...?! A ia vlen që për ca mijëra vota partiake e për një copë Fredi Beler të bëhet gjithë ky sherr, që si humbëse më të madhe, me shumë gjasa, Shqipërinë do ta nxjerrë...?!” Thuhet se një publicist dhe diplomat GREK, i njohur për kulturë e helenizëm të flaktë, që i njeh shumë mirë si histori e gjeografi Shqipërinë si dhe si njerëz, politikanët dhe pushtetarët kryesorë të saj, pra edhe Edi Ramën, iu përgjigj "shqip" këtyre zërave, edhe mes disa emigrantëve shqiptarë në Greqi e më të fortë, mes enveristo- edramistëve në Shqipëri: - Greqia dhe grekët të tremben nga Edi Rama si dhe nga “ushtria” prej rreth gjysmë milioni emigrantësh shqiptarë në vendin e tyre...???!!! Kjo është gajasëse dhe e pabesueshme për ne!!! Ngjashëm sikur Greqia dhe ne grekët e sotëm të pranojmë të ndërrojmë Selanikun me Surrelin ose Akropolin me piramidën e Enver Hoxhës...!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat